Njeriu që i dha fitoren dhe kualifikimin Kukësit në turin e parë të Ligës së Europës, Sidrit Guri, në një intervistë për "Panorama Sport" flet për eksperiencën që po përjeton te Kukësi, për golin e fitores në Mal të Zi, si dhe për synimet e tij si sulmues potencial.
Sa për fitoren kundër Rudarit, për golin, ai thekson se e kishte parandier atë, madje ia kishte shprehur dhe kolegut të sulmit Izair Eminit dhe ashtu ndodhi, Guri shënoi dhe Kukësi u kualifikua.
Sidrit, si e shikoni këtë eksperiencë të re që po kaloni te Kukësi?
Është një eksperiencë shumë e mirë dhe e rëndësishme për mua, pasi Kukësi ka vite që pretendon për kampion, madje i ka shkuar shumë afër, por shumë pak e ka ndarë nga fitimi. Pastaj edhe finaliste e Kupës për tri vite rresht, ku këtë të fundit e fitoi dhe merr pjesë rregullisht në Kupat e Europës dhe e ka treguar me fakte që kalon edhe shumë ture. Nga e gjithë eksperienca e klubit do të përfitoj dhe unë, pasi jam në një moshë relativisht të re.
Mbas një përvoje të suksesshme në Kategorinë e Parë, si ju duket ardhja te Kukësi. A është një hap i madh në karrierën tuaj?
Kam fituar shumë përvojë me Korabin në Kategorinë e Parë në grupin e Veriut, çka më ka bërë shumë mirë. Kjo eksperiencë më ka forcuar si nga ana fizike, por sidomos nga karakteri. Ishte hapi që duhej të bëja dhe kam besim se mund të arrij më lart. I kam të gjitha mundësitë dhe jam më se i përqendruar dhe kam vullnet për të ecur shumë para me klubin tim të ri, Kukësi.
Ju keni luajtur edhe më parë në Kategorinë Superiore, me Vllazninë dhe Besën. Çfarë ndryshimi ka midis Kukësit dhe këtyre ekipeve që ju keni luajtur në Superiore?
Kukësi është ekip që kërkon gjithmonë të fitojë pavarësisht kundërshtarit. Kjo na bën edhe më profesionistë. Të gjitha ekipet kanë specifika të ndryshme. Por, Kukësi është më lart në aspektin profesional.
Pse zgjodhët Kukësin kur ju kërkonin edhe klube të tjera, mes tyre edhe Partizani?
T'ju them të drejtën, nga ana e menaxhimit është marrë agjenti im Elton Marini. Ai ma dha këtë ide dhe mua m'u duk më e përshtatshme.
A jeni ambientuar te verilindorët?
Jam ambientuar shumë shpejt, kjo për faktin se shokët e ekipit më pritën mjaft mirë. Ndihem shumë mirë dhe i familjarizuar me ekipin e ri.
Debutim ëndrrash për ju, pasi shënuat gol në një ndeshje shumë të vështirë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës. E kishit menduar këtë start te Kukësi?
Për të qenë i sinqertë, nuk e kisha menduar një debutim të tillë. Kur u futa në lojë pata një fiksim se do të shënoja gol. Pata shumë besim në vetvete se kur të futesha në fushën e lojës do të shënoja. Për fat, trajneri besoi tek unë me aktivizimin dhe në fund gjithçka u mbyll për mirë. Madje, kur hyra në fushë i thashë Eminit se do të realizoja. Arrita të shënoja dhe me atë gol Kukësi u kualifikua.
Çfarë komplimentesh morët nga shokët e skuadrës, drejtuesit apo të afërm për këtë gol me vlerë kualifikimin?
Të gjithë më përgëzuan dhe unë u ndjeva shumë i vlerësuar. Kjo gjë më rrit edhe më shumë besimin në vetvete.
Meqë besoni, çfarë synimesh keni në aspektin personal?
Synimet e mia për momentin janë që të shënoj sa më shumë për Kukësin dhe të fitojmë sa më tepër ndeshje në Europë. Për të ardhmen nuk flas se ndoshta nuk më sjell fat.
I trembeni konkurrencës në skuadër, duke qenë se te Kukësi ka sulmues mjaft cilësorë?
Me të vërtetë që janë sulmues mjaft të mirë dhe unë do të bëj më të mirën time për të qenë sa më i vlefshëm për ekipin.
Mendoni se në një të ardhme të afërt do të arrini formacionin titullar?
Kjo është në dorë të trajnerit dhe stafit, por sa herë që do të më jepet mundësia do ta shfrytëzoj në maksimum. I kam të qarta detyrat e mia, si dhe çfarë duhet të bëj. Shumë stërvitje, përqendrim dhe në fushë të jap maksimumin.
Si e shikoni ndeshjen me Austrinë e Vjenës, një skuadër mjaft e njohur?
Është më mirë që kemi përballë një skuadër të një niveli të lartë, pasi është në të mirën e gjithë lojtarëve. Kjo sfidë na mobilizon akoma më tepër dhe, pse jo, të bëjmë atë që nuk e beson njeri, të kualifikohemi.
Si i shikoni mundësitë për ta kaluar edhe këtë tur me Kukësin?
Futbolli luhet 11 kundër 11 dhe, derisa na e lejon matematika, ne do bëjmë gjithçka në fushë për të dhënë më të mirën. Nuk ka asgjë të pamundur, kështu që ne do të hyjmë në fushë për të treguar veten.
Mendoni që mund t'ju shënoni edhe austriakëve?
Një ditë para ndeshjes mund t'iu tregoj nëse e ndiej që do të shënoj apo jo (qesh). Natyrisht që do doja shumë të shënoja dhe nëse do jem në fushë, pse mos ta bëj? Në sport nuk ka asgjë të pamundur, ashtu siç s'mund ta besojë askush që Shqipëria ka mposhtur në fazën eliminatore në grupe dy finalistet e Europianit, Franca dhe Portugalia.
Skerdilajd Sulozeqi