“Djalit tim i vjen për mbarë të rregullojë gjëra të prishura në shtëpi si lavatriçen ndonjëherë edhe televizorin dhe thash të vazhdojë shkollë profesionale me degën e Teknikës. E di që kur të mbarojë këtë shkollë do të ketë diçka më shumë. Nuk është e thënë që të gjithë të bëhemi me diploma Drejtësie. Nuk është normale, njeriu duhet të vazhdojë aty ku mendon se është më i zoti”,- pohon Maria Bushati nëna e Bertit në vitin e dytë të degës së Teknologjikes.
Por nga ana tjetër edhe ekspertët japin shpjegimet e tyre se përse arsimi profesional duhet të jetë i kërkuar edhe nga të tjerët dhe për këtë flet drejtoresha e Arsimit Profesional, në MASH, Dorina Rapti. “Mendoj se pas viteve ’90 lindi mentaliteti se të gjithë mund të vazhdojmë shkollën e lartë dhe rruga më e shkurtër ishte gjimnazi sepse ishte 4 vjet ndërsa shkolla profesionale 5 vjet. Tashmë njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se tregu është i tej ngopur me diploma të shkollave të larta të shumë prej të cilave nuk po shërbejnë për tu përshtatur në tregun e punës kanë filluar të kuptojnë se një shkollë profesionale është me vlerë dhe nuk të lë pa gjë”, pohon Dorina Rapti duke shtuar se tashmë ndihet boshllëku në tregun e punës të profesione të tilla si hidraulik, elektricist, mekanik etj ndaj dhe ka filluar rikthimi drejt tyre.
Kështu ekspertët theksojnë se arsimi profesional ka prioritet sepse është i lidhur direkt me zhvillimin ekonomik. Personat e kualifikuar duhen në të gjitha sektorët e jetës dhe shoqërisë kështu që në këtë kuadër personat e kualifikuar zhvillohen kryesisht në arsimin profesional. Arsimi profesional është shkollim për punësimin sepse të lidh direkt me tregun e punës. Më tej shpjegohet se një nxënës që ndjek arsimin profesional ka disa alternative ndërkohë që një nxënës ndjek arsimin e përgjithshëm ky i fundit merr një paketë informacioni të përgjithshëm por nuk është gati për tregun e punës ndërkohë që arsimi profesional ta jep këtë mundësi.
“E rëndësishme është që arsimi profesional ka alternative për vetëpunësim. Duam të theksojmë se arsimin profesional mund ta vazhdojë edhe dikush që është në mardhënie pune, nëse punon në një servis mundet të vazhdojë edhe degën e mekanikës gjatë kësaj periudhës që punon kjo qoftë në degën ku punon qoftë në ndonjë degë profesioni tjetër”,- pohon Dorina Rapti duke shtuar se trendi këtë vit ka qenë shpresdhënës sepse është rritur numri i të rinjve që duan të vazhdojnë arsimin profesional kjo falë edhe promocionit që është bërë për të rritur imazhin që duhet të ketë arsimi profesional.
Pikërisht për këtë ajo shpjegon se në klasën e 9-të është futur lënda për zhvillimin e karrierës e cila ka të bëjë me prezantimin e lëndëve të klasës së 9-të të mundësive të shkollave të mesme profesionale, se çfarë ofrojnë ato dhe se çfarë mund të përfitojnë për në tregun e punës. Gjithashtu janë zhvilluar orë të hapura me nxënësit e shkollave profesionale me nxënësit e klasave të 9-ta për t’iu shpjeguar atyre se sa i rëndësishëm është ky arsim. Gjithashtu lidhet marrëveshje edhe me bizneset për zhvillimin e praktikave të cilët bizneset edhe i paguajnë për kohën e praktikës.
Kurset profesionale, ja kush i përfiton falas
Nëpërmjet formimit profesional synohet trajnimi i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit për t’u integruar dhe riintegruar në tregun e punës. Kështu e nis shpjegimin e tij shefi i Sektorit të Fromimit Profesional, në Ministrinë e Punës, Stavri Lako i cili shpjegon se në këto qendra publike të formimit profesional ofrohen kurse afatshkurta 1-4.5 mujore, në profesione të kërkuara në tregun e punës, kryesisht për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, por edhe për persona të tjerë të cilët dëshirojnë këtë shërbim, duke synuar integrimin dhe riintegrimin e tyre në tregun e punës.
“Për kategori dhe grupe të veçanta, ndiqet një politikë favorizuese, konkretisht për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit nëse dëshirojnë të ndjekin një kurs të formimit profesional. Në qendrat publike aplikohet reduktimi i tarifës së regjistrimit prej 50%, ndërsa për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit të cilët duan të ndjekin një kurs të formimit profesional dhe i përkasin këtyre grupeve në nevojë (komuniteti rom, jetimë, personat me aftësi të kufizuara, vajzat dhe gratë e trafikuara, personat që kanë vuajtur dënimin me burgim) e përfitojnë këtë shërbim falas”, shpjegon Stavri Lako duke shtuar se qendrat e kurseve profesionale janë ngritur në qendrat e reja publike të formimit profesional në qytetet Elbasan, Fier, Durrës, Gjirokastër, Korçë, etj nëpërmjet të cilave synohet rritja e cilësisë së shërbimit të formimit profesional, rritja e numrit të personave që përfitojnë nga kurset e formimit, dhe çka është më e rëndësishme ne synojmë rritjen e numrit të punëkërkuesve të papunë të kualifikuar në qendrat tona me qëllimin integrimin dhe riintegrimin e shpejtë të tyre në tregun e punës. Sa i takon kohëzgjatjes së ofrimit të shërbimit të formimit profesional Stavri Lako shpejgon se e bën këtë shërbim shumë praktik dhe efikas. Në ndryshim nga arsimi profesional, që është më i shtrirë në kohë (2-3-4 vjet), formimi profesional është afatshkurtër (3-4 muaj) dhe i përgjigjet më shpejt nevojave të tregut të punës dhe ndryshimeve që ndodhin në të si dhe ndryshimeve të shpeshta të teknologjive.
Formimi profesional, ja ku ofrohet
Aktualisht, në shkallë vendi, formimi profesional operon nëpërmjet 10 qendrave publike të formimit profesional në qytetet më të mëdha të vendit si: ne Tiranë (2 qendra), Vlorë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier dhe Qendrës se Lëvizshme për zonën verilindore, ku ofron mbi 20 kurse profesionesh të kërkuara në tregun e punës si dhe kurse për gjuhë të huaja dhe kompjuter. Kohëzgjatja e kurse është afatshkurtër (nga 6-7 javë deri në 4 muaj). Numri i të trajnuarve në vit varion në 7.000 – 8.000 persona. Për kategori të veçanta të punëkërkuesve të papune, të rregjistruar ne zyrat e punësimit, të cilët ndjekin kurse të profesioneve ne drejtoritë tona të formimit profesional publik zbatohen tarifa të reduktuara ose falas. Në këto qendra në total janë të punësuar 110 persona (nga të cilët 51 janë instruktorë).
Tendenca, juristë me shumicë
Të kesh një diplome juristi ne ditët e sotme është kthyer edhe në modë. Madje nje pjese e te diplomuarve e ndjekin këtë si shkollë të dytë, duke e pare si një mundësi shtese punësimi. Dikur, para viteve `90 ne auditorët e këtij fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës uleshin çdo vit 25 studentë, ndërsa sot plot 500. Dhe kjo shifër e 20 fishuar e të rinjve, që vazhdojnë juridikun është vetëm për Tiranën, pasi në shkallë vendi bëhen rreth 800 ne sistemin publik. Burime pranë këtij fakulteti na konfirmojnë se numri i diplomuarve njeh vetëm rritje, pavarësisht se me pas është tregu i punës, ai qe bën kualifikimin. Por sa mundësi për te zënë një vend pune ke pasi mbaron juridikun? Si në privat ashtu edhe në shtetëror ato janë të kufizuara.
Shkollën e magjistraturës e ndjekin vetëm 18 persona në vit, ndërsa numri i notereve është 320 në të gjithë vendin. Por që të zësh një vend të tillë duhet të dalë dikush në pension, ose të humbë licencën. Mundësi tjetër punësimi janë avokatet dhe juristet e thjeshtë në kompani. Licencën e avokatit e zotërojnë 5500 persona, por numri i atyre që e ushtrojnë është me i kufizuar. Ndërsa sipas universiteteve private ku juridiku është dega primare tregu do te këtë nevoje për juriste edhe për disa vite. Askush nuk ka te dhëna te sakta, se sa perqind e studenteve qe mbarojnë Juridikun gjen një vend pune. Por ajo per te cilën, bien te gjithë dakord është se pas liberalizimit te universiteteve ne Shqipëri duhet te funksionoje një mekanizëm i forte seleksionimi për te mos nxjerre nga bankat e shkollës, çdo te ri që hyn.
10 degët e shkollave të larta më të kërkuara ndër vite
1 Stomatologji
2 Farmaci
3 Mjekësi e përgjithshme
4 Inxhinieri ndërtimi
5 Informatikë ekonomike
6 Drejtësi
7 Financë
8 Shkenca politike
9 Inxhinieri elektronike
10 Psikologji
41 shkolla profesionale ka në gjithë vendin
22 për qind e numrit total të nxënësve të shkollave të mesme janë në shkolla profesionale
40 për qind duhej të ishte numri i nxënësve në shkollat e mesme profesionale
80 për qind e nxënësve të shkollave 9-të vjeçare vendosin të ndjekin gjimnazin e përgjithshëm
Urgjenca e tregut të punës
Zhvillimi i një sistemi të tërë për të mësuarit e të rriturve për Shqipërinë është më shumë sesa urgjent. Sfidat e politikave arsimore dhe shtetërore janë të dyfishta. Së pari, politikat duhet të bëjnë të mundur angazhimin e të gjithë të rinjve në Agjensia e Formimit Profesional apo në arsimin e lartë, duke siguruar në të njëjtën kohë që ata të fitojnë kompetencat e kërkuara nga tregu i punës. Së dyti, politikat duhet t`iu shërbejnë njerëzve të punësuar, duke siguruar që ata të kenë mundësi për zhvillimin e mëtejshëm në të gjithë karrierën e tyre.
Agjencia e Formimit Profesional
Agjencia e Formimit Profesional duhet të jetë pjesë e skemave fleksibël të sistemit arsimor, duhet të japë gjithnjë e më shumë dhe në mënyrë progresive, mundësi për shkollim dhe trajnim të mëtejshëm, sidomos ura lidhëse në kalimin nga niveli fillestar i AFP-së, në atë post-sekondar dhe të lartë, duke siguruar kështu barazinë dhe vlerësimin e njëjtë të të dyja rrjedhave kryesore të arsimit të mesëm- arsimin e përgjithshëm dhe arsimin e formimin profesional.
Vlera e diplomës
Të gjithë duam të dimë vlerën e diplomës që kemi, të cilësisë së shërbimeve që mund të ofrojmë apo të atyre që mund të marrim. Por sistemi aktual i arsimit shpesh nuk ofron kualifikimet e kërkuara, ashtu siç ndodh që diplomat ose certifikatat të kenë vlera të ndryshme në shkolla të ndryshme apo të mos gëzojnë njohjen nga shteti dhe punëdhënësit