Hugo Loris, portieri i Francës, ka shpjeguar pas ndeshjes se cila ishte taktika që i mundësoi "gjelave" të merrnin një sukses përballë kuqezinjve të De Biazit.
"Në pjesën e dytë, ne ndryshuam sistem loje, duke na mundësuar që të ushtronim trysni dhe të fitonim topin pak më thellë në zonën kundërshtare. Kjo na dha mundësinë që të evitonim sulme në pjesën tonë dhe i vumë në vështirësi duke i detyruar që të luanin më të tërhequr. Si pasojë e përplasjeve të vazhdueshme me mbrojtjen e tyre, u shpërblyem në fund", tha ai.
Megjithatë, portieri u ka thurur elozhe futbollistëve shqiptarë, të cilët sipas tij kanë bërë një ndeshje thuajse të shkëlqyer. "Shqiptarët kanë bërë një ndeshje të mirë. Ata janë shumë të fortë, shumë solid. Na vunë në vështirësi në disa kundërsulme dhe në goditje standarde. Fatmirësisht u mbrojtëm mirë dhe rritëm rendimentin ofensiv në pjesën e dytë".