Hiqen tarifat per studentet e familjeve me ndihme ekonomike

Hiqen tarifat per studentet e familjeve me ndihme ekonomike
Studentët, të cilëve njëri nga prindërit u është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore, si “familje në nevojë”, do të përjashtohen nga pagesa e tarifës së shkollimit për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë. Vendimi është miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, dhe kjo është kategoria më e re e studentëve që përjashtohen nga taksat e shkollimit.

“Kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2012-2013, si dhe studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, studentët të cilëve njëri nga prindërit u është ndarë nga jeta dhe familjet e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike nga njësitë e qeverisjes vendore si “familje në nevojë”, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijët e policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit”, – thuhet në vendim.

Po kështu, në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në vitin akademik 2012-2013, tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, do të përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Aktualisht në të gjitha universitetet publike të vendit studentët janë duke kryer procesin e derdhjes së tarifave të studimit, të cilat variojnë sipas programeve të ndryshme të studimit. Sipas rregullave të vendosura nga universitetet, studentët që nuk shlyejnë tarifat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në sezonin e parë të provimeve që nis në shkurt.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama