Vetëm pak çaste pasi kemi ndaluar në portën e tij shfaqet Perikliu, i cili na fton brenda. Shtëpia është modeste, ka krijuar një hapësirë aty përpara dhe një minibar të vogël ku ulet me miqtë e tij. Pak më tutje është edhe një qen të cilin Perikliu e ka pagëzuar me emrin “Demokrat”. Thotë se i ka vendosur këtë emër, pavarësisht se e shtuquajtura demokraci shqiptare nuk është aspak besnike, ndryshe nga qeni. Është një këlysh i vogël i cili luan gjatë dhe e përkëdhel të zotin e tij. Biseda është e thjeshtë dhe sytë e Perikliut janë të mbushur, me lotë. Është tej mase i zhgënjyer nga gjithçka që ka ndodhur dhe kryesisht nga akuzat, që i ka bërë kryeministri i vendit.
Edhe nëse më arrestojnë do të shkojë, në varrimin e mikut tim
Vdekja e mikut të tij e ka lënduar jashtë mase dhe ai nuk gjen fjalë, për të shpjeguar se sa keq ndihet. Të gjithë janë takuar bashkë dhe kanë mbledhur lekët, për të rikthyer trupin e Lirak Bejkos në Shqipëri. “Nuk mund të lejojmë që pikërisht ai që hodhi baltë mbi ne të ngrihet dhe të thotë tani të kundërtën, madje të dërgojë edhe ngushëllimet në familjen e mikut tonë. Të gjithë bashkë mundëm të mblidhnim kuotën e caktuar”, thotë ai. Megjithëse është në arrest shtëpie thotë, se edhe sikur të ishte gjëja e fundit që do të bënte në jetë do të shkojë në varrimin e mikut të tij.
Do votoj për Partinë Demokratike!
“E di që më vëzhgojnë dhe më përg- jojnë. Edhe tani që jemi bashkë po na vëzhgojnë. E kuptoj mirë ku i kanë vendosur kamerat. Ata mendojnë se nuk e kuptoj, por unë jam inteligjent dhe kuptoj mirë këtë gjë. Në mëngjes kur shkoj të ble bukën, ndjej hapat pas meje. Këtë e bëjnë sepse njerëzit që ka kryeministri pranë janë të paaftë dhe e kanë dezinformuar. Unë shtëpi në Korfuz?! Jo, unë jo. Por shokët dhe shoqet e mia të burgut që tani janë ministra e ministre, kanë. Kanë shumë shtëpi dhe në vende të ndryshme të botës. Të gjitha pazaret me Greqinë i kanë bërë në Korfuz, i kam parë dhe i di. Atje jam shumë i njohur dhe më quajnë ‘ambasador i shqiptarëve’. Të gjitha i di...”, shprehet ai i sigurt dhe i bindur në atë që thotë. Gjatë bisedës të çudit me pohimin që bën në vazhdim për zgjedhjet e vitit që vjen. Rrëfen se gjithmonë ka votuar për Partinë Demokratike, madje ka sjellë edhe shumë shqiptarë të tjerë për të votuar për këtë parti, por “çuditshëm” thotë, që do të votojë sërish për të, pavarësisht të gjitha këtyre që kanë ndodhur. “Do të votoj për Sali Ram Berishën që vjen nga Tropoja. Do votoj që ai ta kuptojë se sa shumë ka gabuar dhe të vijë të më kërkojë falje mua dhe të gjithë miqve të mi”, shprehet Perikli Shqevi.
Ditët në burg
Ai aktualisht është në arrest shtëpie dhe ka qëndruar dy ditë në burg. “Në burg më kanë trajtuar mirë, sepse e dinin që isha i pafajshëm. Të gjithë e dinin nga më i madhi në detyrë dhe deri te policët e thjeshtë, të cilët nuk kishin marrë akoma rrogën. Punojnë 12 orë, 8 për vete dhe katër kryeministrin! Ata e kuptonin dhimbjen dhe dramën tonë, dramën e të gjithë të persekutuarve. Janë sjellë shumë mirë me mua, sikur të ishin miqtë e mi prej vitesh”, tregon Shqevi.
Familja
Është babai i dy vajzave, të cilat studiojnë dhe jetojnë në Korfuz dhe të shqetësuar e kontaktojnë shpesh herë në telefon. Një ditë njëra prej tyre i kishte thënë: “Babi im nuk është kështu siç shkruhet dhe thuhet në media, babi im është i mirë, është i dashur, dëgjon muzikë... dhe lotët kishin ndërprerë këtë bisedë”. Ai viziton vazhdimisht familjen e tij, madje atje i kaloi pushimet, por u kthye për të qenë pranë dy miqve të tij, Lirakut dhe Gjergjit. Të tre bashkë kishin vendosur të fitonin, dinjitetin e humbur. Edhe planin për vetëzjarrvënie e kishin biseduar vetëm ata të tre. Gjergji kishte dalë vullnetar i pari duke thënë: le të vdes unë i pari. “Erdhi këtu (tregon me dorë nga banjoja) mori benzinën dhe doli. E dija planin, por nuk doja ta lejoja ta bënte atë veprim dhe duke dashur ta ndaloj, çakmaku u ndez dhe benzina mori menjëherë”.
Plani B
Sipas tij mendimet e tyre nuk mund t’i kuptojë, një qytetarë i thjeshtë. Asnjëri nuk mund të kuptojë se si kanë ndikuar, vitet e burgut në psikologjinë e tyre. “Sigurisht që kemi një plan B, nuk do mbarojë gjithçka, kështu kaq thjesht. Ata gënjejnë kur thonë, që kemi marrë aq e kaq para. Unë kam marrë vetëm një këst, 6 milion lekë të vjetra. Më takojnë, edhe 65-70 milion lekë për të marrë. Kam bërë dhjetë vite burg dhe jam dënuar, për agjitacion dhe propagandë”, thotë duke të lënë të kuptosh se vërtet ekziston një plan tjetër B. Por, Perikliu nuk tregon asnjë detaj tjetër.
Krijohet komisioni për mbarëvajtjen e funeralit të Lirak Bejkos
Kreu i Shoqatës të ish të përndjekurve politik bën me dije, se sot është zhvilluar një mbledhje për të marrë vendime lidhur me mbarëvajtjen e ceremonisë së varrimit të mikut të tyre, Lirak Bejko. Në këto homazhe do të marrin pjesë ish të persekutuari nga qytete të ndryshme të vendit si: Elbasani, Shkodra, Berati, Fieri etj. Është krijuar një Komision i Posaçëm, i cili do të kujdeset për të gjitha detajet e ceremonisë. Sot në mënyrë të organizuar, të gjithë do të shkojnë pranë Institutit të Përndjekurve që ndodhet pranë rrugës së Elbasanit dhe do t'i kërkojnë atij që për tre orë të jenë në dispozicion të tyre me rastin e cermonisë mortore.
Ndërsa mesazhin e ngushëllimit që kryeministri i vendit i dërgoi familjes së Lirak Bejkos e quajnë, si fyerje ndaj tyre dhe vetë kujtimit të tij. Kjo për shkak, se për ditë me radhë gjatë kohës që ishin në grevë kryeministri e ka fyer Lirak Bejkon, ndërsa tani ngushëllon familjen. Shpenzimet për të kthyer trupin e pajetë të Lirak Bejkos ishin të shumta, por Tufa thotë se të përndjekurit janë një familje e madhe dhe ndajnë bashkë të mirën dhe të keqen.