Një kërkim i drejtuar nga Klaus Schroeder, profesor i shkencave politike në universitetin e Berlinit ka nxjerrë rezultate vërtetë të çuditshme. “Ndoshta duhet të shtojmë leksionet për historinë bashkëkohore dhe të zvogëlojmë ato që kanë të bëjnë me epokat e tjera”, – është shprehur pas sondazhit profesori.
Kjo, për faktin se në përfundimi të studimit, u arrit të kuptohej se gjysma e studentëve gjermanë të shkollave të mesme nuk e dinë se Hitleri ishte një diktator, ndërsa një e treta e tyre mendojnë se ai ka mbrojtur të drejtat e njeriut. Ndërkohë, 4 nga dhjetë studentë mendonin se diktatura dhe demokracia ishin e njëjta gjë. “Demokraci apo diktaturë? Është e njëjta gjë!” Pikërisht ky është titulli kryesor i një prej gazetave gjermane që dha e para lajmin për sondazhin e kryer tek plot 7400 nxënës gjermanë të shkollave të mesme.
Sipas profesor Schroeder, nxënësit duhet të çohen më shpesh që të vizitojnë vendet simbolike dhe historike të shtetit të tyre. Një nismë kjo, që në fakt bie ndesh më vendimin e pak kohëve më parë të federatës gjermane të futbollit e cila vendosi të çonte vetëm një delegacion të reduktuar dhe jo të gjithë skuadrën kombëtare për të vizituar ish-kampin e përqendrimit nazist në Auschwitz.