Nga kqyrja parapake me sy të lirë e dokumenteve të sekuestruara dje në Repartin X të Thesarit të Shtetit, janë vërejtur disa parregullsi në procedurat strikte që duheshin ndjekur nga punonjësit e akuzuar deri më tani për vjedhjen e 713 milionë lekëve. Fakti konfirmohet për “Shekullin” nga burime pranë grupit hetimor që po merret me dosjen e një prej skandaleve më të rënda në financat shqiptare. Mëngjesin e djeshëm një grup oficerësh të Policisë Gjyqësore, të dërguar nga Prokuroria e Tiranës mësynë në Linzë, ku pas kontrollit në Departamentin e Emisionit të monedhës, siguruan marrjen e praktikave të punës në këtë repart. Mes dokumenteve të sekuestruara, sipas burime të lartpërmendura, gjenden kryesisht procesverbalet e praktikave të punës te Thesari, rregullorja e brendshme (e vjetra dhe e reja pas marsit 2014), dokumentet me kodet e sigurisë, firmosja e hyrje-daljeve të këtyre punonjësve, etj. Këto dokumente përbëjnë tashmë sekret hetimor dhe gjenden në zyrën e prokurorit Ramadan Troci, që po drejton hetimet, teksa po kqyren me imtësi të gjitha parregullsitë që vetë Banka e Shqipërisë pati konstatuar, në korrik të këtij viti, kur edhe denoncoi vjedhjen fillimisht nga Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, teksa më vonë listës së të arrestuarve i’u shtuan edhe 6 punonjës të tjerë.
Gjithashtu, janë sekuestruar edhe pamjet filmike në brendësi dhe jashtë këtij reparti. Ndërkaq, gjatë mëngjesit të djeshëm, për një pjesë të gjatë kohe, Policia e Shtetit, nuk lejoi policinë private të hynte në degën e thesarit, pasi në ditë normale këto shërbime hyjnë në godinë për të marrë para nga qendra dhe rishpërndarë tek bankat e nivelit të dytë. Pas dëbimit të shërbimeve të policisë private Efektivët e Policisë së Shtetit morën në mbikëqyrje lëvizjet e punonjësve të Repartit të Emisionit, deri në përpilimin e plotë të dosjes hetimore. Ndër dokumentet u sekuestruan nga policia gjyqësore përmenden ato që kishin për detyrë të firmosnin Bashkim Xhilaga, në cilësinë e përgjegjësit për arkën stok dhe në veprim në Qendrën e Emisionit. Ai duhej të rakordonte të gjitha veprimet për të verifikuar çdo ditë gjendjen e sportelit. Dy vartësit e tij, specialistët e arkës në veprim Petrit Ramohitaj dhe Liljana Tusha, gjithashtu kishin detyrë të rakordonin për çdo ditë gjendjen e sportelit.
Nga kqyrja parapake e dokumentacionit të sekuestruar dje rezulton se ata nuk i kanë ndjekur këto procedura për një kohë të gjatë. Të njëjtat burime theksuan se janë vërejtur pasaktësi dhe moskoordim të veprimeve të punonjësve të arkës stok, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, të kishin detyrë të ndjekin lëvizjet e vlerave monetare që lëvizin nga sportelet te magazinat, si edhe të mbanin nga një çelës për arkën stok e në fund të ditës ta dorëzonin në kasafortë. Mirëpo, rezulton se të trija kopjet e çelësave mbaheshin nga Ardian Bitraj, i cili ka përfituar nga ky lëshim, për të vjedhur shuma të mëdha lekësh, duke i fshehur në trup dhe më pas i nxirrte nga banka, ku e priste nipi i tij Klevis Bejtaj. Më pas kutitë nga ku ishin marrë paratë, mbusheshin me libra apo letra të tjera. Punonjësit e akuzuar për këtë veprim, thanë se çelësat ia kishin lënë në mirëbesim Bitrajt. Për këta punonjës të bankës që kishin për detyrë të rakordonin kartëmonedhat që hynin e dilnin nëpërmjet sporteleve përkatëse, nga verifikimi paraprak është vërejtur se këto veprime nuk janë bërë siç duhet. Prokuroria pretendon se ata kanë shkelur manualet përkatëse të Departamentit të Emisionit, të cilat rregullojnë punën e personelit të Bankës së Shqipërisë si dhe rregullojnë standardet e sigurisë.
Specialistë pranë grupit hetimor thanë për gazetën “Shekulli” se nga kqyrja paraprake e dokumenteve që u sekuestruan dje, janë vërejtur disa shënime që në pamje të parë duken si të korrektuara, ndonëse këto dyshime do t’i nënshtrohen verifikimeve. Gjithashtu, një anomali e dyshuar është vënë re paraprakisht në procesverbalet e hyrjedaljeve të punonjësve të bankës, sidomos gjatë orareve të lëvizjes së parave nga sportelet te magazinat. Sakaq, duket se prova më bindëse dhe më e qartë që ka në dorë prokuroria, mes materialeve të sekuestruara dje, është ajo e pamjeve filmike. Dhimitër Davidhi duhej të mbikëqyrte kamerat si dhe të raportonte çdo anomali. Mirëpo, paraprakisht dyshohet se ai i ka parë veprimet e Ardian Bitrajt, që mbushte thasë plastikë me kartëmonedha dhe shkonte në tualet ku i fshihte paratë në trup dhe nuk i ka raportuar. Përmes avokates Vjollca Pustina, ky punonjës është shprehur se nuk kishte si ta dallonte këtë kamuflim të Bitrajt dhe se nuk kishte dijeni për vjedhjen. Gjithçka nisi në 21 korrik të këtij viti, kur nga Banka e Shqipërisë u denoncuan 2 punonësit Bitraj dhe Bruzia, për vjedhjen e 600 milionë lekëve, ndërsa inventarizimi i 29 korrikut saktësoi se arkës i mungonin plot 713 milionë lekë.
"Lojërat për kapital politik, të papranueshme, inkurajojmë drejtësinë"
Dje, për herë të parë Partia Demokratike reagoi zyrtarisht, në lidhje me skandalin e vjedhjes së 7.13 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë, një ditë pasi lideri i saj historik reagoi në rrjetin social Facebook. Në këtë mënyrë PD-ja duket se po kërkon të distancohet nga njeriu që aq shumë ajo u mbështet gjatë kohës së qëndrimit të saj në pushtet. Përmes një njoftimi, PD tha se po ndjek me vëmendje hetimet dhe inkurajon organet e drejtësisë në punën e tyre për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi u shpreh se sistemi bankar ka nevojë të reformojë procedurat e sigurisë dhe përzgjedhjes së burimeve njerëzore.
Në deklaratën për shtyp Vorpsi tha se “Inkurajojmë organet e drejtësisë të kryejnë hetimet e plota dhe të gjithanshme dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit. Ky është një rast i rëndë, pas vjedhjes së floririt grabitësit godasin sërish. Sistemi bankar ka nevojë të reformojë procedurat e sigurisë dhe përzgjedhjes së burimeve njerëzore. Ne inkurajojmë organet e drejtësisë të bëjnë pa vonesë punën e tyre për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënien para përgjegjësisë penale dhe ligjore të përgjegjësve, pa përjashtim. Më tej, duke e cilësuar vjedhjen si “lojë për kapital politik” ajo theksoi se Banka e Shtetit është pjesë e sigurisë kombëtare dhe lojërat për kapital politik janë të papranueshme për PD-në. Ndërkaq edhe pse vjedhja e Bankës së Shqipërisë supozohet se ka ndodhur shumë kohë më herët, pikërisht gjatë qeverisjes së djathtë, PD-ja nuk foli në lidhje me këtë çështje.
ILDKPI heton pasuritë e zyrtarëve të bankës, ja pronat dhe llogaritë e Fullanit
Në sitë edhe pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë bankare të punonjësve të arrestuar për vjedhje dhe shpërdorim detyre
Pasuritë e Guvernatorit Ardian Fullani, familjarëve të tij, të gjithë drejtuesve të tjerë të Bankës së Shqipërisë dhe të punonjësve të akuzuar për vjedhjen, tashmë janë në hetim administrativ nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Përmes një deklarate për shtyp të bërë publike ILDKPI thotë se “Nisur nga ngjarja e rëndë, ndodhur në Bankën e Shqipërisë, Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Ganaj, ka urdhëruar nisjen e hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e pasurisë dhe të interesave private që prej vitit 2003, të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zv/guvernatorëve, Anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës si dhe të gjithë drejtuesve të tjerë të Bankës së Shqipërisë pa përjashtim. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshortët e tyre dhe fëmijët, si dhe personat e lidhur me ta”,- thuhet në deklaratën e ILDKPI- së.
Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar grupin hetimor të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit, medien dhe shoqërinë civile dhe kërkoi kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme. Ndër pasuritë e Ardian Bitrajt dhe Mimozia Bruzias, të arrestuarit e parë për vjedhjen, përmendet bllokimi i kompanisë “Eurostar”, e regjistruar në QKR, me ortak të vetëm biznesmenin Kujtim Bejtaj, kunatin e Bitrajt, me objekt zbatimin në fushën e ndërtimeve, montimit, projektimit, prodhimin e materialeve të ndërtimit, etj. Sakaq, po verifikohen edhe llogaritë bankare të Bitrajt dhe të familjarëve të tij si dhe po kontrollohen transfertat e mundshme jashtë shtetit. Për Bruzian është kërkuar verifikim në Hipotekë në lidhje me blerjen e një apartamenti banimi dhe një dyqani në rrugën “Ali Demi”, teksa po verifikohen llogaritë e saj bankare. Për punonjësit e tjerë të arrestuar procedurat sapo kanë nisur.
Pasuria e guvernatorit Ardian Fullani dhe e familjarëve, sipas deklarimeve të tij në ILDKP, rezulton të jetë disa milionëshe. Vetëm koleksionet e orëve të djalit të tij, Erikut shkonin në mijëra euro, teksa zyrtarisht Fullani, nga viti 2004 e deri në 2008-n deklaronte disa prona dhe llogarinë bankare në 165 mijë USD. Në 2009-n çifti Fullani ka blerë një tokë në Farkë të Madhe në Tiranë 3800 metra katrorë, me vlerë 220 mijë euro. Kanë prenotuar apartament banimi në malin e Robit duke shlyer 50 mijë euro. Kanë tërhequr 178 mijë USD nga një bankë, teksa në vitin 2011 bënë një kontratë sipërmarrjeje për apartament dhe garazh në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë. Rezulton se janë bërë edhe ortakë në një firmë private. Sakaq, ndodhen në verifikim e sipër pasuritë e të gjithë zyrtarëve të lartë të Bankës së Shqipërisë, për të cilët tashmë ka nisur edhe hetimi administrativ.
Banka e Shqipërisë zëvendëson të arrestuarit me njerëz të rinj
Drejtuesit e bankës njoftojnë se janë marrë masa për emërimet e reja pas shkarkimeve. Po koordinojmë veprimet me prokurorinë Që në momentin e denoncimit të vjedhjes e deri në ditët e sotme, Drejtuesit e Bankës së Shqipërisë kanë deklaruar se janë marrë masa, që të mos cenohet normaliteti i veprimtarisë së Bankës në Departamentin e Emisionit, si dhe në Departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes. Në njoftimin e saj, Banka e Shqipërisë shprehet se po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, për evidentimin e shkeljeve të akteve ligjore, që mundësuan krijimin e rrethanave për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës. “Banka e Shqipërisë është e vendosur për vënien përpara përgjegjësisë të çdo punonjësi që, me veprime dhe mosveprime, ka lejuar të ndodhë kjo ngjarje e rëndë.
Pas largimit nga detyra të drejtorit të Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku, në këtë detyrë është emëruar Stefan Sevo, i cili është drejtues me përvojë në Bankën e Shqipërisë”-thuhet në njoftimin e bankës. Më tej theksohet se të gjithë punonjësit e tjerë të këtyre njësive, të cilët kishin në ngarkim vlerat monetare, si dhe kontrollori mbikëqyrës, janë larguar nga puna, dhe pozicionet e tyre të punës sot mbahen nga punonjës të tjerë. Në departamentin e Sigurimit dhe të Mbrojtjes janë zëvendësuar dy operatorë monitorues, për të cilët është konstatuar se kanë shkelur rëndë detyrimet rregullative për ruajtjen dhe miradministrimin e vlerave monetare dhe materiale. Është emëruar gjithashtu drejtori i ri i Departamentit të Sigurimit dhe të Mbrojtjes, Ilir Mollaymeri. “Pas këtyre zëvendesimeve garantohet vazhdimësia e veprimtarisë normale të funksionit të emisionit dhe atij të sigurisë dhe mbrojtjes në Bankën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë vazhdon të mbajë të informuara të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar”-thuhet në njoftimin e bankës.
Avokatët penalistë i drejtohen politikës: Kush ka përgjegjësi të ndëshkohet
Një reagim tepër i ashpër, në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve, erdhi edhe nga Shoqata e Avokatëve Penaliste të Shqipërisë. Në këtë deklaratë, me një gjuhë tepër të ashpër thuhet se kjo shoqatë është kundër heshtjes së politikanëve të të dy ngjyrave për skandalin e vjedhjes së parave në Bankën e Shqipërisë.
“Kush ka përgjegjësi morale penale dhe profesionale duhet të ndëshkohet që nga Guvernatori "Babaxhan" i deputetëve e deri tek punonjësi me i thjeshtë”- thuhet në këtë reagim. Shoqata kërkon që organet e drejtësisë të angazhohen në një hetim serioz dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje.