Le të jemi të qartë, hoteli nuk është ndërtuar ende dhe flitet për një projekt, por koordinatori i tij, arkitekti spanjoll, Xavier Claramunt, është i sigurt se hoteli i parë me rreth 450 kilometra largësi nga planeti do të jetë në funksionim dhe i kompletuar duke nisur nga viti 2012. Prenotimet kanë nisur të vijnë që prej janarit të 2008-s, në faqen e internetit të projektit dhe Claramunt, arkitekti që e ka lidhur emrin e tij me shumë ndërtesa përrallore dhe të habitshme në Spanjë dhe Kinë, ka treguar se mes klientëve të rinj të hotelit “Galactic Suite” janë shumë artistë dhe persona VIP që e adhurojnë hapësirën. Mes tyre vetëm katër spanjollë, pavarësisht se shoqëria “Galactic Suite” e ka selinë në Barcelonë, pastaj shumë amerikanë, kinezë, të pamungueshmit sheikë të Emirateve të Bashkuara Arabe apo oligarkë rusë. Të gjithë të gatshëm të sakrifikojnë, para se të nisen për në hotelin në orbitë, të qëndrojnë për tre muaj në një ishull të Karaibeve, që të përgatiten për pushimin hapësinor.
“‘Galactic Suite’ është konceptuar për të ofruar një eksperiencë emocionale dhe jashtëzakonisht të rrallë. Hapësira është me siguri misteri më i thellë dhe më tërheqës për qeniet njerëzore, sepse shpesh na bën të ngremë pyetje për origjinën dhe të ardhmen tonë. Për këtë arsye, turizmi hapësinor do të ketë një zhvillim të madh në vitet në vazhdim”, shpjegon Claramunt. Një udhëtim i largët, por edhe një rikthim në periudhën e ngjizjes, sepse Claramunt ka menduar t’i ndërtojë dhomat duke u frymëzuar nga qëndrimi i fëmijës në barkun e nënës. Vetëm katër të ftuar përnjëherësh do të mund të gjejnë vend në suitën galaktike, të shoqëruar nga dy anëtarë të ekuipazhit. Hoteli në vetvete do të ndërtohet nga module dhe lëndë të përgatitura tërësisht në Tokë, që më pas do të çohen në hapësirë. Ai do të ketë një holl, një dhomë pune për ushtrimet fizike, por mbi të gjitha një zonë vëzhgimi dhe reflektimi për të përfituar pamjet më të bukura dhe më mahnitëse që syri i njeriut mund të ketë parë ndonjëherë. Nga dritarja e tyre e madhe e hotelit përrallor, “Galactic Suite”, të ftuarit do të kenë mundësi të shohin 15 lindje dielli dhe në çdo 80 minuta do t’u duhet të kalojnë sipër një lartësie të caktuar, sepse kjo është koha e mjaftueshme që i duhet hotelit për të kryer një orbitë rreth planetit.
Claramunt herë pas here i shton të tjera detaje projektit të tij: çmenduria më e fundit i takon projektimit të një vaske me hidromasazh. Gjatë trajnimit në Karaibe, turistët do të mësojnë si të sillen dhe lëvizin në mungesë të gravitetit. Për hotele në hapësirë ishte folur që herët, por asgjë nuk ishte konkrete. Deri tani janë bërë vetëm dy udhëtime turistike në hapësirë. Denis Tito, biznesmeni nga Kalifornia, që qëndroi 6 ditë në bordin e stacionit ndërkombëtar të hapësirës në vitin 2002, një privilegj për të cilin ai pagoi 20 milionë dollarë dhe milioneri afrikanojugor, Mark Shuttleworth, u bë turisti i dytë në hapësirë një vit më vonë. Udhëtimi i tyre turistik në hapësirë u bë i mundur me ndihmën ruse. Turizmi në hapësirë ka reklamuar udhëtime në hapësirë që nga vitet ‘80. Në atë kohë, njerëzit talleshin me idenë e turizmit në hapësirë, por tani gjithçka ka ndryshuar. Reklamuesit e këtyre udhëtimeve thonë se çmimet do të bien shumë shpejt. Ata parashikojnë ndërtimin e vendpushimeve hapësinore në Hënë e ndoshta edhe te planetët e tjerë me pamje të mahnitshme të Tokës. I njohur si turizmi përtej tokësor, mendohet se deri në vitin 2020 do të mund të japë miliarda dollarë të ardhura. Amatorët kozmikë kanë përshtypjen se të gjithë do të qëndrojnë në radhë për bileta. Shumica e 35 kozmodromeve që funksionojnë sot në botë janë shtetërore, në ndërtim e sipër. Gjithashtu, janë edhe 8 porte private të shpërndara nga Singapori deri në Suedi. Vlerësohet se në vitin 2021 do të ketë rreth 15 mijë kandidatë në vit të gatshëm për të paguar në total 700 milionë dollarë për të përjetuar disa çaste mbresëlënëse.
Amerikanët, duke analizuar vërshimin e kërkesave për fluturime të tilla, kanë vendosur të ndërtojnë kozmodrome komerciale në disa shtete si Kalifornia, Uinskonsi dhe Teksasi. Më 2006-n u ra dakord që për nevoja të kozmodromeve të përshtatej ish-baza ushtarake amerikane e Oklahamës. Mendohej se pasagjerët e parë do të niseshin që këtu nga fundi i vitit 2009.
Edhe shtetet e tjera shprehën po ashtu dëshirën e tyre për të ndërtuar si këto objekte kozmike. Kështu, ndërmarrjet e Singaporit, por edhe ato të Emirateve të Bashkuara Arabe, vendosën ndërtimin e kozmodromeve të nyjave ekzistuese të komunikacionit dhe tregtisë. Turizmi kozmik ka ngjallur shumë emocione dhe pritje. Në vitet ‘90 u nënshkrua ndërtimi i industrisë private, që kishte pasur synim vendosjen në orbitën rreth Tokës të satelitëve komercialë. Megjithatë, ky biznes dështoi, sepse projekti për kërkesat e parashikuara për raketat nuk u plotësua asnjëherë. Sa kohë që bileta për ekskursionin në kozmos do të kushtojë mijëra ose miliona dollarë, turizmi kozmik do të jetë një argëtim vetëm për superpasanikët. Por një gjë është për t‘u nënvizuar, dhe pikërisht nëse çdo gjë do të shkojë mirë, atëherë kjo degë e re e ekonomisë do të lulëzojë, e për rrjedhojë kozmosi do të jetë gjeneratori i "prodhimit" të miliarderëve.