Zhdukja e avionit te “EgyptAir” me numër fluturimi MS804 në lindje të Mesdheut ndodh pas një periudhe problematike për kompaninë ajrore dhe më gjerë për turizmin egjiptian.
Zhdukja e Airbusit A320 vjen më pak se dy muaj pasi avioni i “EgyptAir” me numër fluturimi MS181 u rrëmbye nga një pasagjer që pretendonte se mbante rrip me eksplozivë. Avioni bëri ulje emergjence në Qipro dhe rripi i eksplozivit rezultoi i rremë, por incidenti ishte një njollë e zezë për kompaninë ajrore më të dhëna jo favorizuese të sigurisë.
Në vitin 1999, “EgyptAir 990”, një Boeing 767, u rrëzua nga ndihmëspiloti i tij gjatë një fluturimi nga Nju Jorku në Kairo, duke shkaktuar vdekjen e 217 personave në bord, sipas Bordit Kombëtar të Sigurisë në Transport. Autoritet egjiptiane mohuan pretendimet se ndihmëspiloti ishte përgjegjës.
Në vitin 2002, një tjetër avion i “EgyptAir” me numër fluturimi 843, një Boeing 737-566 u rrëzua si pasojë e motit të keq pranë Tunizisë, me pasojë vdekjen e 14 prej 62 pasagjerëve.
Në vitin 2009, zyrtarët e Bashkimit Europian shprehën shqetësimet lidhur me problemet sistematike të sigurisë mes performancave të fluturimeve të kësaj kompanie dhe thanë se do ta monitoronin e më pas inspektonin atë. Më vonë gjate vitit, inspektorët e BE-së thanë se ishte shënuar progres i rëndësishëm nga “EgyptAir”, por se ekzistonin ende shqetësime lidhur mirëmbajtjen dhe çështjet inxhinierike.
Në vitin 2011 një Boeing 777-200 u evakuua në Aeroportin Ndërkombëtar të Kairos pas shpërthimit të një zjarri në kabinë. Të gjithë pasagjerët mbijetuan por zjarri, i cili besohet të jetë shkaktuar nga një defekt elektrik, e dëmtoi tej mase avionin.
Më vonë kompania u përfshi në një mosmarrëveshje me punonjësit, me 224 prej 850 pilotëve të saj që kërcënuan të dorëhiqeshin për shkak të pagave dhe kushteve jo të favorshme.
Në aspekt më të gjerë, ngjarja e së enjtes ishte një tjetër goditje e rëndë për industrinë egjiptiane të turizmit, pas rrëzimit të një avioni rus që u nis nga aeroporti i Sharm el-Sheikhut në muajin tetor. I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për bombardimin e avionit mbi gadishullin egjiptian të Sinait, ku u vranë 224 persona.