Ministria e Kulturës ka propozuar regjisorin Hervin Çuli për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Sipas një njoftimi për shtyp të ministrisë, Çuli përmbush kërkesat e përgjithshme për t’u punësuar në këtë post.
“Hervin Çuli përmbush kërkesat e përgjithshme për t’u punësuar në shërbimin civil e gjithashtu, edhe kërkesat e veçanta, të shpallura nga ministria në media dhe uebfaqen e Ministrisë së Kulturës”, shkruan njoftimi i ministrisë. Më tej, ministria sqaron edhe procedurat e përzgjedhjes së kësaj kandidature.
Kështu, Ministria e Kulturës vlerëson se Hervin Çuli ka paraqitur një platformë për drejtimin e Teatrit Kombëtar, e cila është në përputhje me objektivat artistike, kulturore dhe administrative të kërkuara për këtë post.
Në garë me Hervin Çulin ishin edhe dy kandidaturat e tjera, ajo e Laert Vasilit dhe Edmond Budinës. Në një prononcim për median vizive, ai tha se: “Tashmë nis një sfidë e madhe, ku do të tregoj se sa di të bëj. Do të monitoroj ambientet e punës për të krijuar kushte dhe për të ndërtuar një teatër me standarde europiane. Nuk do të ketë më aktorë që marrin rrogën dhe nuk punojnë, nuk do të ketë aktorë që futen me miqësi dhe politikë, por do të ketë audicione për çdo rol”.