TIRANË, 9 Nëntor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme zhvilloi të hënën një seancë informuese me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann.
Gjatë kësaj seance, ambasadori Hoffmann kërkoi që çështja e azilkërkuesve të lihet jashtë debatit partiak, ndërsa këshilloi që të gjenden arsyet se pse shqiptarët kërkojnë azil.
"Në fillim pritja e azilkërkuesve ishte shumë "bujare" në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre, por edhe të parave që u jepeshin. Këshilla ime është që çështja e azilkërkuesve të lihet jashtë debatit partiak dhe të "gërmoni" në arsyet që i bëjnë shqiptarët të kërkojnë azil", u shpreh Hoffmann.
Gjermania, vijoi më tej ambasadori, mbështet integrimin e Shqipërisë, por nuk harron të përmendë se gjuha e ashpër e akuzave nuk e ndihmon këtë proces. Reforma në drejtësi është kyçe, ku me rëndësi është implementimi i saj, tha ambasadori gjerman.
"Reforma në drejtësi është kyçe. Ekspertët që asistuan reformën janë shumë të mirë. Ne nuk mjaftohemi vetëm me ndryshimet teknike, pasi për ne i rëndësishëm është implementimi. Korrupsioni është problem në drejtësi, ndaj dhe gjyqtarët nuk mund të mbeten të paprekur nga kjo reformë", deklaroi Hoffman para deputetëve të komisionit të Jashtëm.
Gjatë seancës informuese ambasadori konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, dëshmi e së cilës tha ai ishte dhe vizita në Tiranë e kancelares Merkel në muajin korrik. Kryediplomati gjerman tha se prej 25 vitesh Gjermania është prezente në Shqipëri, por duhet bërë më shumë në drejtim në drejtim të rritjes së investimeve, dhe kjo, tha ai, është e lidhur me luftën kundër korrupsionit.
/a.s/