Heqja e kompetencave te Nishanit Majko dhe Luan Rama kunder qeverise

Heqja e kompetencave te Nishanit, Majko dhe Luan Rama kunder qeverise

Majko: Ne mund të kemi pakënaqësi të shumta me Presidentin e Republikës, me të drejtë, pa të drejtë, ç’rëndësi ka, politika është politikë. Por interpretimi është që elita ushtarake duhet të jetë e balancuar dhe të ruhet ky interpretim që nomenklatura e lartë ushtarake lidh marrëdhënien President-Komandant i Përgjithshëm dhe Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes”

Jo vetëm Presidenti i Republikës por dhe opozita është kundër ndryshimeve që sjell projektligji “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ish-kryeministri Pandeli Majko dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Luan Rama, sot deputet i LSI-së, kanë shprehur hapur kundërshtitë e tyre lidhur me përcaktimin që sjellin këto ndryshime, ku Presidentit të Republikës i lihet vetëm kompetenca të emërojë komandantët e Forcave Ushtarake Tokësore, Detare dhe Ajrore, si dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa i hiqet kompetenca ligjore për të emëruar dhe ushtarakët e tjerë me grada madhore.

Komisioni i Sigurisë

Kështu, fillimisht debati është zhvilluar në komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku deputeti i LSI-së, Luan Rama ka deklaruar se me këto ndryshime po zhbalancohen pushtetet. “Janë një bllok kompetencash që ligji ia jep, jo Presidentit, dhe jo Bujar Nishanit, se nuk ia ka dhënë as Rexhep Mejdanit kur ka qenë president, por ia ka dhënë Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në qoftë se do të bëjmë një zhbalancim të autoriteteve dhe do të bëjmë dhe Kryeministrin Komandant të Përgjithshëm, atëherë unë jam dakord ta kalojmë kështu siç është”, -u shpreh Luan Rama. Por ndaj këtij shqetësimi ka reaguar zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, i cili megjithëse ka pranuar që me këto ndryshime Presidentit i janë hequr disa kompetenca, ka deklaruar se këto nuk prekin kompetencat themelore. “Për sa i përket kompetencave të Presidentit, dua të theksoj se nuk i janë hequr kompetencat madhore. Ai jep gradën e gjeneralit, me firmën e tij jepen gradat madhore. Është kompetencë kushtetuese e Presidentit për të dekretuar komandantët e forcave ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Është bërë vetëm një lehtësim për arsye operacionaliteti për sa i takon emërimit të gjeneralëve në detyra të ndryshme”,- theksoi Dritan Hila.

Komisioni i Ligjeve

Më pas debati është transferuar te komisioni i Ligjeve, ku sërish është ngritur çështja e marrjes së kompetencës së Presidentit për emërimin e gjeneralëve. Ka qenë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ai që ka këmbë ngulur se me ndryshimin e propozuar, kreut të shtetit po i hiqet një e drejtë që e ka ushtruar deri më tani. “Në pikën 3 të nenit 9, ka tejkalim të Kushtetutës, e cila lexohet në mënyrë integrale. Presidenti është Komandant i Përgjithshëm i FA-së në kohë paqeje dhe e ushtron kompetencën edhe në kohë lufte. Pika ‘c’ i ka hequr një të drejtë Presidentit, sepse thotë që emëron dhe liron nga detyra me propozim të ministrit komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore, por jo oficerët e tjerë me gradë madhore”, – tha Mediu. Por sipas drejtoreshës juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk kemi të bëjmë me tejkalim të dispozitave të Kushtetutës, por se kemi vetëm një riorganizim të ri nëpërmjet një ligji. “Kushtetuta flet vetëm për emërimin dhe shkarkimin e tre komandantëve, jo të gjeneralëve të tjerë. Dekretimi ndodh për gradimet dhe emërimet”, – tha Yllka Lamçe nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa kolonel Idriz Haxhiaj u shpreh se arsyeja pse kaloi kjo kompetence te Kryeministri dhe te ministri është për të rritur fleksibilitetin. Në këtë debat është përfshirë edhe ish-ministri tjetër i Mbrojtjes, Pandeli Majko, i cili ka bërë thirrje që kjo çështje të rishihet.

 

“Do t’u lutesha, sidomos ushtarakëve, që ta gjykojnë dhe një herë se, në frymën e nenit që Presidenti në kohë paqeje ushtron drejtimin e FA nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit, interpretimi ka qenë që gjeneralët do jenë nomenklaturë e Presidentit. Dmth, edhe kur ka shkuar shefi i Misionit në NATO, edhe kur është bërë drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Është ‘check and balance’. Ne mund të kemi pakënaqësi të shumta me Presidentin e Republikës, me të drejtë, pa të drejtë, ç’rëndësi ka, politika është politikë. Por interpretimi që elita ushtarake duhet të jetë e balancuar dhe të ruhet ky interpretim që nomenklatura e lartë ushtarake lidh marrëdhënien President-Komandant i Përgjithshëm dhe Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes”, – tha Majko. Por sipas kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, Presidentit nuk po i hiqet asnjë kompetencë dhe se në ligj po i vendosen ato kompetenca që ka dhe në Kushtetutë. “Ligji nuk mund t’i japë diçka që nuk ia jep Kushtetuta”, – tha Xhafaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama