Pak kush e mendonte se dy muaj pas ardhjes së qeverisë së Edi Ramës në pushtet, në Shqipëri për herë të parë do të kishim një protestë pranë dyerve të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Dhe kjo demonstratë vjen kur vendimi për demontimin e armëve kimike në Siri nuk është marrë akoma zyrtarisht. Pavarësisht nga vendimi që do të merret të premten, demonstrata mbeti në histori dhe nuk e zhbën as shfajësimi racional që mund të bëjë vetë qeveria, amerikanët apo dhe shoqëria civile që nuk u ka shpëtuar ironive të Kryeministrit shqiptar.
E pamendueshmja ndodhi: një të martë ne u gdhimë antiamerikanë, pa dëshirën tonë, pa dëshirën e amerikanëve, po për shkak të pakujdesisë së qeverisë shqiptare, pakujdesisë së autoriteteve amerikane, për shkak të mbajtjes së dritave fikur të një historie demontimi që duhej të ishte ndriçuar me kohë. Është paradoksale, po u gdhimë antiamerikanë edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se nuk e kemi humbur akoma dashurinë për amerikanët. E marta e 12 nëntorit, fatkeqësisht, për marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-amerikane është një ditë historike, por negative.
Të martën e 12 nëntorit të vitit 2013 amerikanët humbën një thesar në këtë rajon: dashurinë e verbër, jo thjesht të 3 milionë shqiptarëve, por të 7 milionë shqiptarëve kudo që jetojnë. Europa Juglindore mund të jetë një rajon ku ka edhe qeveri proamerikane, por është tejet e vështirë të gjesh popuj proamerikanë. Dhe për të qenë të sinqertë, ishin vetëm shqiptarët. Sytë e amerikanëve fillojnë dhe dhembin kur drejtohen nga Greqia apo nga vendet e ish–Jugosllavisë, të cilat nuk i kanë ndërprerë akoma lidhjet e nëndheshme me Rusinë. Në të tillë situatë janë dhe Bullgaria apo Rumania. I vetmi vend ku sytë e amerikanëve nuk dhembin dhe kullosnin qesim ishte Shqipëria dhe Kosova, apo thënë troç, aty ku jetonin shqiptarë.
Tani mund të themi me plot gojën se në rajonin ku ne jetojmë nuk ka më popuj proamerikanë. Më 12 nëntor ranë përfundimisht dhe gjysmëlegjendat e vërteta të ish-presidentit Willson, që mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, dhe këtë dëm nuk mundet ta rikuperojnë më as kujtimet e freskëta të luftës dhe përpjekjeve historike që bënë amerikanët për të çliruar Kosovën. Tani kemi ardhur në atë shprehjen e vjetër shqiptare: “Doktori nuk të pyet asnjëherë si ke qenë, por të pyet si je”.
Pse dhe si erdhëm deri këtu?
Shkurt dhe shqip, erdhëm për faktin e vetëm se qeveritë respektive, qoftë ajo shqiptare, qoftë ajo amerikane, menduan për vetveten dhe asgjë tjetër që ishte ndërtuar midis dy vendeve, jashtë faktorëve zyrtarë. Të dyja qeveritë respektive menduan thjesht dhe vetëm për “hallin” e demontimit të armëve kimike dhe aspak për “thesarin”, dashurinë e konsoliduar tashmë 100-vjeçare të shqiptarëve për amerikanët dhe Amerikën.
Dhe, mbi të gjitha, erdhëm për shkak të mungesës së transparencës. Autoritetet shqiptare i folën për herë të parë medias perëndimore për këtë çështje dhe pas shumë ditësh Kryeministri shqiptar foli për median shqiptare, duke u treguar sërish i lëkundur, në një prononcim ku më shumë lexohej ankthi, sesa profili i një lideri të vendosur. Dhe ky tis errësire dhe mungese transparence nuk kishte si të mos pillte bizaritet. Post-transparenca që premton Kryeministri shqiptar, pas marrjes së vendimit të premten, nuk ka më asnjë vlerë. Tashmë antiamerikanizmi është injektuar te ne me dy shiringa: njëra “Made in Albania” dhe tjetra “Made in USA”. Këtë format loje ndoqi dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Arvizu, që ashtu sikurse Rama, nuk dha asnjë informacion paraprak, por vetëm u kujtoi shqiptarëve që janë aleatë të çmuar të NATO-s.
Arvizu nuk na tha, për shembull, a ia kërkuan aleatët dhe amerikanët Ramës këtë favor, apo Rama u vetafrua? Rama nuk na tha, a ia kërkuan amerikanët apo aleatët këtë favor, ishte e tij apo ndoshta e Tony Blair-it? Asnjë palë nuk na sqaroi edhe në qoftë se procesi i demontimit të presupozohet se është 100 për qind i sigurt, se cilat do të ishin përfitimet reale të Shqipërisë, ekonomike, gjeopolitike etj.? Apo do të kemi thjesht një medalje për Kryeministrin shqiptar? Paratransparenca ishte e domosdoshme jo vetëm për shkak se ky është një vendim që prek dhe ata që nuk kanë lindur akoma, por edhe për të ruajtur atë “thesar” 100-vjeçar që më 12 nëntor të vitit 2013 humbi: dashurinë e opinionit publik shqiptar për Amerikën dhe amerikanët. Post-transparenca e një “PO”-je nuk ka më asnjë vlerë.
Personalisht u përkas atyre njerëzve që për humbjen e këtij “thesari” të pazëvendësueshëm, pavarësisht nga zigzaget dhe amatorizmi i Kryeministrit shqiptar në këtë çështje, që na çoi pa dëshirë te dyert e Ambasadës Amerikane në Tiranë, fajësoj më shumë autoritetet amerikane se Kryeministrin dymujor shqiptar, që gazin sarin e di për bojë vaji pikturash, me të cilën do të ngjyrosë fletëlavdërimi bosh, që mund të marrë nga aleatët dhe amerikanët.
Sepse i kam besuar zyrtarët amerikanë kur janë shprehur se dashuria e shqiptarëve për Amerikën është më e rëndësishme se marrëdhëniet e dy qeverive momentale. Sepse kam besuar dhe ndoshta fatkeqësisht besoj se Amerika zyrtare nuk e do Shqipërinë dhe shqiptarët thjesht dhe vetëm për të zgjidhur hallet e momentit, por i do për më shumë dhe për më gjatë. E premtja do të tregojë nëse unë, ndoshta si dhe shumë të tjerë, jam një naiv i pandreqshëm. Vendimi i së premtes do të tregojë nëse Amerika e ka vlerësuar realisht këtë “thesar” që po humbet.
Ka vetëm një shans që të mos kemi më protesta përpara Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe që të gjitha deklaratat e zyrtarëve amerikanë të bëra në këta 100 vjetët e fundit për asetin e paçmuar të dashurisë së shqiptarëve ndaj Amerikës të kenë qenë të vërteta: Të mos i sjellë armët siriane në Shqipëri. Ne e dimë sa e kemi dashur Amerikën dhe e kemi dëshmuar me pranimin e ujgurëve, me ushtarët në Afganistan. Të premten do ta kuptojmë sa na paska dashur Amerika ne dhe nëse kemi qenë me të vërtetë një thesar i çmuar gjeopolitik apo thjesht një shurrëtore në një cep të hotelit Ballkan, ku “antiamerikanët” kanë më dinjitet dhe respektohen më shumë se ne “proamerikanët”.