Arvanitasit e Greqisë nuk janë ardhës, nuk janë as minoritet. Ata ishin dhe janë ende në Greqi. Valët e tjera të mëdha të arbërve në drejtim të Greqisë që ka pasur në shekullin IV-VII dhe XIV, që i njohim nga disa historianë, nuk janë veçse shpërngulje e disa principatave të arbërve të veriut në drejtim të jugut për arsye të pushtimeve të tokave të tyre në veri të Arbërisë nga pushtuesit sllavë dhe më vonë nga pushtuesit turq.
Termi grek në shekullin XIX ka pasur domethënie politike dhe jo atë kombëtare dhe gjuhësore siç e ka sot. Kështu, kryengritjen e vitit 1821, fuqitë e mëdha europiane e shfrytëzuan duke i pagëzuar kryengritësit me emrin e përbashkët grekë për të realizuar Greqinë politike të sotme. Pra, të gjithë kryengritësit e vitit 1821, arvanitasit, elenasit, vllehtë dhe bullgarët, në mënyrë të barabartë, pas krijimit të mbretërisë dhe më vonë të shtetit grek, morën emrin e përbashkët politik kombëtar grek. Vetë elenasit, në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, parapëlqenin të quheshin romei dhe gjuhën e tyre romaikis. Kështu, Rigas Fereos (1757-1798), ideologu dhe frymëzuesi i kryengritjes së vitit 1821, në poemën e tij “Këngë kushtrimi” në një rresht të saj shkruan në gjuhën greke: ““Βyλγαροι, κι Αρβανιτις, Αρμενος, κι Ρομιο, Αραπιδες”, që në shqip do të thotë: bullgarë, shqiptarë, armenë grekë, arabë. Pra, në poemën e Rigas Fereos, grekët e sotëm, njiheshin romei, kurse shqiptarët me emrin arvanitis.
Është e vërtetë që shumë herë arvanitasit ortodoksë u përplasën me arvanitasit myslimanë dhe luftuan kundër njëri-tjetrit, pra, ishte një luftë fetare. Arvanitasit ortodoksë i luftonin arvanitasit myslimanë sikur të ishin turq dhe jo arvanitas, ndërsa arvanitasit myslimanë, i luftonin arvanitasit ortodoksë sikur të ishin grekë dhe jo arvanitas. Shumë dekada më parë, mbizotëronte pikëpamja se arvanitasit në Greqi janë një racë e ulët. Për mohimin e ndihmesës së arvanitasve në krijimin e shtetit grek, fillimisht u mohua raca, gjuha shqipe dhe çdo dorëshkrim i vjetër shqip i shkruar me shkronja greke u konservua, për të mos dalë më kurrë dhe për t’i mbuluar përgjithmonë pluhuri i harresës.
U hodh baltë mbi disa figura të shquara heroike të kryengritjes greke të vitit 1821, që ishin arvanitas, pra, shqiptarë, duke i quajtur tradhtarë, duke i burgosur dhe shumë prej tyre u vranë në pabesi mbas themelimit të shtetit grek. Kështu, ata politikanë dhe historianë grekë, që hodhën baltë mbi disa figura të shquara arvanitase të 1821-shit, kërkonin që t’i prisnin rrënjët arvanitase në Greqi. Por nuk ia arritën këtij qëllimi dashakeq, sepse jeta historike, politike dhe kulturore greke nuk ka kuptim pa qenien e racës shqiptare në Greqi.
Është fakt, tashmë nuk mund të diskutohet edhe pse deri tani pjesërisht ishte fshehur që 90 ndër 100 heronjtë e kryengritjes së vitit 1821 ishin arvanitas. Që arvanitasit mbajtën peshën kryesore të luftës nacionalçlirimtare të 1821-shit, përveçse ishin pjesa dërmuese e popullsisë në Greqi në periudhat e kryengritjes, mund të shpjegohet edhe nga fakti që arvanitasit ishin një popull luftarak, krenaria e të cilit nuk mund të lejonte poshtërimet e skllavërisë.
Disa nga arvanitasit heronj të kryengritjes së vitit 1821 ishin: Gjeorgjio Kundurioti, Kiço Xhavella, Andoni Kryezi, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Dhimitër Vulgari, Kostandin Kanari, Gjeorgjio Karaiskaqi, Odise Andruço, Andrea Miauli, Teodor Griva, Dhimitër Plaputa, Nikolao Kryezoti, Athanasio Shkurtanioti, Hasan Bellushi, Tahir Abazi, Ago Myhyrdani, Sulejman Meto, Gjeko Bei, Myrto Çali, Ago Vasiari dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë.
Arvanitasit janë krijuesit e çetave të komitëve nën pushtimin turk, që ruajtën jo vetëm të vërtetën e mosnënshtrimit dhe liridashjes, por edhe të kulturës, të zakoneve të lashta, muzikës, valleve dhe këngëve popullore të tyre. Më 1674-n, konsulli anglez në Athinë, Zhan Zhiroj, thoshte se: “Kleftët e fushës si këtu (në Atikë) ashtu edhe në More, janë të gjithë arvanitë”.
Revolucioni grek i 1821-shit është vepër në të vërtetë e arvanitëve. Madje shteti që u krijua mbas vitit 1821 pothuajse shumica e banorëve flisnin në Greqi gjuhën shqipe. Dhe ka qenë fama shqiptare që i ka detyruar grekët e sotëm të pranojnë fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Për nder të trimërisë së heronjve shqiptarë, grekët morën kostumin kombëtar shqiptar që vishej nga Kosova e deri në Peloponezi dhe e bënë të tyrin.
Nikolla Kriezoti (1785-1855) është figura më e madhe revolucionare e Eubesë. Ai e ka prejardhjen nga fshatrat arvanitas të Karistas. Revolucioni në Eube ishte ndeshje midis arvanitasve të krishterë dhe arvanitëve myslimanë. Dhe, nëse nga ana e arvanitasve të krishterë shquhej Kriezoti, nga ana e arvanitëve myslimanë shquhej Alizoti. Është gjithashtu fakt se veprimtaria revolucionare në Eube u kufizua në ato zona ku ka arvanitë, d.m.th. në Eubenë jugore, në boshtin Halkidha-Kimi. Kriezoti mori pjesë në betejat më të rëndësishme të Rumelisë dhe të Eubesë, por pas çlirimit filloi ndjekja e këtij heroi, që u burgos, dhe përfundimisht u detyrua të vetizolohet në Turqi, në Stamboll dhe në Prusha, ku vdiq. Ironia tragjike e tij, që gjeti strehim te turqit heronj të 1821-shit, pas çlirimit, ishte një rregull pikëllues.
Thanas Shkurtanioti (1793-1825) ishte nga Dervenohori prej Shkurtës. Vetëdjegia e Thanas Shkurtaniotit në Shën Sotira të Mavromatisë së Thivës më 26.10.1825, ishte një ngjarje më heroike dhe tragjike e revolucionit.
Që ditët e para të revolucionit në Beoti, Thanasi bëhet prijës i Dervenohorëve dhe tmerron turqit e Beotisë, të Atikisë dhe Peloponezit. Pak kohë më pas, nga bëmat e fillimit kapedan Thanasi merr mbiemrin Shkurtanioti nga emri i vendlindjes së tij.
Më 1825-n, ai mbyllet me 70 trima në manastirin e Shën Sotirës të Mavromatit, duke përballuar 800 turq këmbësorë dhe kalorës. Me vënien zjarr të manastirit të gjithë luftëtarët arvanitas do të vetëflijoheshin duke u djegur të gjallë. Kjo ngjarje, kjo djegie për së gjalli, zhyti në zi dhe dëshpërim gjithë Beotinë, sepse humbi një prijës heroik, pa ndonjë shkak me peshë për t’u flijuar në këtë rast.
Admirali i madh Andrea Miauli (1769-1835) ishte bir i Dhimitër Bokut ose Voku me prejardhje nga Eubeja. Një stërgjysh i Andreas e ndërroi mbiemrin nga Boku në Miauli. Duke marrë për mbiemër emrin e anijes “Miauli”, ku ai punonte me vite të tëra. Andrea Miauli lindi në ishullin e Hidrës dhe që në rini ishte pirat. Një herë një anije pirate malteze i mbytën anijen, babai i tij në vend të fjalëve ngushëlluese, e vuri përpara duke i thënë: “Mbaru që këndej, kjo është kasandi jot! Tjetër herë të më dëgjosh!”. Natyrisht që flisnin në gjuhën amtare arvanitika (shqipen) si shumë heronj të Revolucionit të 1821-shit. Ishte tmerrësisht sedërli, “kokë shqiptari” klasike, dhe përveç bëmave në beteja detare, i kushtoheshin një numër i madh historish me interes. Në vitin 1822 Andrea u zgjodh komandant i flotës detare të ishullit Hidra. Revolucionit të 1821-shit Andrea Miauli i fali 250 000 franga floriri dhe tri anije luftarake. Miauli ishte një njeri i thjeshtë dhe trim. Dinte të fliste gjuhën e mëmës arbërishten dhe anglishten.
Gjuhën greke nuk e dinte dhe mësoi të shkruante greqisht vetëm emrin e tij kur u bë admiral. Ai nuk pranoi shumë dekorata dhe privilegje. Kështu nuk pranoi dekoratën “Kryqi i Legjionit të Nderit” të dhënë nga mbreti i Francës Karli i 10. Kryetari i parë i Greqisë arvanitasi Kapodistria dhe disa drejtues politikanë më 1827-n do t’ua hiqnin Miaulit komandën e flotës detare dhe do t’ia jepnin aventurierit anglez Kohran, gjë që Miauli e pranoi dhe është ruajtur një letër e nënshkruar prej tij. (Por ka dyshime që atë letër të mos ta ketë nënshkruar kurrë Miauli.) Admirali i madh Miauli mbas dorëheqjes u kthye në kapiten i thjeshtë i anijes së tij. Miauli vdiq më 21.7.1835, dhe u varros në Pire. Zemra e tij është ruajtur në një kuti argjendi në Ministrinë Detare Greke.
Plaku i Moresë, Teodor Kollokotroni (1770-1843) u lind më 3 prill 1770 poshtë një peme në Mesininë e vjetër. Që në rini u bë kaçak nëpër male. Gjithë jeta e Kollokotronit rrjedh midis arvanitasve, qofshi myslimanë apo të krishterë. Kollokotroni ishte bërë vëlla me të krishterin, Marko Boçarin, dhe me një mysliman Ali Farmaqin. Ushtarët e Kollokotronit ishin arvanitas ose nga Morea, ose nga Çamëria. Epiteti “Kollokotron” është përkthimi i saktë i shprehjes arvanitase “Byth-Gura” dhe iu dha së pari gjyshit të tij, Janit. Mbiemri i vjetër është Çergjini, që edhe kjo është fjalë arvanitase e përbërë nga fjala Çer = i zgjuar, djall me forcë mendje dhe nga emri i përhapur arvanitas Gjin. Çer + gjin = Çergjin.
Fisi i madh arvanitas i Kollokotronajve kishte bërë vëllazërim me fisin arvanitas mysliman të Farmaqëve. Kështu, dy vëllezërit arvanitas me fe kristiane dhe myslimane, Teodor Kollokotroni dhe Ali Farmaqi, kishin menduar të luftonin për realizimin e një mbretërie të bashkuar greko-shqiptare me flamurin e përbashkët me gjysmë hëne dhe kryqin. Kuvendi i mbretërisë së përbashkët do të kishte 12 deputetë myslimanë dhe 12 deputetë të krishterë me barazi të plota. Teodor Kollokotroni dhe Ali Farmaqi shkuan edhe në Arbëri dhe grumbulluan mbi 3000 mijë ushtarë myslimanë që i sollën në Greqi për të luftuar kundër osmanëve turq. Dëshira ishte që të formohej një shtet i fuqishëm greko-shqiptar në Ballkan. Por i gjithë plani dështoi si pasojë e mospërkrahjes së kësaj ideje nga ana e Anglisë dhe Francës. Kur nisi kryengritja greke e 1821-shit, Kollokotroni ishte 50 vjeç me flokë të bardhë dhe të gjatë që i binin mbi supe. Ai vishej me veshjen kombëtare arvanitase me fustanellën e gjatë poshtë gjurit. Në kryengritjen e 1821-shit u vranë 12 burra nga fisi i dëgjuar i Kollokotronajve. Një ndër ta rdhe vëllai i Teodorit, Jani Kollokotroni, i cili ishte strehuar në Manastirin Dimicana. Murgu i Manastirit e spiunoi Janin te turqit, të cilët e vranë. Për mosmarrëveshje me qeverinë greke në vitin 1824 Kollokotronin e burgosin në ishullin e Hidrës dhe kërkonin dënimin e tij me vdekje. Në kujtimet e tij Kollokotroni, me të drejtë do të thotë: “Më vunë 9 muaj burg, pa parë askënd, përveç gardianëve. Kaq muaj nuk e dija ç’ndodhte jashtë, kush vdes, kë tjetër kanë burgosur. Nuk e dija përse më kishin burgosur. Kurrë nuk besoja se do të arrijnë në këtë shkallë të sajojnë dëshmitarë të rremë...”
Avokati mbrojtës Klonari, tha në fjalën e tij:
“Deri kur zotërinj gjykatës do të vazhdoni këtë sulmim barbar?
Deri kur përndjekja e pamëshirshëm kundër atyre që çliruan, i ngritën lavdinë dhe vazhdojnë t’i japin shkëlqim Greqisë...?”
Por, mbas disa muajsh, kur Ibrahim Pasha i Egjiptit zbarkoi në More, Teodor Kollokotronin e nxjerrin me falje nga burgu dhe e shpallën kryekomandant të ushtrisë greke. Teodor Kollokotroni u vra në pabesi në vitin 1843.
Kostandin Kanari (1790-1877) është zjarrvënësi i anijeve, legjendar, bëmat e të cilit frymëzuan piktorë e poetë, grekë dhe të huaj të tjerë, lindi në ishullin Psara në vitin 1790. Fisi i Kanarëve e kishte prejardhjen nga Himara, që andej shkuan në Pragë, e në vazhdim, atje ku mërgonin shumë arvanitas në vitet e pushtimit turk, në Itali dhe konkretisht në Gjenovë. Nga Gjenova një degë e fisit shkoi dhe u vendos në Korsikë. Ikja e parë e Kanarëve nga Epiri mendohet të jetë rreth viteve 1320. Deri sot gjenden pasardhësit e atij fisi në Gjenovë dhe në Korsikë. Shumë prej Kanarëve kanë pasur tituj të lartë fisnikërie. Një emblemë nga prindërit e vetë zjarrvënësit të famshëm që i përkiste paraardhësit Korsikan Teodori Kanari është e njëjtë me emblemën e italianit të madh revolucionar Xhuzepe Garlibarlit, i cili ushtria e tij revolucionare përbëhej nga arbëreshët e Italisë qendrore.
Pra, dikush nga soji i arvanitasve Kanaras të Korsikës, tok me arbërorët e tjerë, nuk dihet për ç’shkak u vendosën në shkëmbinjtë e portit të Psarës dhe nga këtu Kanarët e kanë prejardhjen zjarrvënësi i anijeve.
Bëma më e madhe e Kanarit është djegia e Fregatës turke në portin e Hios më 7 korrik 1822. Kjo bëmë ishte në një mënyrë shpagimi i grekëve për shkatërrimin e Hios dhe kjo djegie pati jehonë ndërkombëtare. Me djegien e Fregatës turke u vranë rreth 2000 turq. Si dhe shumë heronj të tjerë arvanitas të Revolucionit të 1821-shit, edhe Kostandin Kanari u kërcënua shpeshherë nga kundërshtarë politikanë grekë me vdekje.
Poeti i madh Viktor Hygoi i frymëzuar nga guximi i tij ka shkruar disa poezi për heroin arvanitas Kanarin.
Konsulli francez në Janinë, Pukëvili, do ta quante Kostë Kanarin “Njeriu më i guximshëm i shekullit XIX”. Kanari ishte njeri i thjeshtë, që shkonte me krenari drejt betejës së luftës kundër armikut. Ai me zjarrvënien e anijeve turke zhduki mbi 8000 mijë ushtarë turq. Turqit kur dëgjonin emrin e tij tmerroheshin. Kostandin Kanari ishte deputet i ishullit Psara më 1827-n në Asamblenë Kombëtare Greke dhe u bë ministër e Kryeministër i Greqisë. Vdiq në pleqëri të thellë në Kipseli të Athinës më 3.9.1877.
Dhimitër Pllaputa (1786-1864), gjenerali i dashur i Teodor Kollokotronit, ishte bir i Kolë Pllaputës, që e nisi nga Trifilua më 1750-n për të banuar në fshatin Pallumba të Gordinias. Pallumbën e themeluan arvanitasit me dyndjet e para të shekullit XV me fise mbizotëruese Kolietë dhe Buetë. Pllaputasit ishin arvanitas të krishterë që kishin luftë të zgjatur me fqinjët myslimanë dhe bashkëfiset e tyre, Laliotët. Megjithëse në ballë të prishjes së Llallës, Pllaputët dhe veçanërisht Dhimitër Pllaputa, ndihmoi arvanitasit myslimanë që të braktisnin turqit bashkëfeas, të kalojnë nga Morea në Rumeli e në Epir, duke u ndeshur me Londeasit, dhe për t’u ruajtur besa, që i kishte dhënë ai dhe Kollokotroni arvanitasve myslimanë.
I mbeti besnik deri në fund Kollokotronit dhe ndau me të mundimet e gjyqit të bujshëm dhe të burgut. Vdiq në korrik 1864-n dhe u varros në Pallumba.
Gjenerali Teodor Griva (1799-1862), bir i Drako Grivës, e ka prejardhjen nga fisi më i madh i arvanitasve në oborrin e Ali Pashë Tepelenës dhe në vazhdim mori pjesë në shumicën e betejave të Rumelisë. Pas çlirimit u përzje me politikë dhe gjithë jeta që pasoi ishte e trazuar. Më 1854-n bëhet prijës i një bashkimi arvanitas më të shumtit luftëtarë të 1821-shit ose bijtë e tyre dhe me djalin e vet Dhimitrin, marshojnë me qëllim që të çlirojnë Shqipërinë nga turqit. Kjo lëvizje dështoi me ndërhyrjen e fuqive të mëdha perëndimore dhe veçanërisht të Francës. Në vitet e më pasme i vë qëllim vetvetes rrëzimin e mbretërisë dhe themelimin e Republikës Presidenciale. Në tetor të 1862-shit, me 7000 burra vjen nga Bomica në Mesogji, duke shpërndarë autoritetet. Qeveria e përkohshme në Athinë dërgoi Venizelo Rufon dhe Emanuil Delijorgjin t’u japin medaljen e gjeneralit, por ishte për vdekje në krevat ku vdiq nga pneumonia më 24.10.1862.
Gjeorgji Karaiskaqi (1782-1827) lindi në fshatin Mavromat të Agrafës dhe që në fëmijëri vuante nga sëmundja e mushkërive. Kryelegjendari heroik i Rumelisë, është nga fara e Llalla-Jorgjit të Kënetës së Poshtme. Djalë i Jorgji Llallës ishte Dhimitër Llalla Isko, që bënte pjesë në ajkën e trimave të Ali Pashait. Dhimitër Isko përdhunon Zoinë, të venë e Janaq Mavromatioti, dhe e njohur e Ali Pashait, e cila, përpara përdhunimit ishte murgeshë. Zoia mbas lindjes së djalit, të cilin e quajti Gjergj dial i Dhimitër Llalla Iskos u largua nga manastiri për të jetuar në vendlindjen e saj. Në moshën të rritur Gjergji u pagëzua i krishterë nga Ndre Karaisko, i cili i dha mbiemrin e tij Karaiskaqi. Gjergj Karaiskaqi ishte kaçak kur u kap rob nga ushtarët e Ali Pashë Tepelenës. Ali Pashai i fali jetën Gjergj Karaiskaqit, të cilin e bëri njërin nga njerëzit më të besuar të tij.
Në vitin 1824 qeveria greke në gjyqin e Mesollogjis e shpalli tradhtar Gjergj Karaiskaqin duke i hequr të gjitha gradat, por në vitin 1826 u fal, dhe kështu fitoi përsëri vendin e tij në ushtri. Ishte në kulmin e forcës dhe të lavdisë. Por koka e tij ishte pjekur mjaft për të rënë nga plumbat e tradhtisë. Kështu, Asambleja e Tretë e Përgjithshme në prill të vitit 1827 i heq drejtimin e ushtrisë çlirimtare të Greqisë Kontinentale Gjergj Karaiskaqit, duke ia dhënë anglezit Riçard Xhons. Gjatë betejës që u zhvillua në rrethimin e Akropolit, Karaiskaqin e plagosin rëndë në rrethana të dyshimta në pabesi. Kështu, më 23 prill 1827 vdes dhe e varrosin në Lefsinë. Vdekja e Gjergj Karaiskaqit ishte një humbje e madhe për kryengritjen greke të vitit 1821. E vranë duke vënë gjithçka në rrezik, për të njëjtin shkak që vranë Odise Andruçon.
Luani i Rumelisë, Odise Andruço (1790-1825), ishte biri i të famshmit kryekomitit Andrea ose Andruço Verushi, nga Livanti i Lokridhës. Odisea lindi në Prevezë në vitin 1790. Kur Odisea ishte 4 vjeç, babai i tij vdes në burg nga torturat e turqve në Stamboll. Ali Pashë Tepelena, mik dhe bashkëluftëtar i babait të tij, e mori pranë pas vdekjes së Andruços Verushit. Në oborrin e Ali Pashës, Odisea kishte të tillë pozitë që nuk e kishin as djemtë e Aliut. Ai i shërbeu me besnikëri dhe krenari Ali Pashë Tepelenës. Ndihmoi Ali Pashën në të gjitha luftërat e tij kundër turqve dhe kundër suliotëve e kardhiqotëve. Por lidhja e ngushtë e Odisesë me Ali Pashën do ta dëmtonte shumë mbas disa viteve.
Ishte frymëzuesi i Këshillit të kapedanëve të Rumelisë që kishin qëllim bashkimin e Greqisë pa dallim feje dhe mbështetej tek Ali Pasha në luftën e tij kundër turqve. Këtë politikë Odisea u përpoq ta diktojë edhe pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës gjatë luftës për çlirimin e Greqisë dhe kjo i kushtojë jetën dhe akuzën si “tradhtar”.
Në vitin 1821, Odise Andruço ishte Komandant i Përgjithshëm i Greqisë Lindore me gradën Gjeneral, por nga mesi i vitit 1822, ai jep dorëheqjen me nder si Komandant i Përgjithshëm për arsye se nuk shihej mirë nga kundërshtarët e tij.
Bëma që e bënë Odise Andruçon si figurë të 1821-shit është qëndresa e tij në Hanin e Grabies. Odisea kishte një mendje politike dhe ushtarake të zgjuar, që vlerën e tij e njihnin të gjithë kapedanët e Rumelisë, dhe e konsideronin udhëheqësin e tyre të natyrshëm. Odisa Andruço u vra me urdhër të politikanit grek Koletit. Odisea kishte shumë popullaritet të madh, gjë që nuk shihej me sy të mirë nga disa politikanë grekë.
Shkuan shumë vite derisa figura heroike e Odise Andruços u vlerësua drejt, sepse autorët moralë të vrasjes së tij e kishin paditur tradhtar të atdheut. Tradhtia e tij ishte, sepse donte bashkimin e grekëve dhe të shqiptarëve për të luftuar kundër armikut turk.