Higuainit i ulet pezullimi me 1 ndeshje OK per Romen

Higuainit i ulet pezullimi me 1 ndeshje, OK për Romën

Gonzalo Higuain mund të "buzëqeshë", pasi nga katër ndeshje pezullim, apeli e ka reduktuar në tre skualifikimin për futbollistin e Napolit. higuainKy është vendimi i marrë gjatë ditës së djeshme nga Gjykata Sportive e Apelit e Federatës Italiane të Futbollit. Kështu, golashënuesi më i mirë i Serisë A do të kthehet në fushë në sfidën kundër Romës më datë 25 prill në "Olimpiko". Ka qenë një ditë e gjatë ajo e djeshmja, e cila ka filluar me dëshminë e vetë futbollistit në lidhje me episodin e verifikuar në minutën e 75-të të ndeshjes Udineze-Napoli, kur sulmuesi ka shtyrë arbitrin Irrati, pasi është ndëshkuar me karton të kuq. "Kam respektuar gjithmonë rregullat në jetën time.

Skualifikimi prej katër ndeshjesh më duket i padrejtë dhe i ashpër, nuk kam dashur të ofendoj asnjeri. Para ndeshjes me Udinezen kam luajtur 430 takime si profesionist dhe jam ndëshkuar me dy kartonë të verdhë vetëm një herë në karrierën time, kur luaja me Real Madrid". Këto kanë qenë fjalët e argjentinasit, që gjithsesi duket se nuk kanë pasur një ndikim të madh te vendimi i Gjykatës së Apelit, pasi Napoli shpresonte në një reduktim më domethënës.

Mbrojtja e Grasanit

Avokati i futbollistit, Matia Grasani, për 45´ u mundua që të bindte trupin gjykues se fraza e famshme e Higuainit, "Jeni të turpshëm!", në adresë të gjyqtarit, të quhej një sjellje e pahijshme, mirëpo avokati nuk është pajtuar me atë çka kishte shkruar Irrati në protokollin e tij, duke akuzuar sulmuesin se i kishte dhënë një të shtyrë.

Grasani, gjatë seancës dëgjimore, u ka treguar gjykatëseve të çështjes fotografinë e futbollistit të Udinezes, Badu, i cili sipas tij ishte i pari që kishte provokuar argjentinasin. Ish-sulmuesi i Realit të Madridit në ditën e djeshme është shoqëruar nga presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, i cili nuk pranoi të fliste për shtypin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama