Ndërsa për librin tjetër, botuar më vonë "Diaspora e Rililindur" eseja e Peter Priftit ishte aq e thellë dhe e mençur saqë zgjoi edhe zili te ndonjë lexues i veçantë. Për katedrën e gjuhës shqipe që ngrita në Kolegjin e Shën Mërisë (SMC), Prof. Peter Prifti shkroi dhe e vizaton si "Një qendër albanologjike model edhe për qendra të tjera."Gjatë këtyre viteve të bashkëpunimit kemi folur pak, por e kemi dashur e nderuar shumë njëri-tjetrin.Tek Prof. Peter Prifti çmoja së tepërmi urtësinë e tij klasike, erudicionin, tonin pajtues, shpirtin polemizues demokratik dhe të balancuar, dashurinë e pamasë për njerëzit e veçanërisht për talentet e reja. I fismë në të folur dhe i thellë në të menduar, ai ishte dhe do të mbetet gjatë në kujtesën e njerëzve.
Vitin e kaluar shkrova Esenë “Prof. Peter Prifti - Senator i gjuhës dhe kulturës shqipe". U gëzua si fëmijë dhe nuk gjente fjalë të më shprehte mirënjohjen. Madje, kur i dërgova edhe komentet e poetit Agim Shehu nga Gjeneva, më dërgoi një mesazh mirënjohjeje.Kisha menduar disa herë të shkoja tek Profesor Peter Prifi në San Diego, por nuk m’u dha rasti.Prof. Peter Prifti pati fatin e bardhë të ndodhej afër Nolit të madh. Ta takonte dhe të dëgjonte fjalën e mençur të Fan Nolit në mbledhjet e “Vatrës”, në kryekishën e Shën Gjergjit në Boston ose edhe në tubime, kur shqiptarët mblidheshin për të festuar ditën e pavarësisë, 28 Nëntorin 1912.
Çdo takim me Nolin, profesorin e ri Peter Prifti i la ato gjurmë që e formoi si nxënës dhe pasues të veprës dhe udhës atdhetare e intelektuale të Fan Nolit. Madje Peter Prifti, me punë atdhetare e publike, me angazhimin shkencor e intelektual, u rrit e u bë një bashkëpunëtor i shquar i Fan Nolit.Shqyrtimi analitik i gjithë universit intelektual i Prof. Peter Priftit dëshmon për frymëzimin dhe thelbin nolian të vetë krijimtarisë së Prof. Peter Priftit.
Magjia e penës së Prof. Peter Prifti është se ajo është ngjyer në ngjarjet më të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare. Si fanolist ai ka qenë luftëtar i zjarrtë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, ka demaskuar dhe stigmatizuar egërsinë dhe pushtimin barbar të serbisë në Kosovë, ka mbrojtur kulturën dhe dinjitetin shqiptar me shkrimet e shumta në publikime autoritare shkencore dhe publike...Rritur dhe edukuar në shoqërinë demokratike amerikane ai, me një punë mbi gjysmë shekulli, është ngritur në statusin e një shkencëtari të mirëfilltë.
Prof. Peter Prifti, edhe pse u largua nga Kolonja në moshën 15-vjeçare, ruajti në mendje e zemër jo vetëm bukuritë e vendlindjes, por edhe tingujt dhe të folurit plot kolorit të gjuhës shqipe. Pasi përfundoi studimet në degën e Artit dhe Letërsisë në Pen State University, shkoi në Boston si sekretar i “Vatrës” dhe u përfshi në veprimtarinë atdhetare të saj. Ishte fatlum ky punësim se e afroi me Nolin e madh. Meriton të përmendet fakti se Prof. Petër Prifti në punën për organizimin e Seminarit të parë të Studimeve shqiptare i mori edhe një intervistë Nolit. Në këtë intervistë Noli vlerëson si fitoren e vet më të madhe të veprimtarisë atdhetare antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Fan Noli nuk ishte thjesht dijetari, me gjitha vlerat dhe poliedrinë që mbart, por edhe dukuria,- vë në dukje me mprehtësi Prof. E.Sako, dhe vazhdon, - Atë si dukuri e polli bashkësia shqiptare. Bëmat dhe vepra e tij ishte rezultante e gjithë vullneteve, dëshirave, bëmave dhe vlerave tona si komb. Fan Noli ishte e përgjithshmja shqiptaro-amerikane e gjithë vatrave, sikurse edhe secila prej vatrave tonat ishte dhe mbart pak Fan Nol. Ekziton binomi Noli-nolianët, që dëshmon për ndikimin e madh të Nolit në ngjizjen e bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Gjuha shqipe ka qenë dhe është institucioni i shenjtë i kombit.
Shkrimtarët tanë qysh nga fillesat e letërsisë së shkruar shqipe e kanë kuptuar rolin e gjuhës në fatet e kombit. Buzuku e shpreh qartë qysh në fjalinë e parë se, e shkroi këtë vepër nga dashuria” për botën tanë.”Në laboratorin krijues të Prof. Peter Priftit gjuha shqipe zë vendin e nderit. Ai ka dhënë kontribute të shënuara si autor ose bashkë-autor në vepra me albanologë dhe studiues të tjerë të njohur. Më 1972 drejtoi katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e San Diegos në Kaliforni, që u hap me nismën e albanologut Leonard Newmark. Më 1980 ky i fundi botoi “Spoken Albanian” dhe më vonë “Reader in Albanian” ku si bashkë-autor ishte Prof. Peter Prifti edhe Ismail Haznedari. Ndërsa më 1982 Newmark, në bashkëpunim me F.Hubbard dhe P. Priftin, botoi “Standard Albanian” nga Stanford University Press, një gramatikë cilësore për ata që dëshironin të thelloheshin në studimin e gjuhës shqipe (N. Prifti - Takim me albanologun Leonard Newmark, “Illyria” 13-16 shkurt 2009, f.22)
Prof. Peter Prifti u shqua veçanërisht në mbrojtjen e argumentuar të gjuhës së njësuar letrare shqipe, që u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972, në Tiranë. Ai shkruan se, “Arritjet e kongresit përbëjnë gur-nishan në historinë e gjuhës shqipe, sepse ai i dha fund një epoka prej shumë shekujsh, epokës së shumë varianteve dialektore të gjuhës letrare. (“Mozaik shqiptar”, 2003, f.150)
Në një ese shkencore, Prof. Peter Prifti kundërshton mendimet e Prof. Arshi Pipës , i cili “nuk pajtohet me gjuhën e njësuar letrare”. Eseja e Prof. Peter Priftit është shkencore, mbështetet në ligjësitë e përgjithëshme të gjuhësisë dhe historinë e vetë gjuhës shqipe, në të spikat si një gjuhëtar i mirëfilltë.
Prof. Prifti shkruan: “Por thelbi i davasë kundër gjuhës letrare, siç kuptohet nga vetë titulli i këtij libri (Fjala ishte për librin “Politika e gjuhësisë në Shqipërinë socialiste” të A.Pipës) është “argument politik””. (Po aty f.152)
Eseja e Prof. Peter Priftit u prit ngrohtë dhe pati jehonë në të gjithë rrethet akademike-shkencore për ta kthyer debatin në hullinë e vet, në atë shkencore.Miratimi i gjuhës së njësuar shqipe është një arritje historike, edhe pse jo e përkryer. Debatet dhe diskutimet, me një frymë demokratike, sado të skajshme të ketë qenë, e kanë pasuruar dhe shtyrë më tej procesin e konsolidimit të gjuhës së njësuar letrare.Në fushën e kulturës meritat e Prof. Priftit janë të mëdha, ai është jo vetëm autor i një sërë botimesh me vlerë, por edhe një mbrojtës i arritjeve madhore të kulturës shqiptar. Me statusin shkencor, me figurën e shquar atdhetare, si njohës i kulturës shqiptare dhe amerikane, ka shkruar një sërë esesh dhe shkrimesh për identitetin e kulturës dhe figurave të njohura të kombit si: “Noli-ashtu si e mbaj mend unë”, “Mehmet Aliu (1769-1849), shqiptari që vuri themelet e Egjiptit modern”, etj.
Me vlerë të veçantë janë edhe komentet e recesionet e shumta të Prof. Peter Priftit për botimet e shënuara, për librat e mirëpritur nga lexuesi. Në këto shkrime, Peter Prifti, krahas gjykimeve mjaft të peshuara, parashtron edhe mjaft ide e teza me rëndësi për kulturën shqiptare. Po përmendon vetëm pak nga to: “Faik Konica - monografi nga Prof. Dr. Jup Kastrati”, “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e gjuhës shqipe” - nga Prof. Dr, Shaban Demiraj”, “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës” - nga Papa Antonio Belushi.Studimet e tij si “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Shtypi shqiptar në Amerikë”, “Mësimi i gjuhës shqipe në Amerikë”, etj. dëshmojnë për forcën intelektuale dhe kërkimore të autorit.
“Mësimi i gjuhës shqipe në Amerikë” është një monografi e plotë gjithëpërfshirëse për mësimin e gjuhës shqipe në një hark kohor gati një-shekullor, në të gjitha bashkësitë shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Prof. Peter Prifti ka dhënë ndihmesë shkencore dhe kulturore edhe me kumtesat e referatet e mbajtura në shumë sesione, simpoziume shkencore në mjediset e diasporës shqiptare. Kumetesat e tij shquhen për ndërgjegje të lartë profesionale, kulturë dhe mesazhe nderimi për kombin e vet.
Prof. Peter Prifti u bë mentor i krijuesve të rinj në Diasporë. Ishte i palodhur për të ndihmuar krijuesit e rinj letrarë e shkencorë në librat dhe studimet e tyre. U ka shkruar parathënie të librave, madje u ka përkthyer edhe mjaft vjersha në gjuhën angleze.Universi krijues shkencor i Peter Priftit, këtij senatorit të gjuhës dhe kulturës shqiptare është i gjerë dhe i pamasë.
Ai rrezatohet në të gjithë hapësirën shqiptare, prandaj ka fituar nderimin e gjithë lexuesve dhe studiesve të kombit.Prof. Peter Prifti shquhet edhe si shembëlltyra e vërtetë e cilësive më të larta njerëzore: i dashur për njerëzit, i thjeshtë, i përkushtuar, si dhe i peshuar në gjykimet dhe vlerësimet në të gjitha studimet, duke përshirë edhe ato kritike.Profesor Peter Prifti la pas një vepër shkencore të rëndësishme, një arkiv kulturor të pamasë dhe një emër të nderuar.Ai ishte dhe do të mbetet Nderi i Kombit.