Hysaj-Napoli palet caktojne nje tjeter takim per rinovimin

Hysaj-Napoli, palët caktojnë një tjetër takim për rinovimin

Elseid Hysaj dhe Napoli janë shumë pranë firmës për rinovimin e kontratës mes palëve. Edhe pse gjatë javës së kaluar pati "kërcënime" indirekte nga të dy kampet, duket se situata është qetësuar, ndaj është caktuar dita e enjte për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve dhe për të detajuar këtë çështje.

Elseid Hysaj

Takimi i parë mes menaxherit të Hysajt, Mario Xhiufredi dhe drejtorit sportiv të klubit, Kristiano Guintoli, nuk shkoi siç shpresohej. Arsyeja e mosmarrëveshjes ishte se Napoli insistonte që në kontratën e lojtarit të vendosej një klauzolë e lartë largimi, për të mbajtur larg skuadrat e tjera që interesohen për mbrojtësin shqiptar.

Pas asaj mbledhjeje, Xhiufredi deklaroi se nëse çështja nuk zgjidhej shpejt, Hysaj do të fillonte të shihte rreth e rrotull për një sistemim të ri. Këto fjalë nuk i pëlqyen presidentit Aurelio de Laurentis, i cili nëpërmjet mediave la të kuptohej se nuk do të rrinte të merrej me të pakënaqurit.

Hysaj

Kjo shtyu Xhiufredin që të fliste përsëri publikisht, duke qartësuar se Hysaj dëshironte të qëndronte pjesë e Napolit dhe se ishte i bindur që do të kishte një zgjidhje të situatës.

Sipas asaj që raporton sot gazetari italian Xhanluka Di Marzio, palët do të kthehen në tavolinën e bisedimeve të enjten, ndërsa me shumë mundësi, do të firmoset menjëherë një akord për zgjatjen dhe përmirësimin e kushteve financiare të kontratës së Hysajt. Ndërkaq, pritet që të vendoset edhe një klauzolë largimi në marrëveshje, por jo aq e lartë sa kërkonte fillimisht klubi italian.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama