Hoffman takon Guvernatorin Sejko Institucionet publike te marrin masat e duhura per te nxitur rritjen ekonomike

Ambasadori gjerman takim me Guvernatorin Sejko

TIRANE, 23 Tetor/ATSH/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann dhe Zëvendësambasadoren, Anke Holstein.

Në ekspozenë e tij, Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm.

Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu, ai e njohu Ambasadorin Hoffmann edhe me masat e ndërmarra dhe aktet ligjore të miratuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë, kryesisht, në drejtim të forcimit të kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes bankare, ndryshime të cilat janë realizuar sipas standardeve evropiane. Për këtë, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtësisht dhe me institucione financiare ndërkombëtare.

Duke u ndalur tek ecuria ekonomike e vendit, Guvernatori Sejko, theksoi se zhvillimet e fundit tregojnë se ambienti i jashtëm makroekonomik mbetet sfidues, por autoriteti monetar do të japë të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur përpjekjet për një rritje ekonomike të qëndrueshme. Banka e Shqipërisë ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë edhe në periudhën në vijim një politikë monetare lehtësuese, në kushtet kur politika fiskale po ndjek një trajektore konsoliduese.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko njohu Ambasadorin Hoffmann edhe mbi planin e veprimit ndërinstitucional dhe masave të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e nivelit të kreditimit dhe uljen e kredive me probleme. Fshirja e kredive me probleme nga bilancet e bankave, ka dhënë efektin e tyre pozitiv në rënien e kredive me probleme.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Hoffmann, vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend. Ai u shpreh se Shqipëria ka gëzuar gjithnjë mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë, si në drejtim të forcimit të rritjes ekonomike, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Duke u ndalur tek zhvillimet ekonomike në vend, Ambasadori Hoffmann u shpreh se institucionet publike në vend duhet të marrin masat e duhura për të nxitur rritjen ekonomike të vendit. Ai theksoi se qeveria duhet të investojë në sektorë, veprimtaria e të cilëve do të ndikonin në rritje ekonomike jo vetëm në periudhë afatshkurtër, por edhe afatgjatë. Në këtë drejtim, duhet rritur aftësia prodhuese, pasi ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet më tek të ardhurat nga emigrantët dhe tek shërbimet. Më tej, Ambasadori Hoffmann theksoi rëndësinë e reformës në sistemin gjyqësor për përmirësimin e kuadrit ligjor, duke krijuar kështu kushte më të mira për të sjellë më shumë investitorë të huaj në Shqipëri.

Gjatë takimit, u diskutua dhe mbi reformat strukturore të ndërmarra së fundmi nga qeveria në drejtim të formalizimit të ekonomisë.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja gjermane në Shqipëri./a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama