Përkthyesi i veprës Bardhyl Selimi, që drejton Lidhjen Esperantiste në vend (themeluar më 1991), e kapërcen faktin e rrallë që një autor shqiptar shkruan në një gjuhë tjetër dhe vepra i përkthehet në gjuhën amtare. Nuk është as sipërmarrje eksperimentale. Ai e njeh Cuk Simonin si “shumë të zotin për esperanton që e ka matur veten me aq burime të pakta që kishte në atë kohë dhe na ka dhënë një formë shumë besnike të historisë që ne pas Luftës së Dytë Botërore e mësuam në shkolla. Ai është shumë i saktë në referencat e veta, citon shprehje në latinisht.”
Për nga zhanri dhe stili mund të thuhet se ky nuk është roman. Është një tekst që qëndron midis historisë dhe rikrijimit, e pothuajse letërsisë.
Emri i intelektualit nga Shkodra ishte bërë i njohur për përkthimin e Aventurave të Pinokut, historia e nji kuklle druni, i Carlo Collodit (shiko kushtimin që i bëhet Simonit te “Vepra, Dom Lazër Shantoja”, Shkodër, 2005). “Pinoku” i tij u ribotua i përshtatur në shqipen letrare nga i biri Zef Simoni.
Pas 1945-ës, Cuk Simoni njihej nga autoritet e kulturës si “njëfarë Cuk Simoni”. “Dimë që ishte nxënës i Dom Lazër Shantojes, i njohur si esperantist që më 1907 në mjediset esperantiste evropiane”, shton Bardhyl Selimi, duke mos e justifikuar prej tij megjithatë mungesën e informacionit për Cuk Simonin që duhej të kishte botimi i vitit 2011 (SHBLSH e Re). I mungon po aq një histori e shkrimit dhe dorëshkrimit të Historisë së Skënderbeut. Të mendosh që fëmijët e Cuk Simonit jetojnë e mund të kishin dhënë kontributin e tyre më tepër se me një fotografi të të atit që po e botojmë me këtë rast.
Botimi i shqip “Heroi i Shqipërisë” shoqërohet me parathënien e profesorit çekosllovak Milosh Lukash, tetor 1928, ku thuhen edhe dy fjalë për Cuk Simonin: “Dhe të shpresojmë, që edhe ideja madhështore e Zamenhofit, të gjejë në Shqipëri, së shpejti, shumë përkrahës besnikë, falë punës propagandistike të zellshme, të mikut tonë të dashur, zotit Cuk Simoni.”
Përkthyesi Selimi që pëlqen të rikthehet në subjektin e tij mbi esperanton në përgjithësi, del në përfundimin se me rëndësi është që Cuk Simoni na ka dhënë një vepër origjinale të shkruar drejtpërdrejt në esperanto, mbi Skënderbeun. “Që nga koha e botimit më 1929 na kanë mbetur shumë pak ekzemplarë të veprës e Simonit. Një ndodhet në Muzeun e Krujës, mes shumë botimeve për Skënderbeun. Te ky libër jam bazuar unë për përkthimin, jo te dorëshkrimet.”
Në vitin 1967 është bërë përpjekje për të përkthyer nga shqipja në esperanto. Vasil Pistoli, ish-kryetar i Shoqatës së Mësuesve Esperantistë, përktheu një vepër të Kristo Frashërit, por pa sukses.
Me Bardhyl Selimin/ Intervistë në pak minuta
Një thesar esperanto
Bardhyl Selimi (1945) ka ardhur 1 vjeç në Tiranë. Familja e tij emigroi nga Gjakova. E mësoi esperanton në 3 muaj. Punoi gjithë jetën mësues matematike po edhe i Marksizmit. Ai thotë se po të forcohet esperantoja në Shqipëri, do të jetë e fortë edhe në vendin e tij të origjinës, Kosovë.
Z. Selimi, si e keni mësuar esperanton?
E kam mësuar para 50 vjetësh, për 3 muaj. U hapën kurse në Shtëpinë e Kulturës ku jepte mësim një inxhinier nga Gjirokastra, Çefo Fico, djali i Rauf Ficos, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Zogut. Ai kishte studiuar në Itali, njëlloj si Cuk Simoni. Kishte marrë pjesë në një konkurs për gjuhën esperanto e kishte fituar një biletë me të cilën kishte të drejtë t’i binte rrotull Italisë falas. Kur erdhi në Shqipëri gjeti mundësi e hapi një kurs. Atëherë gjuha nuk ndalohej.
Çfarë profesioni keni?
Mësues matematike për dyzet vjet. Por esperanto ka një ngjashmëri me matematikën për sa i përket gramatikës, rregullave. Ajo e redukton në minimum sasinë e fjalëve që duhet të mësosh përmendësh dhe të jep mundësinë që nëse nuk e mban mend një fjalë, të japësh një të barazvlefshme me logjikë. Prandaj e kanë quajtur “kryevepër e logjikës dhe thjeshtësisë”. Ka shumë matematikanë që e preferojnë këtë gjuhë. Që kur krijuesi i esperantos, Ludvig Zamenhov, – një hebre, mjek okulist nga Bjalistoku i ish Rusisë Cariste – nxori librin e parë më 1887, e deri më sot, janë jo më shumë se 2-3 milionë njerëzit që e flasin esperanton.
Sa esperantfolës ka Shqipëria?
Prej vitit 1993 ne kemi kaluar nëpër kurse 450 vetë me diplomë të nivelit të parë. Por e kanë lënë me kaq sepse nuk e kërkon njeri esperanton. Prej 10 vjetësh kemi dërguar në Poloni studentë që mësojnë në një shkollë për turizmin dhe e përdorin esperanton si gjuhë studimi. Me atë diplomë që kanë marrë kanë gjetur punë këtu ose jashtë.
Mua më vjen keq që esperantoja nuk ka përkrahje nga shteti apo organizatat. Drejtoritë arsimore janë krejt indiferente për esperanton, kur kjo sot për sot është një nga alternativat shumë të forta për t’u pranuar si gjuhë e Bashkimit Evropian i cili e ka të nevojshme një gjuhë të vetme. Duhet të jemi të përgatitur, të përhapet te të rinjtë, sepse s’është e vështirë për t’u mësuar. Po të mësojë njeriu esperanton, duke qenë një strukturë më e thjeshtë, e mëson më shpejt anglishten, gjermanishten. Sepse esperantoja ka bashkuar vetitë e gjuhëve indoevropiane dhe joindoevropiane.
Çfarë ka të përkthyer në shqipe prej esperantos?
I pari lëvrues i esperantos është dom Lazër Shantoja, e me radhë intelektualët, Mark Kakariqi, vëllezërit Wilhelm dhe Mikel Koliqi (ky i fundit u bë pas 1990, kardinali i parë shqiptar). Në krahina të tjera kemi Janko Palin, dr. Hamdi Sulçebe. Dhe sigurisht Cuk Simoni që na ka lënë dhe këtë thesar. Pas Luftës së Dytë Botërore janë Zef Mjeda e Vasil Pistoli që ka përkthyer nga esperantoja “Realizmi i ri” i filozofit gjerman Bruno Vogelmann. Unë vetë kam përkthyer “Fashizmi”, një vepër të Zhelju Zhelev.
Dhe nga shqipja në esperanto?
Vargje nga Asdreni, përkthyer nga Pistoli; 3 libra mësimi me gjithë fjalorin, shqip-esperanto dhe esperanto-shqip; një libër të Zef Mjedës, esperantist shumë aktiv. Unë kam përkthyer “Eskili ky humbës i madh” i Kadaresë. Këto botohen në revistat evropiane, kemi buletin 2 mujor në formë elektronike. Unë botoj në revistën Monato (Muaji) shkrime nga politika, jeta moderne, problemet që hasin shqiptarët, këtu dhe jashtë. Shoqata jonë merr pjesë në kongreset botërore. Mendoni një kongres me 2500 veta ku nuk ka përkthyes, ku të gjithë ndjehemi si një familje.
Së fundi “Lëkura e qenit” e Fatos Kongolit ekziston në esperanto dhe do të botohet brenda këtij viti. Unë kam shkruar dy libra për matematikën zbavitëse e bashkë me një libër 200 faqe “Filozofia dhe matematika” i kam përkthyer në esperanto. Dua të them se esperanto e ka treguar veten që është një gjuhë e aftë për të gjitha fushat.
Çfarë mund të botoni së shpejti?
Kam biseduar me miqtë tanë dhe do ta ribotojmë në esperanto “Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë” i Cuk Simonit, e do ta shoqërojmë me ilustrime të ndryshme. Për ne është një krenari vetë jeta e këtyre njerëzve, me kulturë të gjerë e patriotë, siç ka qenë jeta e Lazër Shantojës që komunistët e dënuan me vdekje.
Dokumenti i vitit 1922
Qeveritë shqiptare të kohës i kishin dhënë një lloj mbështetjeje esperantos. Në Arkivin Qendror Shtetëror gjen dëshmi mbi këtë temë. Në një dokument të Ministrisë së Arsimit, viti 1922, i raportohet Këshillit Ministruer “mbi nji konferencë të mbajtun në Geneve në Helveti, për mësimin e gjuhës esperanto ndër shkolla. Në kët konferencë ku qenë përfaqësue zyrtarisht 16 qerveri e 28 autoritete arsimore shtetesh të ndryshme, muer pjesë edhe Ministerija e jonë… Konferenca ka vendueqi t’u sillet gjithë shteteve të botës tue kërkue qi mësimi i gjuhës Esperanto të jetë i detyrshëm ndër shkolla shtetnore. Me nji shkresë qi na dërgon Sekretariati i Konferencësn lypë qi edhe Ministrija e jonë të nënshkruejë vendimin e dhanun prej Konferencës. Pra lutemi të rrihet kjo çashtje në Këshill Ministruer.” Nënshkruar nga ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica. Bashkangjitur është konfirmimi i kryeministrit Xhaferr Ypi i cili autorizon Mitrovicën të nënshkruajë “vendimin e dhanun n’emën të Shtetit Shqiptar.”