Pas çlirimit kjo industri u fuqizua dhe duke pasur cilësi mjaft konkurruese, pati kërkesë të madhe në tregjet lindore dhe perëndimore. Ajo u fuqizua me reparte të shumta si fermentimi dhe një rrjet magazinash, si dhe u punësuan në të mbi 1000 punonjës, pa përfshirë rrjetin e gjerë të transportit, si dhe prodhuesve të bujqësisë në fshatra të ndryshme të vendit, si dhe punonjësit ndërmjetës të manipulimit të tij. Ish-drejtori i saj në një periudhë 3-vjeçare, Skënder Kapiti, thotë se kjo industri mjaft e preferuar për tregjet ndërkombëtare për shkak të cilësisë së prodhimit mund të mbijetonte mjaft mireënë kushtet e ekonomisë së tregut, por për të mungon kujdesi i shtetit. Madje, edhe pasi prodhimtaria e duhan-cigareve shkroi drejt zeros, kërkesa për të vijuan nga firma prestigjioze në SHBA, Francë dhe Spanjë. Kjo degë e rëndësishme e industrisë së lehtë dhe ushqimore tashmë është inekzistente.
Rrjeti i fabrikave të cigareve në socializëm
Në vitet 1946-1947 të gjitha fabrikat ekzistuese shqiptare të cigareve u shtetëzuan: shumica e tyre u mbyll, ndërsa ato më të mëdha (si STAMLES) morën emër tjetër dhe u modernizuan. Gjatë regjimit komunist kishte 4 fabrika cigaresh: fabrika e Tiranës (ish-fabrika e cigareve “Flora” – mbyllur gjatë viteve 1960), fabrika e Durrësit, e Shkodrës dhe e Gjirokastrës. Fabrikat e Tiranës dhe Gjirokastrës prodhonin cigare vetëm për tregun e brendshëm, ndërsa fabrikat e Shkodrës dhe Durrësit prodhonin për tregun e brendshëm dhe për eksport. Që nga viti 1957 dhe veçanërisht pas viteve 1960, Shqipëria filloi eksportimin e cigareve në të gjitha vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Hungari, Poloni, Çekosllovaki dhe Republikën Demokratike Gjermane. Gjatë viteve 1980 shumica e cigareve të prodhuara në Shqipëri u eksportua, kjo edhe për faktin se ishte burim i mirë për valutë të fortë.
Marka me porosi dhe të falsifikuara
Cilësia e produkteve ishte jashtëzakonisht e ulët dhe të gjitha cigaret u prodhuan me duhane orientale. Gjatë viteve 1980, fabrika e cigareve Durrës filloi prodhimin e disa llojeve paketash cigaresh. Me licencën e kompanisë shtetërore bullgare “Bulgartabac” u prodhuan “Arda” dhe “Steëardess” për tregun bullgar dhe një sasi e vogël shitej në Shqipëri. Po ashtu u nënshkrua një marrëveshje me Monopolin Polak të Duhanit për prodhimin e cigareve “Dukat”, me duhan polak për eksport vetëm në Poloni dhe një sasi për tregun e brendshëm shqiptar. Fabrika gjithashtu u përfshi në prodhimin e cigareve të falsifikuara të markave të njohura, për llogari të kontrabandistëve ndërkombëtarë me anën e ish-Sigurimit të Shtetit (kryesisht “Ëinston” dhe “Kent”)
Cigaret e demokracisë
Fundi i regjimit komunist shënoi për Shqipërinë edhe krizën e prodhimit të cigareve në vend. Pas vitit 1991, në vend u futën me tonelata cigare kontrabandë dhe marka të falsifikuara. Duhanpirësit shqiptarë më në fund patën mundësinë të tymosin cigare që nuk ishin bërë në Shqipëri, me shije më të mirë dhe zakonisht me çmim të vogël. Fabrika e cigareve e Gjirokastrës, e specializuar në prodhimin e cigareve të lira, pa filtër “Partizani”, u mbyll pothuajse menjëherë, edhe për shkak se linjat e prodhimit ishin në gjendje të tmerrshme. Fabrika e Cigareve Shkodër u mbyll aty nga viti 1996. Në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës, fabrika e braktisur u shndërrua në kamp refugjatësh. Gjithë pajisjet e përdorura për të prodhuar cigare, ishin vjedhur dhe ricikloheshin shpesh nga disa fabrika ilegale apo gjysmilegale cigaresh që përdoreshin për të prodhuar marka të falsifikuara cigaresh me emër të mirë në treg si “Arbëria”, “Tarabosh” dhe “L&M”. Këto fabrika të vogla u mbyllën nga policia.
Në vitin 1996, biznesmeni shqiptar-maqedonas Vebi Velija ndërtoi një fabrikë cigaresh në Përrenjas. “Albania Tabak” prodhonte markat “Veve”, “Aurora” dhe “Partner” (marka “Partner” u prodhua me licencën e “Makedonija Tabak”). Fabrika u mbyll në vitin 1997 nga ana e policisë për shkak se u pretendua se ishte përfshirë në prodhimin e cigareve të falsifikuara “L&M”. Pas disa muajsh fabrika u hap përsëri dhe u mbyll përfundimisht në vitin 2003, për shkak të mos-shitjes në treg.
Fabrikat e cigareve në kohën e Mbretërisë
Fabrika “Drini” – Shkodër
Fabrika “Gera” – Shkodër
Fabrika “Shkodra” – Shkodër
Fabrika “Faslli Ademi” (Tarabosh) – Shkodër
Fabrika “Sitki Rusi e Vëllezërit” – Shkodër
Fabrika “Saralja” – Shkodër
Fabrika “Besa” – Shkodër
Fabrika “Macedonia” – Shkodër
STAMLES – Durrës
SAIDE – Shoqëria Anonime Industriale e Duhaneve, Elbasan
Fabrika “Dumreja” – Fier
“Tomori” – Industria Shqiptare Cigaresh, Korçë
Fabrika “Morava” – Korçë
FIDEC – Gjirokastër
STIDEC – Sarandë
Fabrika “Elbasani” (Flora) – Tiranë
DIAMANT, kuti me kapak 20-she [STAMLES, Durrës]
DUCALE, paketë me ambalazh të butë, 20-she [Prodhues: Manifattura Tabaçhi “Drini”, Scutari (Shkodër)]
EGIZIANE, paketë me ambalazh të butë, 18-she [Prodhues: Manifattura Tabaçhi "Saralja", Scutari (Shkodër)]
Misteret e Musa Picarit nga Vora
Prodhues cigaresh cilësore dhe politikan i djathtë, që u vra si komandant nacionalist në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Industrialistin Musa Picari e ndjekin çudirat dhe 65 vjet pas vdekjes, si me një ankand në internet, ashtu dhe me një pulë të pasardhësve të tij që bëri një vezë befasuese. Picarët janë familja më e njohur e Vorës dhe me një reputacion në mbarë Shqipërinë e Mesme.
Marka “Vora”, kutia e pahapur prej 75 vitesh
Kuti cigaresh “Vora” të kohës së Mbretërisë Shqiptare. Ankand i 13 shkurtit 2011. U sollën 6 oferta. U shit për 12,50 euro.
Në ankandin ndërkombëtar, online, u vu në shitje një paketë cigaresh të forta me emrin Vora. Kutia ishte e mbushur dhe e pahapur. Mbi 75 vjet e ruajtur në Gjermani. Daton që nga koha e Mbretërisë Shqiptare. Kutia ishte në gjendje të mirë dhe e ruajtur në mjedis të thatë. E përshtatshme vetëm për koleksionim, jo për përdorim.
Prodhues: Musa Picari dhe Vllazën, Vora
Pulla fiskale: “Mbretnija Shqiptare, tatim konsumi cigaresh të vendit, gram 20”
Etiketa e kutisë: 20 cigare, Lek 3,50
Kush është
Ibrahim Bej Biçaku
(pronar i fabrikës së cigareve “Flora”)
Ibrahim Bej Biçaku (1905 – 1977) – politikan shqiptar. Ka qenë dy herë Kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës shtator 1944 – nëntor 1944. Ishte kryeministri i fundit, i mbështetur nga gjermanët.
Ishte djali i Aqif Pashë Elbasanit, një nga politikanët më me ndikim në Shqipëri në vitet 1920. Mësoi në shkollë në fshatin e tij të lindjes dhe më pas studioi në Austri, në një shkollë tregtare. U diplomua agronom. Pas kthimit në Shqipëri u mor me tregti të vogël dhe me drejtimin e pasurive të familjes. Ishte ndoshta një nga të parët që futi traktorët në Shqipëri. Ishte pronar i fabrikës së cigareve “Flora”, ku ishte punësuar dhe Enver Hoxha. Në vitet 1937-1939 dhe 1943-1944 ishte deputet i parlamentit shqiptar. Më 7 shtator 1944 u emërua Kryeministër i qeverisë kuislinge deri më 25 tetor. Shpëtoi Tiranën, të cilën gjermanët e minuan të tërën në ikje e sipër.