Historia unike e Stavri Lubonjes qe heshti 20 mije veta ne stadium

Historia unike e Stavri Lubonjës që heshti 20 mijë veta në stadium

Nga Uvil Zajmi

Kanë kaluar 55 vjet nga fundqershori i vitit 1961. Një ditë jo si të tjerat për nga historia sportive që mbart, madje nga ato të pakta që kujtohet për disa motive: Dy takime dhe 242 minuta të pafundme, 5 "extra-time", "Golden Goal" i jashtëzakonshëm për kohën dhe treshja Resmja-Lubonja- Pano, autorët e golave më të famshëm të një finaleje të dyfishtë. Po, të një derbi të paluajtur asnjëherë në kampionatet shqiptare për titullin kampion, siç ka qenë ajo Partizani-Dinamo para një gjysmë shekulli. Si e kujton sot Stavri Lubonja, korçari dinamovit që realizoi golin e barazimit dhe shtangu stadiumin në minutën e 119-të kundër Partizanit në 29 qershorin e largët?

Në Qemal Stafa, Lubonja duke goditur portën

Në Qemal Stafa, Lubonja duke goditur portën

Cila është karriera e çfarë bën sot në Boston ku jeton prej vitesh bashkë me gruan, një nga balerinat e famshme të Ansamblit. Ajo mes tyre ishte një "love story" e konsideruar si ndër dashuritë më pasionante që çmendi Tiranën e viteve '60... Si mundi të luajë në kampionatet shqiptare futbollisti me nënshtetësi amerikane që u duartrokit nga Enver Hoxha, i pranishëm në stadium kur Lubonja shënoi një gol spektakolar? Një histori sa sportive, aq edhe sentimentale, tejet e rrallë për një futbollist protagonist të asaj kohe...

Cili ishte amerikani Lubonja?

Mund të jetë i pari dhe i vetmi futbollist "amerikan" që ka luajtur në Shqipëri pas viteve '50 me klube dhe në kombëtare. Babai i lindur në vitin 1890, pastaj emigruar në Amerikë, rikthehet më 1931 në Korçë, por me shtetësi amerikane. Pastaj martesa dhe në shtatorin e 1935 vjen në jetë Stavri, që për shumë vite ka figuruar dhe e kanë njohur si djali i një amerikani. Ishte 102 vjeç kur babai nxori nga sënduku pasaportën e fshehur prej dekadash, por që kishte skaduar dhe ishte jashtë përdorimit. I duhet që ta rinovonte, por ishte e pamundur, pasi në Shqipëri nuk kishte Ambasadë Amerikane. Ndërkohë, Stavri, me frikën si "djalë amerikani" që ishte, kaloi fazat e adoleshencës, pa u "ngacmuar" edhe për faktin se nuk jemi në situata të tensionuara me Amerikën. Armiqësia e madhe do të fillojë vite më vonë, pikërisht në kohën kur Stavri Lubonja është protagonist i njohur e me famë, që për fatin e tij i lënë në harresë nga politika dhe mekanizmat e saj në ato vite shumë agresive për biografitë. Por gjithmonë me hijen e një prindi amerikan mbi shpatulla, me një baba, i cili në shumë takime, sidomos ato të fillimit në Korçë, shkonte për ta parë duke qëndruar në heshtje pas portës për të mos tërhequr vëmendjen e të tjerëve.

Lubonja duke shkelmuar topin e parë

Lubonja duke shkelmuar topin e parë

Në Tiranë, pëlqehet nga Aputin Boris

Viti 1948, 13 vjeç, nxënës shkolle, dhe si shumë korçarë e fillon me boks, me K. Milen. Njeh kampionin M. Dishnica që nga goditjet e marra nuk sheh nga njëri sy. Aktivizohet me të rinjtë, por mjeshtrit e këtij sporti konstatojnë se nuk e ka pasion dhe nuk e lë familja. Ndërkohë, aktivizohet me Dinamon e Korçës, bashkë me Bimblin, vëllezërit Papadhopulli, te fabrika e sheqerit ku luhen takimet e shkollave. Golin e parë me fanellën e Korçës e ka realizuar në vitin 1949, në finalen e mbyllur 1-1 për nder të Kongresit, e cila u zhvillua në Tiranë. Pas dy vitesh ka udhëtuar për në Tiranë bashkë me disa të rinj futbollistë të Skënderbeut, si Kovaçin, Dhaskalin, Koçën, Prodanin, Tolen. Arsyeja ishte një seleksionim që do bëhej për ekipin kombëtar të të rinjve. Të grumbulluar në hotel "Dajti", stërviten të ndarë në kombëtare A dhe B, madje disa futbollistë pëlqehen dhe u propozojnë të qëndrojnë në Tiranë pranë klubit, ndër ta edhe Lubonja. Fillon stërvitjen me Dinamon, njëkohësisht edhe Teknikumin e Fizkulturës, duke u aktivizuar me skuadrën e shkollës në kampionatin lokal të qendrave të punës, në një formacion bashkë me E. Beliun, K. Krajën, F. Delialisin, I. Shuken, trajnerin e pedagogun M. Alla. Në vitin 1954 mbaron Teknikumin dhe ministri Kadri Hazbiu e thërret në zyrë dhe e pyet: "Stavri si do të bësh, do shkosh ushtar për një vit, pastaj të kthesh te Dinamo?". Bashkë me dëshirën e drejtuesve të Ministrisë, pëlqehet shumë nga Zihni Gjinali që asokohe drejtonte klubin dinamovit. Ndërkohë që në seleksionime për lojtarët e perspektivës ishte i përzgjedhur edhe nga trajneri rus Aputin Boris që ndodhej në Shqipëri.

Kur e urdhëronin: "Ndal, ndal se do qëlloj!"

Në vitin 1954, Partizani e merr si përforcim në "Lojërat e Ushtrive Mike" në Bullgari. "Duhet të hedhësh një firmë për të marrë dietat, veshjet", i thonë në prag të nisjes për në Bullgari. Pas kthimit nga turneu, ndërsa diskutohej për të, pasi ka zbritur në Tiranë, dyshon kur e pyesin nëse do të shkojë me Dinamon apo do luajë me Partizanin pasi ka nënshkruar, duke i treguar shkresën që kishte firmosur për trajtim ushqimor e material sportiv para nisjes. Ndërsa qëndronte te motra në "Rrugën e Kavajës" (Rruga "Konferenca Peza"), në një nga mëngjeset, i sapokthyer nga Bullgaria, i trokasin te dera dhe një oficer me pushkë e veshje ushtarake i thotë: "Me urdhër jeni rekrutuar dhe jeni caktuar të kryeni shërbimin ushtarak në RKP të Elbasanit". "Jo, nuk shkoj", e ka kundërshtuar dhe me vrap largohet. Menjëherë pas kësaj ka dëgjuar thirrjen: "Ndal, ndal ushtar se do të qëlloj", që bërtiste oficeri. "Shkova pa frymë te Dinamo, takova shefin, i tregova ngjarjen. Ai mori Ministrinë dhe më thanë të qëndroja duke më sistemuar në klub, ku edhe flija". Por, nuk zgjati shumë sepse duhej të zbatohej urdhri. Shkoi në Elbasan, në Korpusin qendror duke luajtur në kampionatin e reparteve ushtarake. Pak kohë më pas, në tetor, rikthehet në repartin e Artilerisë dhe ndërsa janë duke bërë prova në fushën e aviacionit për paradën e 28-29 Nëntorit, e sheh Zihni Gjinali që po stërviste Dinamon. "... Mos u mërzit Stavri, do vish te Dinamo!", ishte komunikimi i shpejtë me trajnerin legjendar dhe ndërsa dosja ishte përgatitur të përcillej te Partizani, pas disa ditësh vjen urdhri dhe njoftimi që të transferohej në një repart të Ministrisë së Brendshme. Këtu merr fund edhe pasioni e dëshira e Petrit Dumes, gjeneralit pasionant kur në stadium duke parë Lubonjën u tha shoqëruesve: "Kam marrë shumë futbollistë te Partizani, por Stavri Lubonjën jo..."! Dumja nuk e kishte fshehur asnjëherë simpatinë dhe vlerësimin që kishte për të. Te Dinamo gjen një grup me kolosë: nga trajneri Z. Gjinali e kapiteni Xh. Shaqiri, te Q. Vogli, L. Dashi, Sh. Rreli, B. Boriçi, B. Vila, S. Jareci, H. Bakalli, S. Begeja, E. Beliu, H. Verria, Q. Halluni, Dh. Gjyli, E. Tallushi

Gagarin në hapësirë, ndërsa Hoxha te Partizan-Dinamo

Ka qenë një duel i madh e tejet rivalizues gjatë dy dekadave ai midis Partizanit dhe Dinamos. Kulmi arriti në sezonin e vitit 1961. Në muajin shkurt, për Kupën e Kongresit të 4-ët të PPSH-së, regjistrohet përballja e parë: Partizani-Dinamo 3-0, Resmja autor i tre golave. Me 12 prill, në javën e 8-të, Partizani- Dinamo 3-1 (Bespalla (D), Bukoviku, Resmja, Jashari. Faza e parë mbyllet: Partizani 17 pikë, Dinamo 13 pikë; 17 Nëntori 12 pikë. Është muaji kur kozmonauti sovjetik Juri Gagarin realizon daljen e parë të njeriut në hapësirë. Një sensacion i madh për kohën, që përshkruhet me bujë edhe në shtypin shqiptar, madje edhe atë sportiv. Ndërkohë, në vijim të kampionatit, humbjen e parë Partizani e pëson në javën e 14-të në Elbasan kur mundet 1-0 me Labinotin për të ardhur në javën e 16-të, më 11 qershor, kur në stadiumin "Dinamo", ora 17:00, i pranishëm në tribunë për të ndjekur Partizani- Dinamo ishte edhe Enver Hoxha që pritej me entuziazëm nga 20:000 spektatorët. Serinë e golave e hap Lubonja dhe rezultati do të dyfishohet nga Jareci në fillim të pjesës së dytë. Seferi në minutën e 83-të vetëm ka shkurtuar dhe përfundimisht 2-1 për Dinamon. Një javë para fundit, Partizani kryesonte me 27 pikë, Dinamo 26 dhe 17 Nëntori 20 pikë. Sfida e radhës, Partizani-17 Nëntori.

Polifoto e Dinamos, viti 1955

Polifoto e Dinamos, viti 1955

Barazimi me 17 Nëntorin që i lëkund titullin

Luhet java e 30-të: Ndërsa Dinamo ka fituar thellë në ndeshjen e 22 qershorit 6-0 ndaj Labinotit, ajo midis Partizanit e 17 Nëntorit, e zhvilluar një ditë më vonë në stadiumin "Dinamo", ka tjetër histori. I pari realizon Jashari, por Rada ka barazuar për nëntorasit dhe 1-1 pjesa e parë. Ka emocion, tension e ankth, pasi barazimi nuk i garanton titullin kampion klubit ushtarak. Fraksioni dytë fillon me një gol të Panos dhe kur mendohej se fitorja ishte e sigurt, Enver Shehu barazon në të 68-ën. Shifrat nuk ndryshojnë deri në fund dhe 2-2 pas minutës së 90-të. Renditja: Partizani 30 pikë, golav: 46-13; Dinamo 30 pikë, golav: 41-12; 17 Nëntori, 23 pikë 28-17. Dy të fundit renditen Vllaznia e Tomorri me 11 e 10 pikë. Polifoto e Dinamos viti 1955 Faqja e parë e Gazetës Sporti, 5 korrik 1961 Lubonja duke shkelmuar topin e parë e shtunë SPECIALE 2 korrik 2016 15 Shënuesit e golave janë: për Partizanin, Pano me 12 gola dhe Jashari me 7; për Dinamon, Bespalla me 11 dhe Jareci e Lubonja me nga 9 secili; për 17 Nëntorin, Bylyku me 8. Në Kategorinë e Dytë, Lokomotiva e Korabi janë të parat, ndërkohë që në përfundim edhe të kampionatit të "Rezervave", Partizani, Vllaznia e 17 Nëntori renditen në krye. Ndërkohë, gazeta "Sporti" jepte njoftimin: Nesër: Dinamo e Partizani do të ndeshen edhe një herë për titullin kampion. Lokomotiva e Korabi në Kategorinë e Parë.

Rregullorja, një shpikje për "Nobel" e Mazrekut

Kampionati i vitit 1961 u zhvillua në periudhën mars-qershor. Morën pjesë 10 skuadra: Dinamo (kampione), Partizani, 17 Nëntori, Besa, Skënderbeu, Labinoti, Traktori, Tomori, Flamurtari, Vllaznia. Para fillimit, gjatë muajit shkurt, u luajt Kupa e Kongresit të 4-ët të PPSH-së, pastaj starti i një sezoni që do të ketë një fund krejt ndryshe: Për herë të parë dy takime finale, për herë të parë një pjesë e tretë "extra- time" dhe për herë të parë "Golden Goal", pra kur ndeshja do të ndërpritet menjëherë, pasi njëra nga skuadrat do të shënojë. Të padëgjuara, por të aplikuara e përshtatura për kohën nga një strateg si Anton Mazreku, i cili kishte intuitën, inteligjencën dhe përgatitjen për të drejtuar e ideuar mekanizma shumë moderne dhe praktike për futbollin shqiptar në ato vite. Pra, jo kampion me përpjesëtim të golave, por ndeshje finale kur dy skuadra kanë pikë të barabarta në fund të sezonit. Nëse edhe pjesa e tretë do të përfundonte në barazim, do të hidhej shorti për ekipin fitues. Kronika, komentet dhe foto nga firmat e njohura Këto janë ikonat që e kanë transmetuar ndeshjen në valët e Radio Tiranës në ato dy pasdite historike, të 29 qershorit e 2 korrikut. Kanë qenë zërat e tyre që kanë informuar shqiptarët se Resmja ka shënuar për Partizanin dhe ende pa ndalur frymën, Lubonja ka barazuar për Dinamon. Por edhe në rastin e golit magjik të Panos në ndeshjen e dytë. Bashkë me ta edhe dy emra të pandarë në median sportive të kohës, kur në gazetën "Sporti Popullor" të së mërkurës më 5 korrik të vitit 1961, gjen të zakonshmit fotografë që kanë fiksuar momentet e ndeshjes, Enver Shabani e Petrit Kumi. Pastaj autorin e një shkrimi të gjatë e të detajuar për sfidën e parë me autor specialistin e njohur Skënder Dedja, ndërsa për takimin e dytë jepet një informacion i shkurtër me titullin: "Mbas 122 minutave të tjera lojë, Pano shënoi golin e fitores që i dha Partizanit titullin".

Lubonja dhe goli që shtangu stadiumin

Ka qenë dhe mbetet një ndër momentet më dramatike të përballjeve të këtij derbi kryeqytetas ai Partizani- Dinamo. Ndeshja e parë, e enjte 29 qershor në stadiumin "Dinamo", barazim 0-0 deri në minutën e 117-të, kur Resmja pat shënuar për Partizanin nga porta jugore dhe 1-0. Entuziazëm i madh, sepse ishte një gol që i jep mundësinë Partizanit për fitimin e titullit pasi nuk kishte më kohë. Ishin vetëm 240 sekonda për t'u luajtur deri në përfundim të 120 minutave. Topi në mesfushë dhe dinamovitët e qarkullojnë atë, por janë të hutuar dhe me pak shpresë për tjetër rezultat. "Ndërsa pritej vërshëllima e arbitrit Besim Hamdiu, Thoma Duro bëri një pasim drejt meje, - tregon Lubonja. - I ndodhur në gjysmëfushën e Partizanit, por i pambuluar dhe rreth 30 metër larg portës, pa e menduar gjatë, godita shpejt e befasishëm në gjysmë lartësi dhe topi në krahun e djathtë të Maliqatit që u ndodh i papërgatitur. Ndoshta entuziazmi që kishte përfshirë gjithë Partizanin e kishte shpërqendruar portierin dhe topi përfundoi në rrjetë. E pabesueshme, i gjithë stadiumi ka shtangur. Kujtoj momentin që Resmes i ra të fikët pranë tribunës dhe vrapova drejt tij", e mbyll Lubonja. Pastaj në dhomat e zhveshjes dhe tjetër duel pas dy ditësh. Ndeshja e dytë më 2 korrik ishte tjetër histori, të tjera emocione dhe tjetër protagonist: Pano shënon në shtesën e tretë, pikërisht në minutën e 122-të golin e vetëm, atë të fitores dhe Partizani është kampion i sezonit 1961.

Me Dinamon, bashkë me trajnerin S. Dauti

Me Dinamon, bashkë me trajnerin S. Dauti

Lubonja-Pano, bashkë në Kupën Ballkanike...

Lubonja është marrë tri herë si përforcim nga Partizani. E para në vitin 1954, në "Lojërat e Ushtrive Mike", në Bullgari, pastaj në vitin 1961 në Kupën Ballkanike në Turqi, por i veçantë mbetet turneu në Gjermani në vitin 1960, kur sapo është martuar. Luan në tri ndeshje, madje në këtë turne trajneri Rexhep Spahiu sfidën ndaj Forverst, e aktivizon si qendërmbrojtës në pjesën e parë bashkë me Deliallisin, Dingun e Papadhopullin dhe, pas 45 minutave, Partizani udhëheq 2-0. Ndërsa me Panon do të bashkohet sërish në Kupën Ballkanike, kur në Tiranë më 24 dhjetor 1961, ndeshjen Dinamo e KS të MPB- Dinamo e Bukureshtit, një sfidë që mbyllet në barazim 1-1. Formacioni i Dinamos është: Qoshja, Frashëri, Halili, Alluni, Verria, Ndini, Vorfi, Pano, Bushati, Lubonja (Bespalla), Duro. Gjyqtar loje: Dinev (Bullgari) dhe ndihmës: R. Kuka, A. Dode (Shqipëri) të Kat. N/ Kombëtare. Shkruan shtypi: "....Goli aq i pritur u zbulua vetëm në minutën e 19-të kur Duro gjuan në portë dhe portierit, duke mos qenë në gjendje të mbajë topin, i shpëton nga duart dhe Lubonja rigjuan dhe tund rrjetën...". Në atë vit janë disa takime të Kupës Ballkanike që Pano do të luajë me Dinamon, për të regjistruar një tjetër fakt të rrallë të karrierës së tij.

Lubonja dhe Pano te Dinamo (bashkë nga e djathta në këmbë)

Lubonja dhe Pano te Dinamo (bashkë nga e djathta në këmbë)

Edhe atlet në garat e gjysmëthellësisë

I fortë dhe i shpejtë, Stavri Lubonja mund të ishte bërë edhe një atlet i mirë. Në kampionatet kombëtare për të rinj në atletikë në garat e gjysmëthellësisë ku dallohej ishte trajneri Naçi, i cili e shtyn nga atletika. Por ai kishte zgjedhur futbollin. Në periudhën '50-'60, një sportist mund të konkurronte njëkohësisht në disa disiplina sportive. Ashtu funksiononte sporti në atë kohë. Pikërisht në vitin 1956, Stavrit i ka qëlluar të luante të premten në formacion me Dinamon dhe të dielën të merrte pjesë në garat 400, 800 e 1500 metra. Në stafetën 4×400 të thyente edhe rekordin e Pasluftës, bashkë me Kacagjelin, Lundrën, Guzen, Theollosin, Ballukun etj. Pastaj e ndërpreu, nuk mori pjesë, me frikën për ndonjë dëmtim, tërheqje që mund t'i ndërpriste karrierën si futbollist.

Kundër Skënderbeut, sfida më e vështirë

I gjatë 180cm, ka luajtur një futboll modern për kohën, shumë elegant, madje në tri pozicione, mesfushor, sulm, por edhe si qendërmbrojtës, duke iu përshtatur çdo skeme taktike. Teknik, driblues, një "assist man" për pasimet e sakta, luante e godiste në ecje e sipër me të dyja këmbët, njihte mirë lojën në ajër, me një hap galopant, i dalluar në shënimin e golave në veçanti jashtë zone. "Ligaveci" (i dobët), e kanë thirrur, por edhe "Stavri hungarezi" ka qenë një nga nofkat e preferuara, pasi i ngjante Kocishit, një ndër sulmuesit kryesorë të Hungarisë së viteve të famshme. Golashënuesi më i mirë i kampionatit të vitit 1959, me 11 gola, kundër Skënderbeut ka qenë gjithmonë ndeshja më e vështirë për të. Viti 1959, me rastin e inaugurimit të stadiumit të Korçës, ishte organizuar një takim miqësor ndërkombëtar Skënderbeu- Odropele (skuadër polake që pak ditë më parë kishte fituar 4-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit). E kishin marrë për përforcim dhe Lubonja luan një nga ndeshjet më të bukura të karrierës: Fitojnë korçarët 3-0 me tre gola të tij. Këtu nis kthesa, tashmë është bërë mik me qytetin e tifozët e tij.

13576426_10210287311566109_2073990281_n

Pedagog, trajner dhe drejtues

Nga trajneri i parë Tato Bimbli, te debutimi në vitin 1955 me fanellën e Dinamos, gjithmonë me numrin 10 (ndërsa me 9 me atë përfaqësuese), pastaj dy operacione në meniskun e këmbës së majtë, gjatë një turneu në Kinë në vitin 1957 dhe një tjetër në vitin 1964. Jemi në fundin e karrierës, që bashkë me angazhimin familjar dhe dëmtimet janë motivi për t'u larguar nga futbolli, pasi ka dhe moshën, tashmë 30 vjeç. Lë pas një karrierë me tri tituj kampionë me Dinamon, me të cilën u aktivizua për një dekadë të plotë, ndërsa vazhdon të jetë në Institutin Pedagogjik dhe Universitetin e Tiranës, duke punuar si pedagog në vitet 1957-1965 dhe 1968- 1978. Vetëm një sezon trajner me Flamurtarin në edicionin 1967-'68, pastaj kthim dhe qëndrim shumëvjeçar në poste drejtuese te Dinamo e tij, kampion si trajner në fundvitet '70.

Një "love story" si e Anxhelilos

Nuk është vetëm goli i famshëm që shtangu një stadium dhe ndali historinë, apo karriera si sportist, trajner, drejtues dhe pedagog, por edhe jeta sentimentale e këtij njeriu fisnik, model në sjellje e korrektësi. Mbi të gjitha, historia e dashurisë, unike për kohën, midis tij dhe një balerine, ndër më të njohurat në jetën artistike, në kulmin e formës dhe famës së tij. Një "love story", shumë e ngjashme me atë të argjentinasit të Interit, Valentin Anxhelilo, futbollisti me brilantinë, një histori dashurie me balerinën e "night club", Attilia Tironi, që çmendi dhe xhelozoi pa masë mjedisin milanez, pas të cilit Herrera e largoi nga Interi, kur ishte shënuesi rekord me 33 gola realizuar në sezonin '58-'59 i pathyer ende sot në Serinë A me 18 skuadra. E tillë është edhe ajo e Stavri Lubonjës, futbollist i njohur te Dinamo dhe në kombëtare, e që lidhet me një histori tejet të bujshme sentimentale që shpërtheu kur u dashurua me Medin, valltarja e Ansamblit, balerina e famshme, një ndër vajzat e bukura të kryeqytetit. Ka qenë dhe mbetet ndër "love story" që shokoi mjedisin shqiptar, si një ndër rastet e dashurisë të një sportisti me një artiste, lidhje jo shumë të preferuara për kohën. Fillimisht njohje në Teknikum, pastaj takimet fshehurazi dhe buja kur u shfaqën në publik si një sensacion e veçantë për Tiranën. Vështirësitë e para, më pas martesa dhe "beteja" për një apartament. Dy fëmijë, djalë e vajzë, por që asnjëri nuk do të vijonte rrugën dhe karrierën e prindërve. Stavrin dhe Medihan i gjen sot në qytetin e largët që laget nga Atlantiku, midis miq e dashamirës, shkojnë e vijnë në Tiranë, madje janë shumë të njohur edhe nga stjuardeset e avionëve, pasi të dy janë ende simpatikë dhe tërheqës. Mbeten shumë aktivë edhe në jetën artistike amerikane, në Bostonin e shqiptarëve ku jetojnë të dashuruar si atëherë, bashkë e të pandarë...

PARTIZANI-DINAMO 1-1

29.06.1961

PARTIZANI: Maliqati, Deliadhisi, Papadhopulli, Dingu, M. Ndini, Merja, Kraja, Bukoviku, Pano, Resmja, Jashari. Trajner: Rexhep Spahiu.

DINAMO: Qoshja, Çaushi, Halili, Alluni, H. Verria, N. Jareci, Vorfi, Bespalla, Bushati, Lubonja, Duro. Trajner: Zyber Konçi.

GJYQTAR KRYESOR: Besim Hamdiu dhe anësorë A. Lika e H. Cenoymeri.

GOLASHËNUES: Resmja 117´, Lubonja në 118´.

KORNET: 10-7 në favor të Dinamos.

NDËRRIMET: S. Jareci në vend të M. Bushatit në fillim të pjesës së dytë dhe T. Shehu në vend të Krajës në pjesën e dytë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama