Huliganët kroatë kanë treguar se po mundohen në çdo mënyrë të shkatërrojnë kombëtaren e tyre. Sikur të mos mungonin shfaqjet e shëmtuara gjatë Euro 2016 ku ata ndërprenë ndeshjen me Republikën Çeke, tashmë huliganët kanë filluar të sulmojnë edhe futbollistët e përfaqësueses.
Sipas "dnevnik.hr", një bandë huliganësh ka sulmuar me gurë Rakitiç dhe familjen e tij në ishullin e Ugljan, ku ai po kalon pushimet. Futbollisti gjendej prej dy ditësh në resortin turistik popullor në detin Adriatik.
Sipas informacioneve të para, gjashtë persona i janë afruar vilës së familjes Rakitiç dhe kanë filluar të gjuajnë me gurë, duke thyer dyer dhe dritare, ndërsa lojtari dhe familja e tij gjendeshin brenda.
Mediat kroate njoftojnë se pas këtij sulmi ka pasur vetëm dëme materiale, por Rakitiç ka mbetur i tronditur nga ngjarja dhe vetëm gjysmë ore më vonë është larguar nga ishulli.
Ngjarje të tilla të vazhdueshme kanë vënë në dyshim vazhdimësinë në kombëtare të shumë yjeve të Kroacisë.