Historia e dashurise e dy te rinjve te zakonshem ndryshe nga Çarlsi dhe Diana

Historia e dashurise e dy te rinjve te zakonshem, ndryshe nga Çarlsi dhe Diana
Imazhi është nga ata që nuk do të harrohet asnjëherë: një djalosh i gjatë dhe i hollë 15-vjeçar dhe duart e kryqëzuara dhe i veshur me kostum të errët, që ecën mes rrugëve të Londrës përmes një turme të madhe njerëzish, ku bashkë me të vëllanë dhe babain ndjek makinën ku ndodhet arkivoli i nënës së tij deri në katedralen Westminster. Djaloshi ishte William, ndërsa e ëma Diana, princesha e Uellsit, që humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris, duke hidhëruar gjithë botën. E ndërsa mediat i mbushnin kronikat me teori komploti për aksidentin, kush ishte afër William-it kishte një shqetësim më të madh: të mbronte mbretin e ardhshëm dhe vëllain e tij më të vogël Harry.

Të dy djemve iu desh të përballeshin me kolapsin publik të martesës mes Lady D dhe babait të tyre, princit Çarls. Si do të arrinin ta kalonin pa problem një traumë të tillë? Por mesa duket ia arritën, madje shumë mirë. William kthehet sërish në qendër të skenës, kësaj here në rrethana të tjera: për martesën e tij me Kate Middleton. Në 14 vitet e kaluara që nga vdekja e Dianës u shndërrua jo vetëm në një djalosh brilant dhe të sigurt në vetvete, por edhe në shpresën e madhe të Winsdsor-ëve. Kështu u rrit mes shumë vështirësive djali i mbarë dhe bukurosh. Në vitin 2001, kur mbërriti në universitetin “St. Andrews” në Skoci, vajzat mezi prisnin t’i “hidheshin”, por në fund garën e fitoi Kate.

Siç e dimë tashmë, Kate nuk është një aristokrate. Babai i saj, Michel, ishte pilot, ndërsa e ëma Carol, stjuardesë e “British Airways”. Por në vitin 1987 të dy braktisën sektorin ajror dhe themeluan “Party Pieces”, një shoqëri që tregtonte lojëra, zbukurime, kostume ekstravagante dhe gjëra të tilla, mbi të gjitha për festat për fëmijë, fillimisht përmes postës e pastaj përmes internetit. Disa vjet më vonë u bënë milionerë. Ajo që kishte nisur thjesht si një miqësi, u kthye shumë shpejt në një histori dashurie, edhe pse vetëm nëntorin e vitit të kaluar “Waity Katie”, ashtu siç i ishte vënë emri nga shtypi, shtiu në dorë më në fund mashkullin e saj.

William tregoi se i kishte kërkuar të martoheshin gjatë pushimeve në Kenia dhe unazën e kishte marrë me vete në çantë. Dhe çfarë unaze! Atë me diamante që Çarlsi i kishte dhuruar Dianës. “Është shumë e veçantë për mua. Edhe Kate tani është shumë e rëndësishme për mua, ndaj ishte e drejtë ta vendoste ajo në gisht”, deklaroi William. “Ishte një mënyrë për të kujtuar edhe nënën time sot.

Doja që ajo të ishte këtu”. Por Kate nuk është Diana. Ndërsa Diana ishte shumë e ndjeshme dhe plot humor, Kate duket një tip i qetë. Diana vinte nga një familje aristokrate dhe problematike, Kate vjen nga një familje e shëndetshme. Disa ditë para dasmës, funksionarët e shtëpisë mbretërore deklaruan se princi donte t’i jepte bashkëshortes së tij disa vite paqe dhe qetësie për t’u mësuar me jetën mbretërore, në vend që ta përfshinte menjëherë në angazhime siç kishte ndodhur me Dianën. Kate, ose Katherine, siç e thërrasin zyrtarët e mbretërisë, do të “interpretojë” pjesën e një zyrtari të forcave ajrore mbretërore në një banesë në ishullin Anglesey, shumë larg nga stili dhe nga kilometrat nga “Buckingham Palace”.

 Por nuk mund të heqë dorë nga detyrimet mbretërore, mes të cilave edhe një vizitë zyrtare në Kanada në fund të qershorit. Pastaj do të jetë edhe prania e bezdisur e fotografëve që duan të shkrepin fotot ekskluzive të çiftit më të famshëm në botë. Gjithsesi, William ka shumë mundësi që të vazhdojë të ecë në rrugën e tij, ashtu si ai djaloshi adoleshent që ecte pas arkivolit të së ëmës në ditët e zeza të shtatorit të vitit 1997.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama