Premiera e radhës në Teatrin e Operës, e planifikuar për në 5, 6, 7 mars, i takon një vepre shqiptare. Është baleti "Delina" me muzikë të Çesk Zadejës, e realizuar në vitin 1964 nga koreografi Panajot Kanaçi, me libret të Zadeja-Kanaçit.
Dyzet e gjashtë vite më pas, koreografi Agron Aliaj e merr përsipër ta rikthejë për publikun e Operës, me libret të ndryshuar, me një koreografi të kohës, me "fizionomi të re". Aliaj 75-vjeçar, po punon çdo ditë në sallën e baletit, që "Delina" të jetë gati në fillim të marsit.
Këto ditë provash, koreografi duket pak i nervozuar, dhe i kërkon trupës së baletit disiplinë, rregull, korrektësi, përkushtim, dëshirë, në mënyrë që ditën e premierës trupa të jetë një e vetme dhe me gjuhën e trupit, energjinë dhe lëvizjet, të arrijë perfeksionin dhe ta emocionojë spektatorin.
"Ta japin ndjenjën nëpërmjet gjithë qenies" kërkon koreografi, që tani për tani i duhet të kënaqet me nivelin e solistëve të zgjedhur për këtë shfaqje. "Më të mirët e Teatrit" thotë Aliaj, por kjo nuk do të thotë që nuk kanë nevojë për punën e çdo dite dhe jo vetëm me raste shfaqjesh, ushtrimin e vazhdueshëm të trupit, përkushtimin me "mish e shpirt" në atë që bëjnë.
Lidhjet e Aliajt me "Delinën" janë jo vetëm si koreograf. Është një ndër shfaqjet e para ku ka interpretuar, në rolin e Arbanin, krah Zoica Haxhos, në rolin e Delinës.
Në këtë bisedë, sjell pak kujtime nga ajo kohë, rregullat dhe disiplinën e Panajot Kanaçit, penalizimin që iu bë dekorit të Shaban Hysës, Çmimin e Republikës dhe pak të holla që e motivuan të riun Aliaj në përkushtimin e mëtejshëm ndaj baletit.
Në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e "Norës" së Andrea Skanjetit, dhe me legjendën e Doruntinës. Gjuha koreografike është e çliruar nga skematizmi dhe flitet për personazhe humanë, edhe pse në kuadrin e legjendës. "Është zbutur diku-diku, ana patetike. Edhe drejtoria e Teatrit të Operës, është e interesuar që këto shfaqje të marrin një fizionomi të re", pohon Aliaj.
Në rolet kryesore të "Delinës" interpretojnë solistët: Enada Hoxha (Delina), Gerd Vaso (Arbani), Greta Hushi (Nora), Doruntina (Isida Mollaymeri), Sokol Zhugri (Guvernatori i Shkodrës). Skenografia dhe kostumet: Taulant Pustina. Dirigjent: Bujar Llapaj.
Z. Aliaj, përse po riktheni baletin "Delina"?
Kompozitori i baletit "Delina", është një nga kompozitorët më të shquar shqiptarë, që ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në konsolidimin e muzikës kombëtare, si me baletin "Para stuhisë" ashtu dhe me baletin "Lumi i vdekur" sipas romanit të Jakov Xoxës dhe libretit të Ëngjëll Tërshanës.
Ky kompozitor shumë interesant, ka konsoliduar gjuhën e veriut me muzikë në baletin "Delina", ashtu edhe në jug me baletin "Lumi i vdekur". Kam admirim për muzikën, punën që ka bërë Çesk Zadeja dhe shërbimin që i ka bërë muzikës shqiptare.
Vepra "Delina" është luajtur për herë të parë në '64-ën dhe pati jehonë sepse muzika ishte më të vërtetë e bukur. Vlerat muzikore të kësaj vepre, bënë të mundur që drejtori i Teatrit të Operës, Zhani Ciko, ta vinte në skenë në kuadër të veprave kombëtare.
Pikërisht për këto vlera, koreografia shqiptare duhet të zërë vendin e saj edhe sot, ku luhen shumë vepra të kompozitorëve të huaj. Kemi krijuar një balet që është në frymën e përrallave popullore, në frymën e fantazisë popullore.
Libreti është po i njëjti, ai i shkruar nga Çesk Zadeja me Panajot Kanaçin?
Libreti ka pësuar disa ndryshime. Është më me fantazi popullore, me një dramë ndryshe nga ajo që ka qenë.
Në këtë libret kemi dashurinë e dy vëllezërve, Arbanit dhe Shotit, për Delinën. Janë rritur bashkë dhe në moshën e rinisë, ata fillojnë e dashurojnë të dy Delinën. Ajo fillimisht nuk e ndan dot dashurinë që ka për të dy, por në fund vendos për Arbanin.
Nga kjo gjë Shoti vuan shumë, edhe nga dëshpërimi arrin edhe të tradhtojë të vëllanë. Në libretin fillestar është përshkruar dashuria e Delinës me Arbanin dhe Shoti ka qenë i pasuri i fshatit që i kundërvihet dashurisë së tyre.
Në libretin e ri janë gërshetuar edhe dy legjenda, e Doruntinës që martohet larg të afërmëve dhe e Norës të Skanjetit, që lind vajzë, kur babai donte djalë. Edhe pse prindërit e saj ndahen, ajo rritet e fuqishme dhe e bukur. E treta është "Delina".
Libreti fillestar flet për luftën me turqit, njësoj si edhe baleti "Halili dhe Hajria". Kurse, tani armiku nuk është i përcaktuar, është një armik në tërësi që ka shkelur vendin..
Tema e dashurisë dhe xhelozisë mes dy vëllezërve që dashurojnë të njëjtën vajzë, është qendrore në këtë version të "Delinës". U kemi ikur temave shablloneve të realizmit socialist. Një ndër këto shabllone ka qenë lufta.
Tri legjenda në një vepër. Muzika ju jep liri?
Çesk Zadeja ka krijuar një muzikë mbi temën e dashurisë, dramës njerëzore, psikologjike. Jemi përpjekur të krijojmë një spektakël, ndryshe nga shfaqjet me një kanun të caktuar nga realizmi socialist. Edhe në gjuhë koreografike.
Jemi munduar të shkëputemi nga vallet tradicionale. Elementi folklorik është ruajtur, elementi i kreshnikëve dhe i shtojzovalleve është ruajtur, por kjo e trajtuar me një gjuhë kontemporane, për ta sjellë në kohë.
Mbi ç'kriter përzgjodhët balerinët?
Bashkë me drejtorinë e Teatrit të Operës, vendosëm që t'i japim rëndësi kësaj vepre. U zgjodhën solistët më të mirë. Enada Hoxha që është primabalerina e teatrit, Gerd Vaso, Dion Gjinika, Greta Hysi, Isida Mollaymeri, Sokol Zhugri, balerinët më të mirë, për t'i dhënë rëndësi kësaj vepre.
Po me Arbanin, ç'punë keni bërë? Ky rol ka një lidhje të veçantë me ju.
Arbani i atëhershëm, i interpretuar nga unë, ka qenë një figurë artistike heroike. Dashuria ishte në planin e dytë. Këtu kemi të bëjmë me një Arban më njerëzor, që ka një dashuri të fuqishme për Delinën, dhe për atë lufton.
Ai është edhe brenda luftës për liri, sepse liria e përgjithshme sjell liri në dashuri. Nuk është ai hero me shpat në dorë që lufton. Nuk është skematik. Unë kam shumë respekt për vënien në skenë të Panajot Kanaçit, me libretin e Çesk Zadejës, por kohët kanë kaluar.
Dua t'i jap një version tjetër. Diçka edhe është ruajtur. Në "humoreskë" ruaj plastikën e duarve, ruaj lëvizjet. Atëherë trupa ishte 70 veta, kishte shumë elementë. Tani ne jemi një trupë shumë më e vogël. Solistët e baletit kanë ikur. Ka një ngritje teknike tek solistët, por janë më të paktë në numër.
Çfarë kujtimesh ruani nga ajo kohë?
Isha 25 vjeç, një ndër rolet e para. U vlerësova me "Çmimin e Republikës". Më kujtohet edhe tani. Mora 50 mijë lekë dhe bleva një piano që fëmijët të studionin muzikë. Për "Delinën" kanë punuar me një seriozitet të jashtëzakonshëm si Çesk Zadeja, si Panajot Kanaçi dhe Shaban Hysa me dekorin.
Ai sapo kishte ardhur nga Polonia ku kryente studimet. Kishte bërë një dekor shumë të bukur, mirëpo, për fat të keq ai dekor u kritikua rëndë, sepse nuk ishte realist. Mali nuk ishte mal, ishte kontur. Hysa erdhi me mendime shumë më progresive, u kritikua në baletin "Delina" dhe u ndërrua dekori më vonë.
Si e kërkonte Arbanin, Kanaçi në 64-tën?
Panajot Kanaçi ka qenë një koreograf me kërkesa të jashtëzakonshme. Përkushtimi që kishte për krijimin e veprave, të detyronte që të ishe edhe ti një kërkues i detajit, i botës së brendshme, i interpretimit virtuoz tenkik.
Të gjitha këto bënin që shfaqja të kishte kualitet. Veç vërejtjeve që u bënë për dekorin dhe për kostumet, shfaqja shkoi shumë mirë. Shaban Hysa, me një unitet stilistik fantastik, diti të sjellë diçka të re, por që u ndesh me goditjen e parë.
Çfarë u kërkoni ju tani solistëve?
Që nga shkolla më ka mbetur kërkesa për të arritur perfeksionin në plastikën e trupit, në dhënien e ndjenjës jo vetëm nëpërmjet gjesteve, por nëpërmjet gjithë qenies. Dhe solistët këtë e kuptojnë.
Po punoj me një staf solistësh shumë seriozë që e duan interpretimin. Megjithatë diçka kanë humbur. Rinia e sotme është më e vështirë. E kanë përkushtimin për profesionin, por jeta e tyre është kaq intensive dhe u merr energji.
Jorida Pasku
Nga : Gazeta Shekulli