Hipokondriaket e internetit

Hipokondriaket e internetit
Sipas një studimi britanik, gjashtë të rritur në dhjetë navigojnë në internet, në vend që t’i drejtohen mjekut kur kanë ndonjë shqetësim. Sot të gjithë kërkojnë informacione për shëndetin në internet, pa e ditur se sa e rrezikshme është.

Simptomat virtuale të të sëmurëve imagjinarë

Doktor Interneti të pret gjithmonë. Sa herë që dëshirojmë, ai është gati të na japë përgjigjet e pyetjeve që na mundojnë. Mbi të gjitha, për çdo lloj argumenti të tipit mjekësor: nga tumoret te krizat e panikut, nga dietat për t’u dobësuar e deri te sëmundje më të rralla. Sajte, cacte, forume, bloge të ofrojnë sot një informacion pa kufi për patologjitë e zakonshme dhe jo vetëm. Por, sipas specialistëve, kjo tendencë është “parajsa” e vërtetë për hipokondriakët, personat që kanë frikë nga sëmundjet.

Më të fiksuarit janë pagëzuar me emrin “cyberkondriak” dhe janë pikërisht ata në kërkim të lajmeve për t’u siguruar rreh simptomave apo patologjive që kanë. Në Itali, për shembull, populli i “gjuetarëve” që kërkon vazhdimisht informacione shëndetësore në internet numëron 16.6 milionë persona. Sipas statistikave, 34 për qind e 23 milionë përdoruesve të internetit futen në rrjet për të gjetur dhe lexuar të dhëna mjekësore. Por jo vetëm kaq, për 18 për qind të tyre, interneti përfaqëson burimin e parë në këtë fushë. Sipas mjekëve, “tjetër gjë është të kërkosh lajme mbi një sëmundje nga e cila vuan ai apo ndonjë familjar, dhe tjetër gjë është kur çdo simptomë që ai ka i shkakton ndjesinë e ankthit. Këta të fundit janë në minorancë, e nuk bëhet fjalë për persona hipokondriakë, por për njerëz të prekur nga një shqetësim që shkon përtej mjetit përmes të cilit manifestohet”.

Për mjekët, kjo minorancë nuk shkon më shumë se 1 për qind e naviguesve. Të drejtë mjekëve u japin edhe statistikat e “Google”, që tani ofrojnë një panoramë më të gjerë mbi atë që kërkojnë të lexojnë më shumë në rrjet përdoruesit. Kështu zbulohet se nga pjesa më e madhe e europianëve, për këtë muaj, artikujt që kërkonin më shumë në internet ishin ata që lidheshin me tumorin, si atë të gjirit, ashtu edhe atë të zorrës së trashë. "Rezultatet tregojnë se ekziston një lidhje e qartë mes internetit dhe jetës së përditshme.

Me më shumë se një milion kërkime në motorin e kërkimit “Google”, kemi arritur në përfundimin se disa tipologji kërkimi kanë prirjen të përsëriten në periudha të caktuara të vitit në fushën e shëndetit, si për shembull në kohën e rënies së virusit të gripit”, tregojnë drejtuesit e kompanisë “Google”. Kjo ishte një shtesë që kjo kompani nxori, “Flu trends”, një instrument i ri i “Google”, për momentin i disponueshëm vetëm në disa vende.

“Ai është në gjendje të ofrojë informacione në kohë reale mbi shpërndarjen e influencave dhe pandemive. ‘Flu trends’ analizon të dhënat e kërkimeve në ‘Google’ për tema të lidhura me gripin dhe sëmundjet dhe i krahason me ato të dala nga entet publike që marrin pjesë në projekt”. Por popullsia e hipokondriakëve të internetit po fiton gjithmonë e më shumë terren: në Britaninë e Madhe, për shembull, një studim i fundit, bërë nga shoqëria “Engage Mutual”, ka treguar se gjashtë persona në dhjetë navigojnë në internet, në vend që t’i drejtohen mjekut kur kanë ndonjë shqetësim. Për më tepër, gjysma e tyre bindet plotësisht se janë të sëmurë rëndë. Sipas Giuseppe Lavenia, docent i psikologjisë në Universitetin e Urbinos dhe ekspert i vartësive të ndryshme, “vëmendja maniake për kujdesin ndaj trupit dhe shëndetit në kohën e internetit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar hipokondrinë në masë.

Janë me qindra informacionet që këta njerëz kërkojnë, pasi duke kërkuar të sigurohen bëhen maniakë pas asaj që lexojnë. Bëhet fjalë për një shqetësim të vjetër, por që në kohët e internetit ka marrë përmasa të reja dhe shumë herë më të mëdha. Ky lloj fenomeni verifikohet kur merr shumë informacion për një çështje të caktuar dhe nuk di kë të zgjedhësh, apo ku ta përqendrosh vëmendjen. Ajo e uebit nuk mund të përcaktohet një lloj hipokondrie klasike. Bëhet fjalë për një formë të re. Interneti mund të kthehet në përforcues të një shqetësimi që në disa raste mund të gjenerojë një formë psikopatologjike me tipare obsesive-kompulsive”.

Me pak fjalë, mirë është të navigosh, por pa e ekzagjeruar. Kjo nënvizohet edhe nga “Microsoft”, që ka bërë një studim për ankthet që gjenerohen nga kërkimi në internet i temave për shëndetin. Shpesh përdoruesit ndalen të lexojnë faqet e para që dalin pasi kërkojnë dhe pasi i përpunojnë, arrijnë të frikësohen duke menduar se çdo lloj migrene mund të transformohet në tumor apo se dhimbja e kraharorit është gjithmonë një shenjë e infarktit. Është mirë mos t’i nënvlerësosh simptomat, por mjeku është i vetmi person në gjendje për të vendosur diagnozën.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama