Ditën e enjte, në orën 21:00, në Marsejë, Gjermania do përballet në gjysmëfinale kundër Francës. Kombëtarja franceze njihet me dy nofka: "blutë" dhe "gjelat".
Historia ka treguar se gjermanët janë specialistë për organizatorët. Këtë e ka treguar historia e nëntë përballjeve nga viti 1972 kundër Belgjikës deri në 2014 përballë Brazilit.
Humbja e fundit daton në finalen e Botërorit 1966 kundër Anglisë. Edhe kjo disfatë erdhi pas golit fantazmë që mbahet mend si "goli i Uemblit".
Dështimi i dytë ka ndodhur në Botërorin 1958 në gjysmëfinale përballë organizatorëve të Suedisë (1-3).
"Gjela" jepni lamtumirën!
Kjo ka qenë thirrja e tifozëve gjermanë sapo u informuan mbi këtë bilanc.
Në nëntë përballje me organizatorët, Brazili e ka pësuar më keq në 2014-ën kur u turpërua 1-7.
"Euro 1972": 1/2-at kundër Belgjikës
Pas "turpit të Tiranës" në 1968 (0-0 ndaj Shqipërisë), Gjermania merr pjesë për herë të parë në finalet e një Europiani, Belgjikë 1972. Në gjysmëfinale kundër Belgjikës, "pancerat" fitojnë 2-1 falë dopietës së Gerd Mylerit dhe në finale mundin 3-0 ish-Bashkimin Sovjetik. Dy vite më vonë, Gjermania fiton edhe Botërorin 1974.
"Euro 1976": 1/2-at kundër ish-Jugosllavisë
Përsëri organizatorët në gjysmëfinale kundër Gjermanisë. Sërish një tjetër Myler, këtë herë ai i Këlnit, Diter Myler. Jugosllavia mbylli 2-0 pjesën e parë, por në të dytën barazojnë Flohe (64´) dhe Diter Myler (82´). Ish-bomberi i Këlnit shënoi dhe dy gola të tjerë në shtesë (115´, 119´) duke i dhënë fitoren 4-2. Humbin finalen në Beograd ndaj Çekosllovakisë me penallti (5-3) pasi Uli Hënes e gjuan jashtë.
Botërori 1982: Në grup kundër
Spanjës Pas barazimit pa gola ndaj Anglisë në fazën në grupe, Gjermania fiton ndaj Spanjës 2-1 në Madrid falë golave të Klaus Fisher dhe Pierre Litbarski. Në gjysmëfinale mundin Francën me penallti (5-4) pas barazimit 1-1, ndërsa në finale humbin 1-3 përballë Italisë.
Botërori 1986: 1/4-at kundër Meksikës
Gjermanisë iu drodhën gjunjët në Monterrei pas barazimit pa gola për 120 minuta ndaj organizatorëve të Meksikës. Tomas Bertold u ndëshkua me karton të kuq, por heroi ishte portieri Toni Shumaker, i cili pret dy penallti të meksikanëve dhe Gjermania fiton 4-1. Në gjysmëfinale mund Francën 0-2, ndërsa në finale humbet 2- 3 ndaj Argjentinës.
"Euro 1992": 1/2-at ndaj Suedisë
Kampionët e botës në fuqi (1990) arrijnë në gjysmëfinale. Ishte momenti për të marrë hak për humbjen 1-3 në gjysmëfinale të Botërorit 1958. Gjermania fiton 3-2 falë dopietës së Ridle (59´, 88´) dhe golin e Tomas Hesler (11´). Në finalen e Goterborgut, djemtë e Fogtsit dështojnë në mënyrë surprizë ndaj Danimarkës (0-2).
"Euro 1996": 1/2-at kundër Anglisë
30 vite kishin kaluar nga humbja e fundit përballë organizatorëve, ndaj Anglisë në finalen e Botërorit 1966. Në gjysmëfinale, Gjermania ritakohet me "Tre luanët" dhe pas barazimit 1-1, i mund me penallti 6-5. Andreas Këpke i pret penalltinë Garet Suthgejt. Në finalen e "Uemblit", ekipi i Fogtsit fiton 2-1 me "goldengol" të Bierhofit.
Botërori 2002: 1/2-at ndaj Koresë së Jugut
Në Seul, "pancerat" luanin kundër "murit të kuq". Mikael Balak merr kartonin e dytë të verdhë gjatë turneut dhe humb finalen, por ishte pikërisht ai që shënoi golin e fitores Në finalen e Jokohamas, skuadra e Fëlerit humb 0-2 përballë Brazilit.
"Euro 2008": Në grup kundër Austrisë
Në Grupin B, Gjermania e mbyll e dyta me 6 pikë. Më 16 qershor përballet me organizatorët e Austrisë, ku Balak shënon nga një goditje dënimi (49´) dhe i jep fitoren 1-0 ekipit të Joakim Lëvit. Lëv pezullohet pas debatit me gjyqtarin e katërt dhe qëndron në tribunë në çerekfinale kundër Portugalisë. Gjermania fiton 3-2 edhe gjysmëfinalen ndaj Turqisë, por e humbet finalen 0-1 ndaj Spanjës.
Botërori 2014: 1/2-at kundër Brazilit
8 qershori 2014 në Belo Horizonte do mbahet mend gjatë nga gjermanët dhe brazilianët. Gjermania shkatërron 7-1 ku 4 gola i shënon për 6 minuta. Pesë ditë më pas vjen edhe triumfi i tyre në "Marakana" kundër Argjentinës.
"Euro 2016": 1/2-at kundër Francës
Franca ka qenë shumë herë "viktima" e Gjermanisë gjatë këtij rrugëtimi të sipërsqaruar. Nëse "gjelat" do kenë fatin e 9 organizatorëve të sipërpërmendur, kjo mbetet për t'u parë. Franca mund të ngushëllohet vetëm me triumfin e Suedisë në gjysmëfinalen e Botërorit 1958 si dhe të Anglisë në finale 1966. Por, mos harrojmë që do përballen me kampionët e botës...
Përgatiti: ENIAR IBRO