Duke përfituar nga publikimi i emrit të një ish-klienti të rëndësishëm të qeverive Berisha, makina gjigande propagandistike e qeverisë po përpiqet ta kanalizojë dhe shfrytëzojë skandalin Panama Papers për të larguar vëmendjen nga problemet e saj dhe për të diskredituar opozitën.
Mediat izraelite zbuluan se biznesmeni Ismail Mulleti është aksioner i kompanisë "offshore", Glob Fluids International, pronare e GFI Albania, shoqëria që mori, në rrethana të dyshimta dhe me gjasa korruptive, nga qeveria Berisha një monopol shumë fitimprurës për markimin e karburanteve.
Me bërjen publike të emrit të Mulletit mediat e afërta me qeverinë filluan sulmet kundër tij dhe opozitës.
Ndërkohë, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të parave në Ministrinë e Financave denoncoi në prokurori dhe kjo e fundit filloi menjëherë hetimin për pastrim parash ndaj GFI-së.
Ministri i Financave Ahmetaj, nuk harxhoi fare kohë për të reflektuar mbi situatën, por deklaroi publikisht se ai e dinte që do të dilnin kompani të lidhura me opozitën dhe madje priste edhe të tjera, duke lënë të nënkuptonte se kompanitë "offshore" janë patjetër klinetë vetëm të opozitës.
Pa humbur kohë, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani propozoi hartimin e një ligji, si përherë duke kopjuar atë të një vendi tjetër, për të detyruar deklarimin e përfituesve finalë të shoqërive që firmosin kontrata dhe konçesione me shtetin.
Ajo që minsitrat Manjani dhe Ahmetaj nuk thonë është se informacioni që kërkojnë, dihet shumë mirë prej tyre: shumë shoqëri konçesionare janë të kontrolluara nga shoqëri "offshore" të regjistruara në vende që nuk shkëmbejnë informacione fiskale dhe të biznesit me Shqipërinë.
Në fakt, si qeveria Berisha edhe qeveria Rama nuk kanë dashur dhe nuk janë përpjekur ndonjëherë për të arritur marrëveshje bilaterale për shkëmbim informacioni. Për më tepër, Shqipëria nuk ka vënë asnjëherë kufizime për përfshirjen e shoqërive "offshore" në kontratat me qeverinë, ashtu si nuk ka bërë asnjë hap për të përmbushur në mënyrë efikase ligjet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave.
Sot qeveria po përpiqet që e gjithë vëmendja publike të përqëndrohet tek Ilir Mulleti, klienti ekselenet i qeverisë Berisha, por me pak përpjekje vetëm nga informacioni publik në internetit mund të zbulohen shoqëri që kanë nënshkruar me qeverinë Rama dhe që duket sikur janë krijuar enkas për të fshehur përfituesit e vërtetë.
Ja disa raste:
Rastet e mësipërme janë vetëm një numër i vogël i rasteve kur individë apo shoqëri tregtare krijojnë vetë apo përfitojnë nga skema ndërkombëtare për shmangien e taksave apo fshehjen e pronësisë dhe pasurive.
Ka gjasa që në mjaft raste këto skema të jenë mburojë e kriminalitetit të organizuar dhe atij politik. Nga këto dukuri nuk janë të imunizuar dhe nuk mund përjashtohen politikanët dhe klientët e asnjërit krah politik. Prandaj qëndrimet e politizuara të qeverisë janë hipokrizi dhe ogur i keq për luftën kundër evazionit, korrupsionit dhe pastrimit të parave në nivele të larta.