Abuzimi me dhënien e titujve të pronësisë dhe lejeve të legalizimit ka bërë që dy drejtorë rajonalë, i ZRPP-së Sarandë dhe ai i Drejtorisë së ALUIZNI-t Elbasan, si dhe 11 ish-punonjës të këtyre drejtorive, të kallëzohen penalisht në prokurori. Sipas Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mësohet se ditën e djeshme është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë një kallëzim penal, me anë të të cilit është kërkuar fillimi i ndjekjes penale për tre ish-punonjësit e ZRPP-së Sarandë, përkatësisht për ish-regjistruesin e kësaj zyre, Bajram Alidhima, hartografin Robert Piro dhe juristen Albjona Rexho. Kërkesa vjen pas kontrollit të ushtruar në këtë zyrë gjatë muajit shkurt të këtij viti.
Nga ky kontroll u konstatua se në zonën e Parkut Kombëtar të Butrintit janë regjistruar tituj pronësie në kundërshtim me ligjin. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.134, datë 20.02.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.693, datë 10.11.2005 të Këshillit të Ministrave për shpalljen e kompleksit Ligatinor të Butrintit ‘Park Kombëtar’”, kjo zonë konsiderohet zonë e mbrojtur. Nga përpunimi i materialit hartografik rezulton se kjo sipërfaqe e regjistruar në favor të subjekteve private ndodhen në zonën A1, në zonën A2 dhe në zonën B të Parkut Kombëtar të Butrintit, zona të cilat, sipas vendimit të mësipërm, nuk mund të tjetërsohen. Me urdhër të ish-regjistruesit të ZVRPP Sarandë, Bajram Alidhima, përkatësisht në datat 09.07.2013 dhe 10.09.2013, është urdhëruar regjistrimi në favor të subjekteve private të një sipërfaqeje të konsiderueshme të Parkut Kombëtar të Butrintit. Ndërkohë, për ish-kreun e Drejtorisë së ALUIZNI-t Elbasan 1, Lorenc Hastopalli dhe nëntë ish-vartësit e tij, kallëzimi penal është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas njoftimit për shtyp të KLSH-së në këtë drejtori, është kontrolluar periudha e veprimtarisë janar 2011-shtator 2013. “Nga auditimi i kryer, u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të zbatimit të procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen e dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje”, thuhet në njoftim.
Duke renditur shkeljet e konstatuara, rezulton se në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar, e cila përbën një të ardhur të munguar në buxhetin e shtetit për Fondin e Kompensimit të ish-Pronarëve, në vlerë mbi 4 milionë dollarë. Gjithashtu, rezulton se disa dosje legalizimi janë dhënë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndërkohë që për dosje të tjera, legalizimet janë dhënë brenda zonës së studimit urbanistik të qendrës së qytetit, si dhe në disa raste në zonë të gjelbër, me status juridik, pronë e Bashkisë Elbasan. Në përfundim të këtij kontrolli, grupi i Auditimit i KLSH-së ka rekomanduar një sërë masash organizative, ndër të cilat, kërkesa që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të fillojë procedurat për shfuqizimin e lejeve të legalizimit, për objektet e pajisura me leje legalizimi, si dhe për ato që kanë lidhur kontratat, në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, KLSH-ja ka kërkuar të saktësohet, kontabilizohet dhe të kërkohet në rrugë ligjore sa më shpejt që të jetë e mundur, arkëtimi i vlerës 4 milionë dollarë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit.
Kallëzimet
Sarandë
Drejtoria qendrore e ZRPP-së ka paditur tre ish-zyrtarë të Sarandës që kanë regjistruar si pasuri private sipërfaqe toke që ndodhen brenda zonës së mbrojtur të parkut të Butrintit
Elbasan
KLSH-ja ka paditur 11 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Elbasan, të cilët akuzohen për dhënie lejesh legalizimi për ndërtime që ndodheshin në zonë të ndaluar, në qendër të qytetit