Demiraj i cili është në krye të Degës së Albanologjisë në Mynih, ka drejtuar punën për botimin akademik të veprës së plotë letrare të Camajt. Bashkë me Erika Camajn, të shoqen e shkrimtarit dhe prof. Franceso Altimari, ai prezantoi mbrëmë në Hotel Tirana rezultatin e projektit. I hartuar në bazë të kriterit kronologjik të gjithçkaje që është shkruar prej viteve pesëdhjetë deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, studiuesit kanë mbajtur parasysh edhe aspektin e ballafaqimit që ky autor, i ndaluar në Shqipëri, do të ketë me lexuesin e tij të gjuhës amë. Për këtë arsye çdo vëllim është pajisur me një fjalor fjalësh të rralla, variantesh dialektore, me shpjegime.
Botimi ka një parathënie përshëndetëse nga Ismail Kadare, dhe shoqërohet me tekste kritike nga studiues dhe njohës të veprës së Camajt.
Pas këtij botimi, dy konferencave shkencore, njëra në Mynih dhe tjetra në Tiranë, pritet së shpejti që Presidenti i Republikës t'i akordojë "Nderi i Kombit" një njeriu me kontribut të painteres për vite me radhë në ekzil.