Drejtuesit e kishës së “Shna Ndout” në Laç, institucion ky fetar i njohur në gjithë vendin kanë denoncuar në prokurorinë e Kurbinit një ndërtim të paligjshëm, që po bëhet në territorin e kësaj kishe. Ata kanë referuar në prokurori se persona të panjohur kanë filluar ndërtimin e strukturave të drurit dhe betonit brenda territorit të kishës në mënyrë të paligjshme dhe pa asnjë leje nga organet kompetente. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit penal, prokuroria e Kurbinit ka nisur procedimin penal për ndërtim të paligjshëm në territorin që është në pronësi të kishës së “Shna Ndout” Laç.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se ky hetim është nisur në bazë të informacionit të mbërritur nga drejtues të këtij institucioni fetar. “Në bazë të materialit të dërguar prej Rektorit të Kishës së Shna Ndout, në territorin e këtij objekti, subjekte private kanë nisur të ndërtojnë struktura druri dhe betoni, të cilat cënojnë të drejtën e pronësisë, si edhe mund të bëhen shkak për probleme të tjera më të rënda”- thuhet në një njoftim për shtyp të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Pas verifikimeve të kryera nga ana e prokurorisë është vendosur regjistrimi i procedimit penal fillimisht pa autor deri në sqarimin e plotë të rrethanave në të cilat është kryer ky ndërtim.
“Nisur nga ky shqetësim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka vendosur regjistrimin e procedimit penal, bazuar në nenin 199/a të Kodit Penal, “Ndërtimi i Paligjshëm”- tha prokuroria. Për rastin konkret është interesuar edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla i cili ka kërkuar nga drejtuesit e prokurorisë së Kurbinit që kjo çështje të ndiqet me përparësi. “Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin të ndjekë me përparësi këtë rast, nisur nga fakti se ky objekt fetar ka një ndjeshmëri të lartë në një komunitet të gjerë qytetarësh shqiptarë”- përfundon deklarata për media e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.