Shqipëria i thotë “lamtumirë” taksës së doganës së makinave, duke shkuar drejt një sistemi që e shtrin pagesën në kohë. Me paketën e re fiskale, qeveria po planifikon të miratojë një sistem të ri të taksimit për automjetet,ku më të rëndësishme për qytetarët janë taksa e importit dhe ajo e shitjes. Burime konfidenciale pranë Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur për ‘MAPO’ se e ashtuquajtura doganë do të paguhet tashmë përmes një skeme tjetër, që ka për synim ta ndajë detyrimin në vite. Edhe formula e re e përllogaritjes së taksës së makinave të vjetra në tregun e brendshëm do të bëhet në bazë të numrit të viteve të përdorimit të automjetit dhe cilindratave të saj. Sipas projektit të ri, qytetarët që blejnë dhe importojnë një automjet nga jashtë, nuk do të paguajnë më në “një dorë” taksën e doganës. Kjo e fundit do të zëvendësohet nga një taksë tjetër, e cila do të paguhet me këste çdo vit, bashkë me kolaudimin e makinës.
Kjo do të thotë se sa më e vjetër të jetë makina, aq më shumë taksë do të paguhet. Në këtë mënyrë, vjelja e taksës do të bëhet në momentin e kolaudimit, duke e llogaritur atë në bazë të amortizimit dhe llojit të makinës. Drafti i ri parashikon ndryshime edhe në taksën e shitjes, për shkak se, sipas ligjit aktual, të shesësh një makinë të viteve ‘90, taksa që duhet të paguash për shtetin është shumë më e lartë se vlera e shitjes së automjetit. Sipas formulës aktuale, me të cilën përllogaritet taksa, nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*0.5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Sipas kësaj formule, asnjërit nuk do t'i interesojë të shesë apo të blejë një automjet me vit prodhimi të largët.
Duke iu referuar projektit të ri, nëse tani qytetari që importonte një automjet e paguante menjëherë detyrimin në doganë, taksa e re do të shtrihet në vite. Gjithashtu, projekti i ri, parashikon që të zerojë edhe taksën e qarkullimit dhe atë të regjistrimit, të cilat nuk do të paguhen më çdo vit, si më parë, por do të mblidhen në mënyrë indirekte, përmes rritjes së taksave të karburantit. Po sipas burimeve nga Financat, duke iu referuar projektit të ri, qeveria do të rrisë me 2 lekë për litër taksat e karburantit, duke e argumentuar me një shpërndarje më të drejtë të taksës. Sepse taksa e qarkullimit tani është e njëjtë, si për qytetarët që i përdorin shumë automjetet e tyre, ashtu edhe për familjarët që i përdorin më pak. Me formulën e re, taksa që një qytetar do paguajë për qarkullim dhe regjistrim do të varet nga sa ai e përdor automjetin e tij, sepse do jetë e inkorpurar në karburant.
Heqja e doganës dhe ndryshimi i taksës së shitjes pritet të çlirojë importin e makinave të vjetra nga jashtë dhe shitjen e tyre brenda vendit,proces i bllokuar tashmë që kur ministria e Financave aplikoi vitin e kaluar një taksë të lartë për shitjen dhe automjetëve të përdorura brenda vendit.
Taksa e re e makinave
Taksa e re përfshin
Taksën e importit
Taksën e regjistrimit
Taksë e qarkullimit
Taksën e rishitjes së automjetit
Karakteristikat e taksës
-Pagesa në një sportel
-Pagesa bëhet në momentin e kolaudimit
-Taksa do të marrë në konsideratë kilometrazhin e makinës dhe cilindratën