Historia e Piramides dhe pse u ndertua ne ate forme

Historia e Piramides dhe pse u ndertua ne ate forme
Piramida që u ndërtua për të shërbyer si muze i Enver Hoxhës, është kthyer ditët e fundit në një mollë sherri mes palëve politike. Mazhoranca kërkon që të shembet ndërtesa në qendër të Tiranës dhe aty të ndërtohet salla e re e Parlamentit, nga ana tjetër opozita kërkon që vendimi të merret me konsultime ekspertësh dhe të tërhiqet ideja e prishjes së kësaj Piramide. Gazeta boton sot në mënyrë të përmbledhur sesi është marrë vendimi për ndërtimin e piramidës, kush ka qenë ekipi projektues dhe arsyet që është zgjedhur pikërisht bulevardi kryesor për të ngritur ndërtesën në formë Piramide. Sipas shumë legjendave në Tiranë është folur deri aty sa ky vend fillimisht ka qenë për të vendosur dhe varrin e ish-diktatorit Hoxha, por në të vërtet nuk rezultoi ashtu.

 Në Piramidë u vendosën vetëm disa sende që kishin të bënin me Enver Hoxhën. Me rrëzimin e komunizmit Piramida u kthye në Qendër Ndërkombëtare të Kulturës ku zhvilloheshin aktivitete të shumta duke filluar nga spektaklet deri te panairet. Në fillim të viteve 2000 në atë godinë u vendos televizioni Top-Channel i cili vijon edhe sot. Përpara dy vitesh u vendos që Piramida të kthehej në një teatër, por një vendim i beftë ka bërë që tashmë aty të ndërtohet salla e re e legjislativit. Nga mazhoranca është thënë se do të jetë 20 shkurti i vitit të ardhshëm dita që do të shembet piramida duke e lidhur simbolikisht me datën që është rrëzuar busti i Enver Hoxhës.

Historia e krijimit të Piramidës

Pas vdekjes së Enver Hoxhës u kryen një sërë ceremonish dhe në nivelet madhore të Partisë se Punës, Byrosë e të Komitetit Qendror u diskutua se si do të përjetësohej figura e udhëheqësit komunist. U hartua një program, sipas të cilit më pas u vendosën bustet e Hoxhës në qytetet kryesore vendit. Një nga pikat e këtij programi ishte dhe ndërtimi i një muzeu për Enver Hoxhën, i cili duhej të ideohej dhe të ndërtohej brenda një kohe rekord prej dy vjetësh (’86-’88) për t’u inauguruar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Projekti ju besua arkitektit të njohur Klement Kolaneci njëherazi dhëndër i Hoxhës, i cili ngriti një grup projektimi ku merrnin pjesë Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu. Ata zgjodhën vendin dhe modelin aktual të një piramide, si modelin më të përshtatshëm për funksionin e një muzeu. Në sheshin ku sot është kryeministria dhe Piramida në atë kohë kanë qenë 3-4 ndërtesa 2-katëshe, Drejtoria e Dytë që merrej me sigurimin e udhëheqjes, ish-shtëpia e Kadri Hazbiut dhe disa shtëpi të tjera që u shpronësuan.

Si u ndërtua Piramida

Zgjedhja e piramidës lidhet me tri motive, duke nisur që nga antikiteti i historisë së kombit tonë me varret, megjithëse këtu ishte e qartë se nuk do të kishte varr. Nëse e vështron piramidën, sidomos nga lart, ajo është bërë e tillë që ajo të shkojë në harmoni me formën e malit të Dajtit. Në të njëjtën kohë ajo u ndërtua si një godinë jo me funksion të ngushtë, por si guackë e hapur nga brenda. Ideja ishte e krijimit të një hapësire të vazhdueshme komunikuese me të gjithë ambientin. Kur hyn nga jashtë brenda në godinë gjithmonë drita të shoqëron. Kjo vlen për sallën e muzeut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama