O Flamurgjak, o Flamurshkabë,
o vend e vatr´, o nën e babë,
lagur me lot, djegur me flakë,
Flamur i kuq, Flamur i zi!
Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
s´të tremb romani, as venecjani,
as serb dushani, as turk sulltani,
Flamur i madh për Vegjëli…
Me Skendërben´ u lavdërove
dhe në furtun´ i fundmi u shove,
me Malon prapë lart vrapove,
yll i pavdekur për Liri.
Sa shpesh pastaj përdhe u shtrive,
me zjarr e zi u ndeze, u nxive,
po çdo mizor me shpat´e grive,
o fushëkuq, o shkabëzi!
Përpjetë prije Shqipërinë,
përlindja shpirtin dhe fuqinë,
diell për vllanë, yrnek për fqinë,
për botën ëndërr´e qiell i ri!