Me gjithë luftën ndaj një sëmundje të gjatë, Z. Trebicka nuk e la pasionin e tij për aktrimin, duke u aktivizuar deri para pak javësh në “Teatrin Kombëtar”, me pjesën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, ku interpretonte rolin e Seit Beut.
I lindur në Korçë në vitin 1947, karrieren e aktorit Roland Trebicka e nisi me filmin “Debatik”, në 1961-shin, ku luante rolin e Kostës.
Pas një eksperience pune në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë Popullore, ai vazhdoi karrieren e tij për rreth tre dekada në “Teatrin Kombëtar”. Ndër rolet në teatër renditen mes te tjerësh ai i Xhenarinos tek "Magjia e Madhe", Zganareli tek "Don Zhuani", roli i pacientit tek "Të gjithë kanë huqe" e shumë shfaqje të tjera teatrale, si “8 persona plus”, apo “Valsi i Titanikut”.
Në filmografi, nder rolet e tij jane Vaska tek “Endërr për një karrige”. Ka interpretuar tek “Karnavalet e Korçes” dhe rolin e Nestit tek “Koncert në vitin 1936”.
Sensi i humorit në aktrim dhe jetë, por edhe aftësia e improvizimit, disiplina dhe përkushtimi e kthyen Trebicken në një nga aktorët më të mirë shqiptar, të vlerësuar nga kritika, të kërkuar nga regjisorët, por mbi të gjitha një figurë të dashur për publikun vendas, i cili e ka pritur gjithmonë me duartrokitje këtë artist të merituar dhe me titull, që do t'i mungojë artit vendas, por do të mbetet në memorien kolektive dhe historinë e teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Nishani, mesazh ngushëllimi familjes Trebicka
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të artistit dhe aktorit të shquar Roland Trebicka përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjarëve të të ndjerit.
“Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t’u zgjedhur e për t’u shprehur.Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit.Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani.