Pas zvarritjes procesi i dëmshpërblimit të banorëve të Marinzës që pësuan dëme nga shpërthimet e puseve të naftës të “Bankers Petroleum po shkon drejt fundit, por dëmshpërblimi mesa duket do shkaktojë protesta të tjera ndaj kompanisë kanadeze.
Mësohet se për banesat që do prishen pronarët do paguhen me çmimet e përcaktuara nga shteti, pra me vetëm 3170 lekë për metër katror. Kjo shifër nuk përputhet askund me vlerën e disa prej objekteve që do prishen në këtë fshat.
Këshilli i komunës Kuman që ka nën varësi fshatin Marinzë mbi bazën e raportit të komisionit të vlerësimit të dëmeve ka marrë vendimin lidhur me dëmshpërblimet.
Këshilli i komunës ka arritur në përfundimin se kompania “Bankers Petrolemum” do dëmshpërbleje plotësisht dëmet për 46 kryefamiljare që kanë pësuar dëme në banesa, bujqësi dhe blegtori. Banesat e këtyre te fundit do prishen plotësisht dhe për banorët që do evakuohen vlera e dëmshpërblimit për pronat e tyre do jetë me çmimin e përcaktuar nga shteti, pra 3170 lekë për metër katror.
Ndërkohe këshilli i komunës ka marrë vendim për dëmshpërblim të pjesshëm për 66 familje të cilët kanë pësuar dëme të pjesshme në pronat e tyre.
Ndërkohë për 160 familje banorë të Marinzës komuna i kërkon kompanisë Bankers dhe Komisionit të Vlerësimit të Dëmeve të ribëjnë një rivlerësim të dëmeve në pronat e këtyre familjeve.
Raporti i plotë i është dërguar kompanisë “Bankers Petroleum,” ndërsa pritet te ketë reagime të forta.