Historia e tavanit 138-vjecar

Historia e tavanit 138-vjeçar
Tavani më i vjetër i etnografisë shqiptare, që ka arritur të vijë deri në ditët tona, është 138-vjeçar. Ai daton në vitin 1873 dhe i përket familjes Ruli nga Berati. Ky tavan është pjesë e objekteve që po restaurohen për t’u ekspozuar në Pavijonin Etnografik që po ngrihet në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Aktualisht grupi i specialistëve po merret me restaurimin e objekteve që do të jenë pjesë e pavijonit etnografik, që është projektuar të vendoset në katin e dytë të Muzeut Kombëtar, në një hapësirë prej 1400 metrash katrorë. Në këtë pavijon do të ekspozohen objekte që janë vlerësuar si pasuri e etnografisë së popullit shqiptar. Pjesë e këtyre objekteve është dhe tavani 138-vjeçar i familjes së vjetër beratase. Ky tavan i është marrë kësaj familjeje në vitin 1974 nga shteti shqiptar i asaj kohe, për t’u ekspozuar në një ekspozitë në Paris, me temë “Arti shqiptar ndër shekuj”. Pas kësaj, ai është zhvendosur në pavijonin e etnografisë që ka ekzistuar dikur në mjediset e ekspozitës “Shqipëria sot” dhe deri para se të merrej nga grupi i specialistëve që po merren më ngritjen e pavijonit të etnografisë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ka qenë në magazinat e ish-ekspozitës “Shqipëria sot”.

Gjendja e tij, ashtu si dhe e shumë objekteve që janë përzgjedhur për të qenë pjesë e ekspozitës, nuk është aspak e mirë. Ndërhyrjet që i janë bërë punës së mrekullueshme me dorë në kompozimin e tavanit me bojëra dhe gozhdë, kanë lënë gjurmë të parikuperueshme në disa pjesë të tij. Duke hequr shtresat e bojës, restauruesit kanë vënë re që sipër shtresës fillestare janë mbivendosur 9 lloje bojërash të ndryshme, ku vihet re dhe ndikimi i kulturës islame i fundshekullit të 19-të. Për më tepër, gjendja e tij është rënduar më shumë dhe nga fakti se për herë të fundit është vënë dorë për restaurimin e tij vetëm në vitit 1974, pikërisht para se ai të ekspozohej në Paris. Por dëmtime ka dhe për shkaqe klimaterike, siç është p.sh. kalbja e pjesës së drunjtë të punuar me dorë, që kërkon një punë akoma më të kujdesshme. Pjesa e tavanit që do të ekspozohet në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar është 25 metra katrorë, i gdhendur me dorë nga mjeshtrit e kohës dhe ka një ndërthurje të dy kulturave shqiptare veri dhe jug.

Në këtë objekt vihen re qartë ndikime, si nga krahinat e veriut ashtu dhe të jugut. Tavani konsiderohet si një objekt i trashëgimisë sonë kulturore, ku punimet në pjesën qendrore të tij janë basoreliev që i takon sonës së Dibrës dhe pjesa tjetër e gdhendjes së drurit i takojnë zonës së jugut. Për restaurimin e objekteve që do të ekspozohen në pavijonin e etnografisë, mbështetja financiare është bërë e mundur nga PNUD. Por ndërkohë, puna në restaurimin e objekteve që janë zgjedhur për t’u ekspozuar në këtë pavijon kërkon akoma më shumë fonde. Mungesa e fondeve e ka detyruar grupin e restauratorëve, që drejtohet nga specialisti Frederik Stamati, të zgjedhim objektet që do të montohen në pavijonin e etnografisë në Muzeun Historik Kombëtar. Të gjitha objektet që do të ekspozohen janë origjinale, ndërkohë që specialistët kanë zgjedhur ato më të spikaturat dhe që kanë dhe një shtrirje gjeografike nga Veriu në Jug, për të krijuar një ide të plotë të pasurisë sonë etnografike. Ky pavijon vjen si zgjidhje pas dështimit të idesë për të ngritur një muze të etnografisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama