Homoseksual?! Do te thote te jesh me i mbrojtur nga ligji shqiptar

Homoseksual?! Do te thote te jesh me i mbrojtur nga ligji shqiptar

Për të marrë fillimisht statusin e vendit kandidat dhe më pas për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, qeveria shqiptare është e gatshme që të ndërmarrë një sërë reformash, përfshi këtu edhe ato që për shoqërinë shqiptare konsiderohen ende si një tabu.

 

Në këtë kuadër, qeveria e kryesuar nga Edi Rama ka miratuar një javë më parë udhërrëfyesin për plotësimin e 5 prioriteteve, që kanë të bëjnë me procesin e integrimit, ku ndërmjet të tjerave, në prioritetin numër 5 angazhohet zyrtarisht që të ndërmarrë një sërë nismash ligjore për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshi mbrojtjen e romëve dhe politikat antidiskriminim, si edhe të zbatohen të drejtat e pronësisë. Pikërisht në këtë prioritet ajo ka përfshirë si një nga fushat ku ky udhërrëfyes do të fokusohet edhe luftën kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual. Kështu, në këtë fushë në udhërrëfyes përcaktohet një plan i detajuar masash që kanë të bëjnë si në aspektin sensibilizues të shoqërisë dhe institucioneve shqiptare në respektimin e të drejtave dhe lirive të atyre që kanë një orientim të ndryshëm seksual, pra komunitetit LGBT, por edhe në forcimin e mekanizmave ligjorë për mosdiskriminimin e tyre.

 

Sa i përket ndërhyrjeve ligjore, qeveria parashikon që të adaptojë në legjislacion një sërë rekomandimesh të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku mbi bazën e tyre pritet që qeveria të sjellë në Kuvend dhe një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile, nëpërmjet të cilit synohet që për të gjitha çështjet penale me bazë diskriminimin, barrën e provës ta ketë i akuzuari.

 

“Të riformulohet neni 12, për ta ndryshuar barrën e provës në procedime civile, ku gjykata shqyrton një rast diskriminimi, në përputhje me kërkesat e direktivave të BE-së në fushën e trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit.

 

Të shtohet një paragraf pas paragrafit të parë të nenit 12 të Kodit të Procedurës Civile, me këtë përmbajtje: “Pasi paditësi paraqet provat mbi të cilat e bazon pretendimin dhe mbi bazën e të cilave gjykata mund të prezumojë sjelljen diskriminuese, i padituri ka detyrimit të vërtetojë se faktet nuk përbëjnë diskriminim”, – thuhet në këtë udhërrëfyes. Gjithashtu, në këtë dokument qeveritar udhëzohet që të shtohet një dispozitë specifike në Kodin Penal me këtë përmbajtje: “Kërcënim për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor të personit”. Po ashtu propozohet të shtohet ose të riformulohet si vepër penale “Shpërndarja e materialeve raciste apo ksenofobe përmes sistemeve kompjuterike” në nenin 119/b “Fyerje dhe ksenofobi e motivuar nga racizmi në sisteme kompjuterike”, me qëllim që shpërndarja përmes sistemeve kompjuterike të materialeve fyese dhe homofobe mbi baza orientimi seksual dhe identiteti gjinor të personit, të përbëjë vepër penale.

 

Gjithashtu, në këtë udhërrëfyes parashikohet që të riformulohet koncepti i “diskriminimit” në Kodin e Punës, duke shtuar bazat e diskriminimit, përfshi orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Parashikohet të përfshihen edhe format e tjera të diskriminimit, si udhëzimi për diskriminim, ngacmimi seksual, viktimizimi dhe mosshoqërizimi si reagim i arsyeshëm. Për këtë kategori rekomandohet për të bërë ndryshime edhe në Kodin e Familjes, por pa bërë të ditur se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

 

Një tjetër masë që pritet të marrë qeveria në këtë fushë është edhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me masat për eliminimin nga programet studimore të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, të literaturës që diskriminon dhe paragjykon të drejtat e komunitetit LGBT. Po ashtu, në këtë udhërrëfyes parashikohet ndërmjet të tjerash që për forcat e policisë në kurset e tyre formuese të shtohet një lëndë mbi diskriminimin për çështje të orientimit seksual apo racor.

 

5 prioritetet e integrimit

 

Prioriteti 1: Të vijohet zbatimi i reformës në administratën publike, me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe depolitizimin e administratës publike.

 

Prioriteti 2: Të merren masa të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, eficencën dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore.

 

Prioriteti 3: Të bëhen përpjekje të vendosura në luftën kundër korrupsionit, përfshi krijimin e një historiku solid rezultatesh me hetime kryesisht, ndjekje penale dhe dënime.

 

Prioriteti 4: Të merren masa të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshi krijimin e një historiku solid (track record) me hetime, kryesisht procedime penale dhe dënime.

 

Prioriteti 5: Të merren masa efikase për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshi mbrojtjen e romëve dhe politikat antidiskriminim, si dhe të zbatohen të drejtat e pronësisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama