Nuk ka pushim për kuqezinjtë. Të paktën për axhendën që kanë përballë mediave. Pasditen e djeshme, Burim Kukeli ka qenë në konferencën për shtyp, ku ka folur për episodet që sollën humbjen me Francën, si dhe për pritshmëritë në lidhje me sfidën që na pret me Rumaninë.
"Jemi ende të mërzitur. 24 orë kanë kaluar, por ende e kemi në kokë golin e pësuar. Duhet të punojmë si duhet dhe të përgatitemi për ndeshjen që kemi me Rumaninë ditën e diel", është shprehur fillimisht mesfushori i Zyrihut.
Kualifikimi Më tej, gjatë përgjigjeve që ka dhënë, mesfushori 32-vjeçar është ndalur te sfida e tretë në grup për kuqezinjtë.
Pasi ka bërë një përshkrim të situatës së Shqipërisë në dy ndeshjet e zhvilluara në lidhje me raportin mes lojës së prodhuar në fushë dhe gjendjes së pikëve, ai ka shprehur besimin se në ndeshjen e fundit do të marrim rezultat pozitiv. "Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira dhe nuk i kemi merituar humbjet.
Me Zvicrën luajtëm shumë mirë dhe mund të kishim marrë një pikë, gjithashtu me Francën të gjithë e dinë atë që ndodhi. Për sfidën e tretë në grup, Rumania nuk është një kundërshtar i lehtë, pasi ka zhvilluar ndeshje të mira si ndaj Francës, edhe ndaj Zvicrës.
Megjithatë, neve na duhet që të tregojmë vlerat tona në këtë 90-minutësh për të arritur një fitore", vijon futbollisti kuqezi.
Golat Mesfushori i lindur në Gjakovë e pranon se skuadra ndihet e lodhur psikologjikisht dhe fizikisht, por shton se lojtarët janë profesionistë dhe kjo nuk do të reflektohet në fushën e lojës.
Në fund, ai ndalet edhe tek episodi i golit të parë i pësuar në fundin e ndeshjes, duke e pranuar se ekipi gaboi në mbulim.
"Nuk duhet ta kishim pësuar atë gol ashtu, me disa lojtarë kundërshtarë në zonë. Secili mbrojtës duhej të kishte markuar lojtarin e tij dhe Franca është një ekip i madh që nuk të fal. Kemi bërë disa gabime, deri në momentin e golit".
OLSI TUJANI