Rënja e Murit të Berlinit. Së paku për dy arsye: nga njëra anë, është manifestimi i mundësisë së dështimit të racionalizmit, të racionalitetit dhe modernes së themeluar vetëm mbi arsyen dhe shkencën; nga ana tjetër, me bashkimin e Gjermanisë dhe krijimin e një varg shtetesh kombëtare, bëhet manifestim i mundësisë së kulturës dhe të “frymës së popujve” (Volksgeist-it), që mendohej e kapërcyer dhe e “çmitizuar” nga modernja “e arsyeshme”. Rrëzimi i kullave binjake është vetëm një modus i njërës prej këtyre.
2-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Nuk besoj në Zot. Nëse mundet të ekzistojë dhe nëse ekziston nuk e di, sepse ekzistenca e Zotit nuk mundet as të provohet, as të hidhet poshtë. Mbetet çështje besimi. Dhe për disa është mirë të besojnë. Për disa është mirë të mos besojnë dhe, unë besoj se do të ishin njerëz shumë më të mirë sikur të mos besonin në Zot. Sot jam më i shqetësuar se atezimi është në rrezik, ndërkohë që është një vlerë e rëndësishme e njerëzimit.
3. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Gjuha shqipe është e pasur, por e varfëruar. E varfëruar deri në mjerim. Zyrtarisht dhe politikisht e dëmtuar nga Kongresi i vitit 1972. Jozyrtarisht nga padituria dhe snobizmi masiv. E dëmtuar nga përkthimet, nga media, nga shkresat zyrtare dhe komunikimi publik. Të gjitha këto mund të përmblidhen në: nga padituria dhe nga mosbrengosja për gjuhën.
4. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Të dyja. Njeriu është qenie e papërfunduar, është qenie në mundësi dhe prandaj, me “të gjitha” mundësitë.
5. E kuptoni apo e qortoni merakun e shumë evropianëve lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE?
E kuptoj merakun e europianëve. Por mendoj se ata nuk e kuptojnë merakun e vet. Parimet mbi të cilat ngrihet BE-ja dhe meraku i tyre janë të pakuptueshëm për njëri-tjetrin. Çështja e antarësimit të Turqisë është vetëm rasti i përveçëm që e bën të dukshëm këtë pakuptueshmëri në zemër të Europës së tashme dhe si projekt për të ardhmen.
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Uniteti kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës është aq i madh sa do të dëshiroja të mos ishte. Problemi i shqiptarëve nuk është mungesa e unitetit kulturor, por pikërisht ky unitet, ky lloj i unitetit që do të duhej kapërcyer, si kusht për “ta lënë qenien shqiptare me qenë”.
7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Janë numrat e fëmijëve dhe të bashkëshortes ndaj të cilëve kam një përgjegjësi të pandërmjetësuar dhe të menjëhershme. Janë numrat e parë që regjistroj kur më humbin numrat.
8. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Është, dhe ka qenë realitet. Por a është i bukur mbetet pikëpyetje.
9. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Nuk kam asnjë dyshim se në botën e sotme dhe të kaluar demokratike janë bërë dhe bëhen vrasje për arsye shtetërore. Shtetet demokratike, ashtu si shtetet jodemokratike, vrasin çdo ditë, para syve tanë, për arsye shtetërore, për arsye se vetëm u është kërcenuar siguria, dhe aq më tepër nëse do t’u kërcënohej ekzistenca. Vrasin qytetarë të tyre dhe qytetarë të huaj.
10. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Grusht shteti. Është ndër mendimet e rralla të vet Nolit me të cilin pajtohem. Tjetri është mendimi dhe veprimtaria për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Noli e ka karakterizuar atë drejt, si grusht shteti. Ka edhe nuanca rebelimi.
11. Legalizimi i ndërtimeve të paligjshme është kapitullim përballë kundravajtësish, apo mbajtje e anës për shtresat në nevojë?
Kapitullim. Ky kapitullim është sa i shtetit aq edhe i shoqërisë dhe individit shqiptar. Për këtë kapitullim nuk është më përgjegjëse ndonjë qeveri se vet populli shqiptar.
12. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Sigurisht që kanë qenë të dyja. Me një gjuhë tjetër këtë e kanë thënë edhe komunistët. Komunistët kanë pranuar se ka qenë një kombinim i mençur nga PKSH-ja i luftës çlirimtare me revolucionin social(ist). Revolucionet sociale janë luftë civile. Komunistët nuk e kanë fshehur këtë gjë. Nuk e kanë fshehur se ka qenë edhe revolucion social, edhe luftë klasash, pra edhe luftë civile.
13. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Arritjet dhe ritmet në drejtim të modernizimit, të kalimit nga një shoqëri tradicionale paramoderne në një shoqëri me karakteristikat e modernes, kanë qenë të shumta. Deri nga fundi i viteve 1960. Më tej nuk ka ndonjë arritje të madhe modernizuese. Mund të përmenden, centralizimi i shtetit dhe shtrirja e kontrollit në të gjithë shoqërinë, alfabetizimi i popullsisë, vendosja e komunikimi qendër-periferi, kujdesi shëndetësor, elektrifikimi, industrializimi, urbanizimi, barazimi i grave në jetën publike e madje private, vendosja e gjyqësisë ligjore përkundër vetgjyqësisë etj. Arritjet në drejtim të modernizimit kanë qenë të shumta. Problem është tepria në filozofinë e modernes dhe kostoja e modernizimit.
14. Cili është libri që po lexoni?
Si kohë e lirë po lexoj Faustin. Si profesion lexohen shumë autorë njëherësh, në varësi të cështjeve dhe të fushave.
15. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar apo do të qëndronit asnjanës?
Nuk e di. Një fjalë popullore thotë se të mençur mbas kuvendi dhe trima mbas beteje ka shumë. Unë, tani, jam mbas kuvendit dhe mbas betejës.
16. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Për mua mbetet gjest i qortueshëm.
17. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Jam tërësisht dakord. Në fund të fundit janë përkthyer libra dhe autorë edhe më problematikë se “Mein Kampf” i Hitlerit. Hitleri e ka sunduar në masë të madhe mendimin njerëzor mbas Luftës së Dytë Botërore, dhe e sundon edhe sot. Ka rrezik të dënohen parashikuesit e motit po të thonë një ditë me diell se është ditë me diell, sepse këtë e thoshte edhe Hitleri kur dita ishte me diell. Në masë të madhe mendimi nuk shqyrtohet me kriteret e mendimit, por me kriterin nëse këtë mendim e ka shprehur apo nuk e ka shprehur Hitleri. Prandaj është më mirë që mendimi i Hitlerit të njihet dhe të gjykohet me kriteret e mendimit.
18. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Nuk e kam menduar. Por jam i sigurtë se njerëzit e familjes dhe shokët e qëndrueshëm janë fotografitë që i shoh më shpesh dhe më ngjallin më shumë kujtime e emocione.
19. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Shqiptarët nuk janë europianë me titull të plotë, përjashto gjeografinë. Dyshoj se duan të jenë. Nuk e shfaqin këtë edhe aty ku askush nuk i pengon, as politika, as Europa, as media, asgjë.
20. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
Në ngjarjet që jam dhe kam qenë. Rënia e komunizmit në Shqipëri, pavarësia e Kosovës, prirjet në rritje kah bashkimit kombëtar janë ndër ngjarjet më të mëdha shqiptare. Rënia e komunizmit në shkallë botërore, tronditjet e modernes, e cila është një epokë e tërë dhe shekullore, mundësitë e një epoke të re që po çelet në qenien e vet janë sot ndër ngjarjet më të mëdha të historisë njerëzore.
21. Komunizmi ra apo e rrëzuan?
Në Shqipëri ra. Dhe i gjeti të papërgatitur. Në nivel ndërkombëtar janë të dyja: ra dhe e rrëzuan. Ra nga mungesa e efiçiencës së vet, dhe e rrëzuan ata që kishin një projekt për të ardhmen mbas rënies. Këto projekte u realizuan prej tyre: krijimi i shteteve kombëtare dhe ndërtimi i shoqërive demokratike liberale.
22. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Pjetër Budin. Përgjithësisht nuk kam çka bisedoj me personazhet e historisë shqiptare, sepse çfarë kanë patur për të thënë e kanë thënë, dhe shpesh me tepri. Por Pjetër Budin e vranë pa thënë gjithçka që mendoj se dëshironte ta thoshte, dhe mbas vrasjes e kanë vrarë deri diku me “heshtjen” për të në të sotmen.
23. Keni një qëndrim përballë fuqizimit të shpejtë të Kinës, apo e përjetoni këtë fakt në mënyrë indiferente e neutrale?
Me përjashtim të mosnjohjes së Kosovës, për Kinën, historinë dhe qytetërimin, kulturën dhe karakterin e kinezëve kam një respekt të veçantë. Sa i takon fuqizimit, tani për tani, jam neutral.
24. Ç’është Atdheu?
Atdheu është mister i pashpjegueshëm në terma racionalë. Atdheu është afeksion dhe ndjenjë. Njëlloj si e tregon edhe emërtimi atë, ose mëmë -dhe. Afeksioni për prindërit nuk mund të vendoset dhe as të reduktohet në terma racionalë.
25. Keni frikë nga vdekja?
Jo. Kam qenë “i vdekur” për një pafundësi vitesh në të kaluarën dhe nuk ndjej as keqardhje as frikë për këtë fakt. Dhe do të jem i vdekur në një pafundësi vitesh në të ardhmen. Më frikë ndjej nga jeta, se nga vdekja. Ky segment jete që na jepet si barrë dhe përgjegjësi për ta jetuar.
Më vjen të qesh, më kujtohet një bisedë dhe përgjigje si kjo e shumë viteve më parë. Mbas përgjigjes, bashkëbiseduesi më pyeti: kur e vlerëson jetën kaq pak, pse nuk e vret veten? Pikërisht sepse e vlerësoj kaq pak, ju përgjigja. Njeriu e vret veten kur pret shumë nga jeta dhe zhgënjehet kur nuk arrin shumë. Më duket se njeriu nuk ka shumë për çka ta vrasë veten, dhe për çka të friksohet nga vdekja.