Ajo vuri në jetë atë që dëshironte të shpërndante dashurinë e Jezu Krishtit tek njerëzit. Për këtë kontribut ndaj njerëzve, Nënë Tereza u nderua me çmimin Nobel për paqen në vitin 1979. Ky ishte momenti kur e tërë bota do ta njihte kombësinë e saj shqiptare edhe pse vetë gruaja me buzëqeshje hyjnore nuk e kishte mohuar kurrë.
"Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri". Kështu do t'i përgjigjej Nënë Tereza një kleriku, i cili e pyeti për prejardhjen e saj. Ndërkohë që gruan shtatvogël e hyjnore prej mirësisë e vizitonin në Kalkutë dhjetëra liderë shtetesh të mëdha si ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush, Jimmy Carter, Yasser Arafat, princesha Diana, Shqipëria nuk e lejoi të hynte në territorin amë as për të qarë në varrin e nënës deri në fillim të viteve 90 kur Nënë Tereza do të puthte e prekte tokën shqiptare. Pasi u shërbeu për një gjysmë shekulli të varfërve dhe të pashpresëve në Indi, Nënë Tereza e Kalkutës vdiq në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeçare. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, ndërkohë që prej disa kohësh shteti shqiptar ka kërkuar rikthimin e eshtrave të saj në Shqipëri.
Por, kjo kërkesë është cilësuar e pavend dhe e pakuptimtë e nuk është mirëpritur nga India, e cila e konsideron Nënë Terezën si Shenjtoren e Kalkutës. Ndërkohë për të gjithë kontributin e dhënë ndaj njerëzve pritet që Nënë Tereza pas lumturimit të saj tetë vite më parë, të shenjtërohet.