Hila dhe Paci ekspozojne ne Venecia arkitekturen shqiptare

Hila dhe Paci ekspozojne ne Venecia arkitekturen shqiptare

Shqipëria prezantohet në edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias me pavijonin e titulluar: “Monumente të mundshme ardhmërish të parealizuara” (Potential Monuments of Unrealised Futures), ku prezantohen punët e dy artistëve shqiptarë. “Shtesat”(Penthouse), një seri pikturash nga Edi Hila dhe “Kolona” (The Column), video-instalacion nga Adrian Paci. Pavijoni i Shqipërisë, kurohet nga Beyond Entropy Europe (Jonida Turani, Stefano Rabolli Pansera), ideatorë të pavijonit të Angolës në Bienalen e Artit, Venecia 2013, që u shpall edhe fitues i “Luanit të Artë” si përfaqësimi më i mirë kombëtar. Nëpërmjet hulumtimit të tyre artistik Edi Hila dhe Adrian Paci më 4 qershor në Venecia ofrojnë një mënyrë të re për të lexuar shtigjet e ndërprera të modernitetit në Shqipëri. Pavijoni shqiptar eksploron sesi është përthithur arkitektura falë një reflektimi mbi dinamikën social-kulturore të modernizmit, element thelbësor ky në punën e të dy artistëve.

 Ardhmëritë e parealizuara janë premtimet e modernitetit, pjesërisht të realizuara, por asnjëherë të përfunduara. Artistët ftojnë vizitorët të ndërthurin referenca reale dhe referenca të ndërtuara, të kaluara dhe të sotme, tregime imagjinare dhe lexime formale të qytetit përtej gjuhës tradicionale të përfaqësimit arkitektonik. Duke ndalur vështrimin në hapësirat e mbetura, në proceset e ndërtimit dhe të elementeve të papërfunduara, ata ndryshojnë këndvështrimin e arkitekturës tradicionale. Planet e fragmentuar dhe të parealizuar janë kushtet bazë të një hapësire të re, bazuar në konceptin e vlerës potenciale si qëllim ruajtjeje dhe jo vetëm si një fazë përgatitore e të sotmes. Qëllimi i kësaj ekspozeje është që të zhvillojë një pikë të re të  mendimit për sa i përket arkitekturës urbane në qytetet shqiptare.

 

Adrian Paci prezanton video-instalacionin “Kolona”, një përrallë vizionare që flet për delokalizimin e punës, transformimin e traditave dhe ballafaqimin mes kulturave, një metaforë e fuqishme vizuale dhe bukuri enigmatike. Edi Hila prezanton “Shtesat”, cikli i tablove që sjellin një vështrim në urbanistikën “postmoderne” shqiptare. Në veprat e Hilës tregohen pallate të larta, nga ato që kanë mbirë kudo në Tiranë, mbi tarracat e të cilëve janë ndërtuar apartamente shtesë. Edi Hila ka në fokus pikërisht këto “ndërtime të paligjshme”, sipas terminologjisë lokale, për t’i sjellë në tablo si krijesa që tregojnë një aspekt dominues të problematikës sociale dhe arkitekturore me të cilën janë përballur qytetet tona këto vite. Beyond Entropy propozoi që Shqipëria të përfaqësohej me dy artistë, dhe jo arkitektë, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia. Një interpretim mjaft i gjetur i temës së kësaj ekspozite përcaktuar nga kuratori i saj, Rem Koolhaas, “Absorbimi i Modernitetit (1914-’14)” (Absorbing Modernity, 1914- ’14)”, i cili ishte shprehur qartazi se: Fundamentals”, titulli i ekspozitës që do të kurohet prej tij do të jetë një bienale që do t’i kushtohej arkitekturës dhe jo arkitektëve.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë pas konsultave me kolegë dhe ekspertë të njohur, arkitektë, artistë e teoricienë, brenda e jashtë Shqipërisë, duke e marrë seriozisht realizimin e këtij projekti, edhe në sajë të rekomandimeve të ekspertëve të Beyond Entropy Europe, thekson se: “Është angazhimi ynë që Shqipëria të marrë pjesë vazhdimisht e në mënyrë të rregullt në evenimente të rëndësishme ndërkombëtare të artit e kulturës si Bienalja e Venecias, e jo në mënyrë fragmentare siç ka ndodhur deri më sot”. Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, mes të cilave Bienale e Venecias (1999), “After the Wall” në Muzeun Modern Stokholm (1999), në muzeun Hamburger Bahnhof të Berlinit, në Muzeun Ludwig të Budapestit (2000), “Blood and Honey.

 

Future’s in the Balkans” në Muzeun Essl të Vienës (2003), dhe në Bienalen e Liverpulit (2010). Veprat e tij bëjnë pjesë në koleksione të Qendrës Pompidou, Ville de Paris, René Block dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Adrian Paci ka lindur në Shkodër, Shqipëri në vitin 1969. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare. Disa nga ekspozitat e tij personale më të rëndësishme mund të përmendim: “Adrian Paci” PS1, MOMA, New York (2005); “Motion Picture(s)”, Kunsthaus Zurich (2010); “Lives in transit”, “Jeu de Paume”, Paris (2013); MAC, Musée d’art contemporain de Montréal, Montréal (2014). Ekspozita kolektive: Bienale e Venecias (2005); “Street and studio in urban history of photography”, Tate Modern, Londër (2008), “Unfinished Journeys”, National Museum of Arts, Oslo (2012), dhe “Neighbours”.     


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama