Hyn ne fuqi lista e barnave te rimbursueshme

Hyn ne fuqi lista e barnave te rimbursueshme

Ditën e sotme hyn në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme, e cila këtë vit është pasuruar me 56 barna të reja. Fondi i listës së barnave është rreth 8.4 miliardë lekë dhe do të mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Ndërkohë, nga sot pritet të ulen edhe çmimet e medikamenteve pas heqjes së TVSH-së prej 10 % për ilaçet.

Në hartimin e listës së re të barnave janë marrë parasysh disa kritere shkencore, duke i dhënë prioritet barnave të cilat përdoren për sëmundje të rënda; sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën; sëmundje që shkaktojnë invaliditet; sëmundje që kanë rrezikshmëri përhapje në shoqëri; sëmundje që shkaktojnë shumë vuajtje si dhe sëmundje kronike që kërkojnë mjekim të zgjatur.

Barnat e reja të përfshira në listë, shërbejnë për sëmundje si diabeti, anemitë, sëmundjet kardiake, disa sëmundje tumorale, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shëndetin mendor, alergiologji dhe okulistikë.

Risia e këtij viti është dhe përfshirja e disa sëmundjeve të pambuluara më parë, si, disa lloje tumoresh, Hepati B dhe C, çrregullimet hormonale, apo edhe varësia nga alkooli. Trajtimi i këtyre nozologjive, duke filluar nga nesër, do të bëhet me barna që hyjnë në listën e rimbursimit për herë të parë.

Me konkretisht, janë shtatë diagnoza të reja që mbulohen nga lista e barnave të rimbursueshme këtë vit, më konkretisht:

Disa lloje kanceri trajtohen aktualisht nga lista e barnave të rimbursueshme dhe në listë janë futur kombinime që përmirësojnë trajtimin e tyre, por për herë të parë, do të mbulohen nga lista e rimbursimit edhe lloje të tjera kanceri si ai i pulmonit, kanceri rektal, i lëkurës, i heparit etj. Bëhet fjalë, për rreth 600 pacientë më shumë që do të përfitojnë nga barnat e reja për trajtimin e disa lloje kanceri.

Trajtimi i Hepatitit B dhe C (janë përfshirë në listë barna që nuk lejojnë kronicizimin e sëmundjes si dhe barna për mjekimin e hepatiteve);

Parandalimi i trombozave – barna që përdoren pas ndërhyrjeve kirurgjikale si dhe në gratë shtatzana që vuajnë nga venat varikoze, në 3 mujorin e fundit të shtatzënisë;

Çrregullimet hormonale  te fëmijët me pubertet të hershëm;

Osteoporoza te gratë;

Për herë të parë gjithashtu është përfshirë një bar për të ulur një plagë sociale si alkooli. Bëhet fjalë për një medikament për varësinë ndaj alkoolit;

Degjenerim i syrit që të çon në verbëri.

Ndërkohë, në hartimin e kësaj liste, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka përfshirë nevojat reale te popullatës, bazuar në përparësitë e vendosura pas konsultave të gjera me drejtuesit e të gjitha katedrave, me shoqatat e pacientëve etj. Lista është zgjeruar për të gjitha kategoritë, veçanërisht për fëmijët, gratë shtatzëna, pensionistët, të sëmurët me kancer, të sëmuret kardiakë etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama