Homazhet per Artan Santon Basha Akt terrori qytetaret ne kembe kunder se keqes

Homazhet per Artan Santon, Basha: Akt terrori, qytetaret ne kembe kunder se keqes

Kanë nisur sot rreth orës 10:00 në ambientet  e Hotel Sheraton homazhe në nder të biznesmenit Artan Santo,  i cili humbi jetën ditën e djeshme në një atentat mafioz të ndodhur në zonën  e ish-Bllokut. Miq, kolegë, të afërm, njerëz të artit, medias dhe politikës do t’i kalojnë para arkivolit me trupin e pajetë të biznesmenit dhe botuesit për t’i dhënë lamtumirën  e fundit. Pjesë e homazheve pritet të jenë shumë politikanë dhe krerë të shtetit të cilët edhe një ditë më parë kur u regjistrua ngjarja e rëndë kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Mes personaliteteve që nderuan kujtimin e të ndjerit Artan Santo ishte edhe ish-kreu i Partisë Socialiste Fatos Nano, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, është bërë pjesë e homazheve që po mbahen në ambientet e Sheraton.

Në ceremoni morën pjesë Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe përfaqësues të tjerë të lartë të politikës.

“Një prej pionerëve të modernizimit të sistemit bankar në vendin tonë, njëri prej njohësve më të mirë të ekonomisë dhe natyrisht në këtë ditë trishtimi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve të tij. Nuk mund të mos rresht së kërkuari vënien para drejtësisë të ekzekutorëve dhe të atyre që urdhëruan ekzekutimin e tij. Kjo dorë mizore duhet ndalur për t’i dhënë qetësinë dhe sigurinë familjes dhe shqiptarëve e shoqërisë tonë”, tha në fjalën e shkurtër para mediave kreu i Kuvendit.

Basha: Qytetarët, në këmbë kundër së keqes

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke shprehur ngushëllimet për familjen e bankierit Artan Santo, ka paralajmëruar se kjo ngjarje do të pasohet nga një “ngritje në këmbë kundër së keqes”.

“Ishte një njeri i palodhur. Një njeri ku njerëzit gjenin shpresën. Një njeri mik i artit, por edhe baba e bashkëshort. Ngushëllimet e mia më të ndjera për familjen. Uroj që Zoti t’u lehtësojë dhimbjen e padurueshme.

Ishte një krim makabër, me mizori mafioze në zemër të bashkëjetesës sonë këtu në Tiranë, i hartuar dhe ekzekutuar me parametrat e një akti terrori, për të ngjallur terror dhe frikë.

Si i tillë do të shërbejë si një thirrje e madhe e qytetarëve, si një ngritje në këmbë për t’i dalë përpara dhe për ta ndalur të keqen”, ka deklaruar Basha pasi ka bërë homazhet për të ndjerin në Hotel Sheraton.

Ardian Fullani: Ikja e Artan Santos, humbje  e madhe për sistemin bankar. Do mungoje buzagazi i tij

Në dalje të ambienteve ku po mbahen homazhet për Artan Santon, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani e cilësuar si mjaft të rëndë humbjen e bankierit të talentuar, i cili sipas Fullanin me  vendosmëri krijoi një bankë që arriti t’i rezistojë krizës.

“Banka ka një staf të përgatitur, i motivuar për ta çuar para, duke i bërë respektin e fundit këtij djali për ta vazhduar punën e tij dhe për të pasur jo vetëm një institucion solid por një institucion të rëndësishëm për ekonominë shqiptare”, tha Fullani duke shtuar se te gjetheve do t’u mungoje buzagazi i Santos.

Ngjela: Në Shqipëri krimet nuk zbulohen, por harrohen
Avokati Spartak Ngjela pasi ka kryer homazhet për biznesmenin Artan Santo ka folu për mediat ku ka shprehur skepticizmin për zbardhjen e kësaj vrasjeje mafioze.

“Bankierët nuk i vret krimi. Kanë dashur ose të marrin diçka, ose të fshehin diçka. Do e nxjerrin në hetim. Në Shqipëri krimet nuk zbulohen, por harrohen”, tha Ngjela.

Ceremonia mortore, nisur nga lajmërimi i dhënë nga familja Santo, do të mbahet në orën 16:00 të pasdites së sotme kur trupi i pajete do te prehet ne varrezat e Sharrës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama