Drejtuesit dhe stafi i Ferencvaroshit kanë qenë shumë të pakënaqur me vendimin e UEFA-s për të kaluar Partizanin në Ligën e Kampioneve si kundërshtar të skuadrës hungareze. Këtë fakt e ka pranuar vetë shefi ekzekutiv, Orozh Pal, në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të klubit, ku ka shpjeguar se si ndryshuan rrethanat njëra pas tjetrës.
"Që në momentin e shortit, emri i Skënderbeut në monitor ishte shoqëruar me një asterisk. Kjo për shkakun se ekzistonte mundësia që të mos luante në Ligën e Kampioneve. Pas përfundimit të shortit, që u hodh nga shefi i Departamentit të Kompeticioneve të Klubeve në UEFA, Mihael Heselshverd, bashkë me presidentin Kubatov Gabor e takuam atë dhe e pyetëm se çfarë duhej të prisnim në këtë situatë.
Ai na informoi në atë moment se nëse Skënderbeu përjashtohej, ne nuk do të kishim një tjetër kundërshtar dhe do të kalonim në turin e tretë. Por ishte një bisedë personale. nuk kishim asnjë kontakt tjetër, por vepruam deri tani me këtë bindje dhe prandaj informuam një ditë më parë se kishim siguruar kalimin. Prej kohësh kishim këtë besim, derisa na erdhi e-maili që na tregoi se duhej të luanim", shpjegoi Pal.
"Pasi erdhi vendimi, isha pak konfuz, për shkak të atij asterisku që shoqëronte Skënderbeun. Përse thanë të kundërtën? Nëse do të na thoshin që do të përballeshim me një kundërshtar të ri, do ta pranonim gjithsesi. Do të luanim më shumë ndeshje. Kjo ndjesi tani është sikur na kanë hequr një çmim që e kishim para fytyrës", theksoi ai.
"Meqë sporti është sport, ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Sigurisht që ne do të luajmë kundër kujtdo që na është caktuar. Ne do të shkonim gjithsesi në Shqipëri, por tani do të jetë edhe më e lehtë pasi do të jemi në Tiranë, nuk ka nevojë as të bëjmë udhëtim të gjatë me autobus", tha shefi ekzekutiv i Ferencvarosh.