Atë që shqiptarët nuk bëjnë dot me gjuhën shqipe, e bën një kinez. Kryeministri Rama tregon përvojën e tij me një dokument të dorëzuar nga ambasada kineze, e cila ishte shkruar me një gjuhë shqipe perfekte dhe pa asnjë gabim ortografik.
“Dokumenti prej 4 faqesh nuk kishte asnjë gabim ortografik dhe mendova se kishte një redaktor të shkëlqyer shqiptar në ambasadë. Kjo përkonte kur ne po diskutonim për praninë e redaktorëve të gjuhës shqipe nëpër ministri. Një shkresë të atillë shteti shqiptar s’e prodhon dot kurrë dhe e pyeta kush e ka shkruar atë, dhe më tregoi me gisht atë djalin që e ka shkruar. (Një punonjës kinez në ambasadën kineze i cili merret me përkthimin). Prandaj kush dëshiron ta studiojë gjuhën shqipe gjerësisht e thellësisht duhet të shkojë në Pekin” tregoi kryeministri.
Gabimet ortografike me të cilat hartohen dokumentet shtetërore janë tepër shqetësuese dhe pak kohë më parë nxitën kryeministrin Rama për të ndërmarrë inisiativën e emërimit të redaktorëve të gjuhës shqipe në çdo ministri.
Kryeministri Rama ishte sot në ceremoninë e institutit Konfuci, në Universitetin e Tiranës.
Qëllimi kryesor i Institutit Konfuci është promovimi i gjuhës kineze për të kontribuar në zhvillimin e multikulturalizimit. Gjuha është një urë për shkëmbimin kulturor, ndaj të mësuarit e saj, do të lejojë të kuptuarin e kulturës kineze për rininë shqiptare, si dhe do të motivojë interesat e tyre për të studiuar në Kinë. Instituti do të jetë një vlerë e shtuar për universitetin jo thjeshtë në drejtim të promovimit të gjuhës dhe kulturës kineze, por edhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme, si psh: leksioneve të hapura, seminareve, konferencave ndërkombëtare akademike, etj., si dhe organizimin e aktiviteteve që mbulojnë kulturën, historinë, filozofinë, politikën, artin si dhe tema të ngjashme të interesit.