Homazh festivalit te 11-te i ftuar tenori Saimir Pirgu

Homazh festivalit te 11-te, i ftuar tenori Saimir Pirgu
Ka mbetur vetëm një javë nga startimi i edicionit të 51-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Tashmë nuk janë sekret 26 këngët, këngëtarët dhe kompozitorët që konkurrojnë këtë vit për çmimin e madh që do ta çojë në Festivalin Europian.

Ndërsa një vit më parë, i gjithë festivali u rrotullua rreth 50-vjetorit, këtë vit, një fill i kuq që do të kalojë nga nata në natë është 40-vjetori i festivalit të 11-të të RTSH-së, aq shumë i diskutuar për “dënimin” e tij gjatë viteve të diktaturës. Është ky përvjetor dhe tekstet e këngëve, mbi të cilat është ndërtuar skenari dhe teksti mes dy prezantuesve të festivalit, Enkel Demi dhe Floriana Garo. Gjatë historisë së këtij festivali, jemi përballur me tekste “të dobëta” mungesë komunikimi mes partnerësh, sforcim, ndoshta edhe për faktin që këtij elementi i është kushtuar pak rëndësi apo prezantuesit janë zgjedhur në momentin e fundit.

Një prej bashkëskenaristëve të këtij edicioni, gazetari Engjëll Ndocaj, thotë se po punohet shumë që festivali të “vishet” bukur në fjalë, që dy prezantuesit të krijojnë dialog me njëri-tjetrin, pse jo të ketë edhe humor e ndonjë batutë. “Festivali ynë dhe jo vetëm ka vuajtur gjithnjë nga një mënyrë prezantimi shumë zyrtare, klasike, ku spikeri, pas një fjalie, do të prezantojë këngën. Këtë vit kemi qëmtuar në jetët e 26 këngëtarëve dhe grupeve pjesëmarrëse, në rrugën e tyre artistike, në mënyrën se si e kanë filluar atë, profesionet aktuale. Le të marrim shembullin e Rosela Gjylbegut në që moshën 9 apo 10-vjeçare ka fituar Festivalin e

Fëmijëve në Shkodër dhe sot është psikologe. Duke zbuluar kuriozitete nga jeta e tyre i afrojmë më shumë me publikun”, thotë skenaristi. Sa u takon drejtuesve, gjithçka është ndërtuar në mënyrë të tillë, që raporti mes tyre të jetë sa më i drejtë dhe daljet në skenë të balancuara. “Janë karaktere të ndryshme. Ai është më i lirshëm, ajo ka një diksion të bukur, buzëqeshje… Nuk janë të sforcuar dhe i rëndësishëm është fakti që janë shumë të ndërgjegjshëm dhe duan të dinë gjithçka, të kenë në kontroll gjithçka. Paraqitja e tyre skenike është interesante, i veshur edhe me pak humor, besoj se komunikimi i tyre do të shkojë natyrshëm te publiku”.

Festivali i 11-të

Ndonëse organizatorët po përpiqen të ruajnë sa më shumë surpriza për netët e festivalit, ata zbulojnë disa elemente, që do na kthejnë pas në kohë, që do na bëjnë të reflektojmë dhe ta shohim këtë aktivitet të largët, jo më si një ngjarje politike dhe ideologjike, por mirëfilli artistike. Kështu, përgjatë tri netëve të festivalit do të interpretohen këngë nga Festivali i 11-të, të cilat do të vijnë të kënduara nga vetë këngëtarët që i kanë interpretuar për herë të parë, apo nga këngëtarë të rinj. Dy netët e para do të këndohen nga katër këngë. Natën e parë do ta hapë këngëtari Sherif Merdani me këngën “Duart e tua”, ndërsa të dytën, Justina Aliaj me “Në ekranin e televizorit”, një nga këngët më popullore të kohës e që të rinjtë e asaj kohe e kujtojnë me nostalgji dhe e kanë kënduar, pavarësisht goditjes që pësoi Festivali i 11-të. Nata e tretë rezervon një kolazh me refrene ritmike, që vijnë nga ky festival, nën orkestrimin e Klodian Qafokut, por të kënduara nga më të rinjtë, që vijnë nga festivali veror “Hit Fest”. Natën finale do ta hapin dy prezantuesit e këtij edicioni historik, Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, por që tashmë mbajnë mbi supe 40 vite histori personale, jo pak të vështirë. Ata sjellin kujtimet e asaj kohe, të cilat për brezin e të ri të konkurrentëve është tërësisht e paimagjinueshme.

Juria sekret

Deri në fillimin e festivalit është vendosur që juria të mbetet e fshehtë. Sipas skenaristit Engjell Ndocaj, është vendimi i drejtorit të festivalit, Petrit Beci, për të mos bërë të njohur anëtarët e jurisë së edicionit të 51-të të këngës në RTSH, për të evituar çdo lloj ndërhyrjeje të mundshme nga ana e këngëtarëve konkurrentë apo autorëve të këngëve, çka është vënë re në edicionet e shkuara. Këtë vit, juria do të jetë e përbërë nga 7 personalitete të muzikës shqiptarë e të huaj.

I ftuari

Tenori me famë botërore Saimir Pirgu do të jetë i ftuari surprizë i natës së tretë të edicionit të 51-të të Këngës në RTSH. Gjatë performancës së tij në skenën e Pallatit të Kongreseve do të shoqërohet nga violinisti Shkëlzen Doli. Pirgu vjen në Tiranë menjëherë pas një koncerti të rëndësishëm nën drejtimin e dirigjentit Ricardo Mutti në München Bayerischen Rundfunks në datat 20 dhe 21 dhjetor, ndërsa Doli nga një tjetër aktivitet me Filarmoninë e Vjenës.

Jehona e festivalit të 11-të

Nata e parë:

“Duart e Nënës”, Sherif Merdani
“Udhët janë të bukura” (“Kafe Flora”), Mariza Ikonomi
“Kur vjen pranvera”, Luiz Ejlli
“Natën vonë”, Juliana Pasha

Nata e dytë:

“Në ekranin e televizorit”, Justina Aliaj
“Shoqja ime më e mirë”, Saimir Braho
“Rruga e Dibrës”, Soni Malaj
“Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”, Mira Konçi

Nata e tretë:

Kolazh me refrene ritmike nga këngët e Festivalit të 11-të, orkestruar nga Klodian Qafoku: “Nuk të them se s’të kuptoj”, “Kur vjen pranvera”, “Mbrëmje e fundit”, “Kush mënjeh mua”, “Rruga e Dibrës”, “Dhoma 23″, “Stina më e bukur”, Shoqja më e mirë”, “Mozaik tingujsh”, “Duart e tua”, “Natën vonë”, “Në ekranin e televizorit”, “Kafe Flora”.

Interpretojnë këngëtarë të përzgjedhur mes 18 pjesëmarrësve në festivalin “Hit Fest”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama