Heshtja e te rriturve dhe indiferentizmi i te rinjve

Heshtja e te rriturve dhe indiferentizmi i te rinjve
Fatos Lubonja komenton mungesën e brezit të ri në diskutimin për të kaluarën. "Ata janë vazhduesit e kësaj kulture: të ambiguitetit, të heshtjes, të gjuhës së dyfishtë."

Dënimi i krimeve të komunizmit dhe rehabilitimi i viktimave, ka dështuar, thotë Adrian Kati një drejtues shoqate që "hulumton të kaluarën". Të majtët thonë edhe po s'patët vdekur, për të vdekur keni, kurse të djathtët na kanë vjedhur persekutimin. Sot në Shqipëri, kjo është forma më e njohur e interpretimit të të drejtave të një ish të dënuari politik, por edhe të ish të dënuarve që rrinë akoma nën hijen e të burgosurit politik.

S'kemi bërë vlerësimin e disidentëve të vërtetë, hidhini një sy teksteve të shkollave. Aty kundërshtarët e regjimit duken si një grup njerëzish që papritur hynë në telashe. Po si dhe nga mendoni duhet nisur dënimi i krimeve të komunizmit? "Nga dënimi i Enver Hoxhës dhe heqja e dekoratave që i janë dhënë."

Ai që po flet s'po bën humor dhe ai që po dëgjon s'po vë buzën në gaz. Në këtë situatë nuk ka humor. Dyshja që bën këtë dialog i ngjan një dysheje njerëzish të ngeshëm të provincës që flasin duke ecur, e ndalen për pak, ec e ndal, ec e ndal deri sa hijet e tyre dalin nga horizonti. Ka ndonjë takim kohë pas kohe në nivel universitarësh dhe të shoqërisë civile që kujton diskutimi i së shkuarës komuniste vuan shpesh nga folklorizmi i ngjarjeve dhe personazheve të saj.

Seminari "Pasojat e diktaturës - Trajtimi i shtypjes dhe mësimet që nxjerrim prej saj", organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer" në bashkëpunim me Universitetin e Jenës në Gjermani dhe Universiteti i Tiranës, u bë me këtë qëllim: përballja me të kaluarën nëpërmjet hulumtimit shkencor të fakteve krimeve dhe pasojave të diktaturës komuniste. Në seancën "Kundërshtia politike, kultura dhe letërsia e nëndheshme" foli Fatos Lubonja si përfaqësues i shoqërisë civile dhe si ish i dënuar politik.

Fjala e tij "Asfiksim në embrion - ata që mendonin ndryshe në Shqipërinë komuniste", është vazhdim i një diskutimi të gjatë që Lubonja ka ndjekur me publikun dhe lexuesin përgjatë gjithë njëzetvjeçarit pas rënies së diktaturës. Autori i "Në vitin e shtatëmbëdhjetë", "Ridënimi" dhe drejtuesi revistës "Përpjekja" vazhdon dialogun për disa pyetje që marrin shkas nga diskutimi i djeshëm.


Çfarë i zhvlerësojnë apo sa i ndihmojnë takime si këto reflektimit për diktaturën?

Në rastin konkret ajo që më mua më shqetëson është që iniciativat për këto lloj takimesh merren nga të huajt, vjen një input nga jashtë. Shoqëria shqiptare ka pak shqetësim të brendshëm për t'i organizuar vetë këto.

Por nga ana tjetër pozitive është që gjithsesi mbahet gjallë një diskutim, konfrontohen përvojat midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Gjithsesi unë bëj pjesë ndër ata që mendojnë se shoqëria shqiptare merret shumë cekët, me shumë indiferentizëm herë pas here, ose me një lloj instrumentalizimi politik me këto tema. Ai që mund të quhet katarsis i vërtetë për të cilin kemi nevojë, dhe këto do të ishin instrumente që do të ndihmonin për katarsis, ende nuk është plazmuar siç duhet. Elita në pushtet mbrohet nga e kaluara më shumë se sa tenton të merret me të me sinqeritet, pa manipulime pushteti, për t'u bërë të rinjve më të kuptueshme gjithë atë që ka ndodhur ato 45 vjet. Për të kuptuar se nga vijmë edhe pse jemi kështu.

Sot është rast i veçantë, marrin pjesë të rinj që zakonisht mungojnë në këto takime. Si e shikoni fatin e historisë të kësaj periudhe të projektohet tek brezi i ri?

Kur gjykojmë të rinjtë e para e punës duhet të shikojmë vetveten, sepse të rinjtë janë produkti ynë. Flas për një brez që s'është më i ri tani. Nëse shohim një indiferentizëm të të rinjve, kjo vjen për shkak se ne nuk e kemi bërë si duhet punën tonë. Pse nuk e kemi bërë, është njëra gjë që tentova ta them një çikë më lart. Mosinteresimi i të rinjve për të kaluarën në tërësi, është pikërisht produkti i heshtjes së të rriturve për të kaluarën. Mënyra se si i jemi qasur ne si të rritur asaj të kaluare, me ambiguitetin, me gjuhën e dyfishtë, me heshtjen ndaj shumë gjërave, me heshtjen ndaj përgjegjësive tona, u është transmetuar të rinjve dhe në njëfarë mënyre ata janë vazhduesit e kësaj kulture: të ambiguitetit, të heshtjes, të gjuhës së dyfishtë.

Më ka bërë përshtypje një moment para disa vitesh. Anri Sala realizoi një film, "Intervista" quhej. Ishte një përpjekje që bënte një i ri për t'i pyetur prindërit: çfarë ishit, çfarë keni bërë, për të ngritur një pikëpyetje mbi të kaluarën.

Ajo që më ka bërë përshtypje ishte që e ëma donte që ky film të bëhej, sepse i biri me këtë mund të kishte sukses në Perëndim. Por nuk donte që filmi të shfaqej këtu, sepse dëmtonte figurën e vet.

Dhe ky film nuk u shfaq në salla, nuk u bë objekt debati, ndërkohë që vazhdoi një rrugë të suksesshme jashtë.m Fakti që i njëjti artist vjen dhe bën reklamë për pushtetin (e kam fjalën për filmin mbi lyerjen e fasadave) nuk kërkoi të shikojë se ç'bëhet mbrapa fasadave në këtë shoqëri, është një vazhdimësi e asaj kulture, e fasadës që duhet të ruajmë. Për fat të keq.

Çfarë trajton diskutimi juaj i sotëm, "Asfiksim në embrion..."?

Asfiksia që në embrion tenton të shpjegojë radikalizmin e regjimit shqiptar, pse mbeti stalinist deri në fund regjimi shqiptar. Sepse një nga karakteristikat e stalinizmit është terrori shumë i fortë që do të thotë, edhe eliminimi që në rrënjë e çdo përpjekje për disidencë, nëse mund ta quajmë kështu, që lidhet me dy gjëra: me lavazhin e trurit më të madh se sa në çdo vend tjetër, që i takon ideologjisë si instrument pushteti dhe me represionin me të fortë se sa në çdo vend tjetër, pra me goditjet, nëpërmjet terrorit që sintetizohej në një thënie të famshme të Enver Hoxhës: Kush ngre gishtin do i presim dorën, kush ngre dorën do i presim kokën.

2009-2011 përvjetori njëzetë i rënies së Murit të Berlinit dhe fundi i diktaturës në Shqipëri. Dhe prapë duken propagandë sloganet e sotme për dënimin e krimeve të komunizmit. Kjo ka të bëjë me instrumentalizimin politik që nuk i shërben asaj që është esenciale për mua: katarsisi i vërtetë. Ka një thënie të vjetër latine sipas së cilës e mira përcaktohet nga qëllimi pse t'i e bën, nëse ti ke një qëllim të mirë ajo është e mirë. Kurse kur një akt në dukje i mirë instrumentalizohet për qëllime pushteti, politike, për qëllime dhe korrupsioni, nuk është i mirë e komprometon atë.

Për fat të keq në Shqipëri kjo ndodh. Kur qëllimi pse, supozojmë, flitet për një prokuror që paskej qenë prokuror i komunizmit, nuk është për të dënuar krimet e komunizmit, por se ky prokurori sot mund të ishte edhe prokuror i gjyqit të Gërdecit, fjala vjen. Në këtë moment qëllimi i mirë kompromentohet.

Këtu nga njëri prej studiuesve gjermanë u fol për historinë e asimilimit gjatë komunizmit të minoriteteve. A keni histori të ngjashme me ato që dëgjuat për arumunët sot?


Këtu u harrua të thuhet një gjë e rëndësishme. Ideologjia e pushtetit të Enver Hoxhës nuk ka qenë thjesht komunizmi, por nacional-komunizmi. Shteti shqiptar në periudhën e Hoxhës ka njohur edhe periudhën e formimit të miteve të nacionalizmit shqiptar, të identifikimit të shqiptarëve dhe të ndërtimit të asaj që quhet shqiptaria si identitet shqiptar. Dhe ky proces ka qenë tejet homogjenizues. "Feja e shqiptarit është shqiptaria", si thuhej me fjalët e Vaso Pashës, eliminoi fetë në emër të shqiptarisë.


Në këtë kuptim identifikimi i të gjithëve me këtë shqiptari, nënkuptonte edhe eliminimin e identiteteve të tjera. Ka rezistuar më shumë minoriteti grek për arsye se ishte shteti grek që bënte presion. Politikat homogjenizuese kanë qenë shumë të forta edhe ndaj vllehëve e sllavëve. Presioni, atmosfera, mungesa e shkollës, bënte që një pjesë e tyre të ndiheshin më mirë duke "harruar" identitetin e mëparshëm. Por ky është një fenomen që ka ndodhur në jo pak vende, e kanë bërë shtetet kombe në formimin e tyre "Kanibalizëm kulturor" e quan Levi Strauss.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama