Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Elseid Hysaj, ka folur nga grumbullimi i skuadrës së Napolit, ku ka shprehur mendimet e tij rreth asaj që e pret në këtë sezon të ri futbollistik me klubin italian. Merkatoja që ka bërë Juventusi gjatë javëve të fundit i bën përsëri bardhezinjtë favoritë për titullin në Serinë A, por mbrojtësi shqiptar mendon se Napoli mund të luajë si i barabartë me këdo, ashtu si Shqipëria.
"Ne mund të konkurrojmë kundër kujtdo. Për shembull në Europian, me Shqipërinë mund të kishim fituar ndeshje të tjera, jo vetëm një. Shqipëria nuk kishte lojtarë të njohur por në Europian u paraqit shumë mirë. Ndaj edhe ne nuk kemi frikë askënd.
Të gjithë lojtarët duan të mbërrijnë të parët, në futboll nuk i dihet kurrë. Ne thjesht duhet të fitojmë ndeshje pas ndeshje dhe të luajmë shanset tona. Pastaj të shohim në fund se çfarë ndodh.
Këtë vit jemi edhe në Ligën e Kampioneve. Për mua është hera e parë dhe pres me padurim që ta luaj këtë turne. Jemi të përgatitur, duhet të mos i vendosim vetes asnjë kufi dhe të mos kemi asnjë frikë. Duhet thjesht t'i vendosim vetes një objektiv për të arritur", ishin fjalët e mbrojtësit i cili ka kujtuar edhe eksperiencën e tij kuqezi në Francë.
"Ishte një eksperiencë e bukur dhe vjen keq që dolëm kaq shpejt, pasi dëshira për të vazhduar ishte e madhe. Por duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi bërë. Të paktën kemi nderuar Shqipërinë me një fitore", theksoi Hysaj.