Kjo asht arsyeja pse sot shqiptarëve nuk u mjafton ma historia e zoologjisë që u asht servir për dekada por kërkojnë nji histori njerzore, ku të pasqyrohet mbijetesa e vështirë e lirisë ndër shpirtnat e tyne.
Nuk mund të mohohet se për nji gjysmë shekulli nji popull i tanë asht mshehë dhe ka refuzue përgjegjsinë morale përpara historisë së vet. Asht mshehë mbas justifikimeve se shtërngimi dhe dhuna s’lejonin asnji mundësi tjetër. Për këtë epokë të errtë rrëfehet At Zef Pllumi, të cilin jeta e përpoqi me njerëz që jetonin në rrethana ku virtytet mbaheshin të mshehuna, kurse veset ishin të dukshme. Ai vetë, në thjeshtësinë e tij, mund të konsiderohet si nji fenomen mjaft i rrallë për kohën në të cilën jetoi.
Asht paradoksal fakti, por regjimi i E. Hoxhës paraqitej si nji fe e re dhe kërkonte prej njerzve me besue me zor në mrekullina.
Disa prej dogmave që duhet të besoheshin me detyrim ishin, për shembull: përparimi i vendit, liria dhe demokracia, mirëqenja e naltë, forca e ekonomisë socialiste, fuqia ushtarake e vendit, mirësia absolute dhe largpamësia e pashoqe e shokut Enver.
Paradoksi qëndron në faktin se në anën tjetër, nji frat i vorfën, i panënshtruem, që besonte në lirinë e personit, na tregon realitetin me rrëfimet e tija të thjeshta e plot dritë.
Me lexue veprën e françeskanit tonë domethanë me kuptue diçka rreth nevojës që kemi pasë dhe kemi ende sot për me e zhvendosë fatin tonë prej atje ku e ka çue inercia e shekujve, tue reshtë ma në fund së qeni prodhime pasive të nji të kaluemeje të trishtueshme.
Duket se At Zef Pllumit forca për me jetue e me shkrue i ka ardhë prej nji imperativit të mbrendshëm: «Rrno vetëm për me tregue». Historia që ai na ka rrëfye ka qenë nji premtim ndaj së vërtetës që nuk mujti me folë kurrë, nji dëshmi ndaj së vërtetës që ia mbyllën gojën dhe e vranë, që ia sheshuen vorrin, ia dogjën veprat, që u munduen me e shue me damnatio memoriae.
Rrëfimi i At Zefit nis në fundin e vitit 1944. Asokohe nëpër rrugë parakalonin fitimtarët, tashma historia njihte vetëm zanin e tyne. Hapat e randë do të matnin aty e mbrapa deri edhe rreshtat e historianit në letër, çdo gja që do të shkruhej duhej t’i pëlqente atij hapi që shkelte kudo. As të vdekunit nuk i kishin shpëtue rrezikut. Mbas nji lufte mes vedit shqiptarët ishin nda në fituesa dhe në humbësa.
Nji ish-teneqexhi dhe nji ish-student biokimie detyronin gjysmën e shqiptarëve me fjetë me tesha veshë, prej frikës se mund të arrestoheshin edhe në gjumë.
At Zef Pllumi rrëfen jetën e njerzve të thjeshtë, t’atyne që qëndruen herë në heshtje e herë në ballë të stuhisë, në nji kohë që jeta e zakonshme ishte kthye në nji pantomimë të turpshme, të frikshme, të neveritshme. Edukimi normal ishte: me u ba spijuj para se me u ba njerëz. Deri edhe tufzimi i bagtive u krye vetëm mbasi ishte krye tufzimi i njerzve. Ideologjija komuniste pikturonte së jashtmi shpirtin e shqiptarit me motive të hueja për të, dhe ndërkaq e zbrazte atë prej cilsinave të mira natyrale.
Dhuna irracionale nuk kishte triumfue krejtsisht, kishte njerëz si At Zef Pllumi e dhunës i duhej të përballej me forcën e arsyes.
Nën etiketën e komunizmit dolën në krye forcat ma të mbrapambetuna të shoqnisë, prodhimi shpirtnor i 500 vjetëve nënshtrim, përulje dhe verbnim vetëdijet kombtare.
Ata të cilëve nuk i kishte ardhë kurrë era njeri donin me ndërtue njeriun e Shqipninë e re!
Ndërkaq, intelektualët e vërtetë, shpirtnat e lirë e të ndritun, ata që ishin shpresa e Shqipnisë, prej Jugut në Veri, u pushkatuen dhe u burgosën si të ishin kriminela.
U shkyen teshat e reja për me arnue do zhele të vjetra 500-vjeçare.
Klioja, muza e historisë – u kthye prej historianëve të modelit enverian në nji prostitutë të shpartallueme, që në nji anë zbulonte hiret e rreme e në anën tjetër mbulonte lebrën e vërtetë.
Nuk duhet të harrojmë se e kaluemja komuniste ruen ende sot nji sovranitet të mshehtë mbrenda historiografisë shqiptare e flas jo vetëm për historinë e popullit shqiptar por edhe për historitë tjera të veçanta, tue nisë tek ajo e letërsisë, këtej e matanë kufinit tonë politik.
At Zef Pllumi ka dashtë që jeta e tij të kthehej në nji mjet ase në nji rrugë për me njohtë deri në fund dhe për me tregue deri në fund të vërtetën.
Ai, shqiptarët i ka dashtë pse i ka njohtë. E ka dashtë shqiptarin edhe mbasi e ka provue sesa i aftë asht shqiptari me i ba keq shqiptarit. E ka dashtë në nji mënyrë që s’mund t’i mësohet kurrkujt, e ka dashtë me dashninë e Zotit.
Ideali i nji njeriu të arsyeshëm asht me njohtë dhe me tregue deri në fund të vërtetën.
Por me njohtë dikënd deri në fund dhe me tregue diçka deri në fund asht e pamujtun. Vetë historia asht kufini i dukshëm i ekzistencës sonë toksore, pse ajo s’asht gjithçka.
Ka diçka që kalon përtej historisë. Ka diçka, që buron prej veprimeve tona të mira apo të këqija, që historia ia dorzon në fund amshimit si peng për lirimin ose për dënimin tonë.
Vuejtja e pat mësue At Zef Pllumin se shpirti i njeriut nuk mund të njihet deri në fund e aq ma pak mund të përshkruhet deri në fund. Mbrenda secilit mbetë nji mister i pathanshëm. Diçka e përgjumun, e trembun, e etun për dritë, diçka që ai vrojtoi sesi flente edhe mbrenda shpirtit të shumë kriminelave që njohti gjatë jetës së tij. Nganjiherë kjo gja misterioze mbërrinte me marrë trajtat e së mirës, por ma së shumti kthehej në nji frikë të pakuptueshme, në nji stepje përpara thirrjes së ndërgjegjes.
Kjo gja e ka shty At Zef Pllumin me qenë i vendosun kundër së keqes, por mos me e përbuz njeriun. Do të lodheni kot për me gjetë edhe nji rresht të vetëm urrejtje a përbuzje në shkrimet e tija, pse ai ka pa tek njeriu krijesën e Zotit, edhe pse shpeshherë krijesa – tue mos pasë kurrfarë vetëdije - kambëngulte me u shpallë botnisht si mbasardhëse e majmunit.
Ai ka pa rreth tij, gjatë jetës plot vuejtje, marioneta pa shpirt dhe pa arsye, fijet e të cilave drejtoheshin prej larg e ndonjiherë edhe këputeshin përfundimisht tue ba që rolet të ndërroheshin e bota të përmbysej papritun. Mjaft shpesh i qëlloi me pa sesi entuziazmi fanatik i kthente budallenjtë në qenje të pamëshirshme dhe të liga.
Ne të gjithë e dijmë se për me u ba atletë në nji sport të caktuem kemi nji kohë të kufizueme deri në nji farë moshet, mandej humbë përgjithmonë mundsija. Ky asht kufizimi i qenjës sonë landore, materiale. Por, për me e braktisë rrugën e marrisë së verbët s’asht kurrë vonë. E këtu qëndron siperania (superioriteti) e shpirtit të njeriut. Tek kjo veti njerzore ka besue At Zefi Pllumi, e për këtë arsye ai nuk ka dënue askënd, por ka paraqitë njerzit dhe faktet ashtu siç kanë qenë.
Për me rreshtue ngjarjet me besnikí, mjafton nji kujtesë e fortë, e At Zefi e kishte këtë dhanti. Por, për me i kuptue ngjarjet duhet diçka ma shumë. Ka raste që edhe në jetën tonë, tue i dijtë faktet, e kuptojmë arsyen e gjanave vetëm mbas shumë kohësh.
Për me ndjekë fillin dhe arsyen e ngjarjeve nevojitet vetëdija e shpirtit, gja që asokohe e kishte vetëm nji pakicë njerzish.
Ata që e kanë jetue historinë që rrëfen At Zef Pllumi, kanë përftue në thellësinë e tyne nji trishtim kur e kanë lexue.
Dikujt iu groposën andrrat në fund të vitit 1944 dhe jetoi me këtë trishtim deri në fund. Dikush tjetër pa fundin e idhujve dhe të utopisë në vitin 1990 dhe provoi trishtimin e zhgënjimit.
E megjithatë, këto dy trishtime së bashku, thyemja dhe zhgënjimi, ende nuk kanë gjetë hapsinën e duhun në historinë tonë. Në 1991 u shemb nji epokë me padrejtësina, dhimbje, vuejtje e askurrkush nuk i kërkoi të falun kurrkujt. Historia heshti turpshëm, pse atë ende e bajshin po të njejtit bakaj.
Leximi i historisë edhe sot të len të shrrejtun, pse të duket se tryeza e punës e historianit ka qenë nji pasqyrë e mysët, ku e vërteta picigjatohet, ndërpritet, përthyehet, humbë dhe zhduket pa konture, pa ide e pa vijimsi.
Kurse At Zef Pllumi lexohet me andje pa qenë historian, jo pse përfaqsonte nji fenomen të izoluem për kohën kur ka jetue dhe as pse ka ba inventarin e dhimbjeve të nji populli, por pse ka dijtë me e dallue para të tjerëve aurorën e nji shprese.
Me thanë gjithçka për historinë, asht me thanë tepër, përsëriste dikur H. Taine, e At Zef Pllumi – e dijnë mirë miqtë e tij – nuk i ka thanë të gjitha. Ai asht ndalë tek thelbsorja, pse qëllimi i tij ka qenë jo me u kthye mbrapa e me numrue gjithçka, por me ec përpara tue u mundue me nxjerrë mësim prej historisë.
Tek At Zef Pllumi shkrimi i historisë nuk ka qenë nji mënyrë me u skapullue prej së kaluemes. Ka qenë rruga për me çlirue shqiptarët prej peshës së padukshme të së kaluemes që jeton ende midis nesh dhe ndikon negativisht në jetën tonë.
Antikiteti greko-romak na ka lanë trashigim idenë se kujtesa individuale dhe kolektive asht nji art në vete. E ne sot o do të kultivojmë artin e kujtesës ose do të jemi të dënuem mos me e njohtë vetveten ma larg se dy breza, të dënuem me mbetë fëmijë e mos me u trajtue seriozisht prej kurrkuj, të dënuem me përsëritë të njejtat gabime, me mësue përditë të njejtin alfabet për me ba si fillestarë të njejtat gabime në keqshkronjën e historisë. Deri dje historia ishte nji protezë trashamane e nji realiteti të mjerë. E tashmja nuk ekzistonte ma, ajo ishte histori, ishte lavdi, ishte kult i padiskutueshëm.
Sot kemi nevojë me jetue të tashmen të çliruem prej historisë, por me njohtë historinë pa u mundue me ia përshtatë së tashmes.
Friedrich Schiller-i tek nji poezi me titullin Resignation, ndër të tjera shkruen: “Die Weltgeschichte ist das Weltgericht” (Sämtliche Gedichte, Insel, 1996, f. 159). Historia e nji populli asht gjyqi i mbramë i atij populli, prandaj kemi nevojë për historianë që të kenë për ideal të vërtetën, dijen e papërlyeme prej interesave të tjera, ndershmëninë, paanësinë - pse prej historisë mvaret e ardhmja jonë, mbasi ne shqiptarët, ashtu si edhe ballkanasit e tjerë, hamë bukë e histori, e kur na mungon buka hamë vetëm histori.
Gazeta: Shekulli