Hetimi i ekzekutimit motori pa targa kalonte prej ditesh para policise

Hetimi i ekzekutimit, motori pa targa kalonte prej ditesh para policise

Sipas hetimeve mbi vrasjen e bankierit të njohur Artan Santo, motori pa targa prej dy javësh kalonte lehtësisht pranë institucioneve të itinerarit të përditshëm që Santo kryente nga banesa pranë Liceut Artistik, për në zyrën e tij në zonën e ish-bllokut, një rrugë kjo e pajisur me forca të policisë rrugore.

Në një mbledhje urgjente të kryesuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, dhe zëvendës drejtori Sokol Bizhga, njëherësh përgjegjës i departamentit të hetimit është bërë analiza e veprimeve policore dhe ecurisë së hetimeve për biznesmenin Santo. Sipas hetimeve, motori lëvizte prej dy javësh pranë institucioneve më të rëndësishme duke ndjekur bankierin Artan Santo. Ky fakt u pohua nga vetë shoferi i Santos, i cili deklaroi se motori i kishte ndjekur prej më se dy javësh.

Duke iu referuar kësaj dëshmie, motori pa targa prej dy javësh ka lëvizur lehtësisht pranë institucioneve të itinerarit të përditshëm që Santo kryente nga banesa pranë Liceut Artistik, për në zyrën e tij në bankën Credins në zonën e ish-bllokut.  Vrasësit kanë lëvizur me motor, pranë ambasadës amerikane, përballë Televizionit Publik Shqiptar dhe ambasadës italiane, përbri Ministrisë së Integrimit, Kryeministrisë, kryesisë së Kuvendit, Presidencës dhe institucioneve të tjera të rëndësishme shtetërore.

Janë kërkuar informacionet dhe raportet e Gardës së Republikës apo Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe arsyet pse ka mungesë informacioni, ndonëse motori i dyshimtë pa targa ka lëvizur pranë institucioneve të rëndësisë së veçantë, qofshin përfaqësi diplomatike të huaja, apo institucione të rëndësishme shtetërore. Gjithashtu janë kërkuar filmimet e kamerave të sigurisë për të parë nëse motori edhe në ditët e mëparshme ka lëvizur pa targa, dhe për të fiksuar veprimet e policisë rrugore që kanë për detyrë bllokimin e të tilla mjeteve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama